10 Bimët e Rralla të Kukësit me Vlera Turistike - Into Albania

10 Bimët e Rralla të Kukësit me Vlera Turistike

Kukësi me bukuritë natyrore që e rrethojnë dhe monumentet e kulturës është kthyer në një destinacion ideal për turizëm.

Me bukuritë e maleve me natyrën e pasur ky rajon të surprizon edhe me bimët e pasura, të cilat shumë mirë mund ta kthejnë këtë vend me vlera shumë të mëdha turistike. IntoAlbania ka realizuar një bisedë me Besnik Hallaçin, drejtor i ADZM-ës Kukës dhe njëheras biolog, i cila ka përzgjedhur 10 nga bimët më të vjetrat dhe të veçanta të kësaj zone.

1. Lule narcisi

Kjo lule është një bimë barishtore shumëvjeçare. Në qarkun e Kukësit ka përhapje në disa vende, por në livadhet e Novosejit,  në vendin e quajtur Reçica  gjendet  një habitat i jashtëzakonshëm me një denduri dhe bukuri mahnitëse. Dhe nëse kaloni në këtë anë do të vini re që natyra ka krijuar një kopësht të mrekullueshëm me lule. Ky habitat shtrihet në një luginë me livadhe të lagura rrethuar nga pylli i mështeknës dhe rrjedha e ujrave të Reçicës.

Për banorët e kësaj zone, kjo lule është shumë e dashur dhe si në shumë vende të tjera simbolizon, bukurinë, çiltërsinë, dashurinë. Në kohën e lulëzimit vajzat dhe djemtë mbledhin tufa me lule, për t’ja dhuruar të dashurve të tyre. Buqeta me lule të freskëta të narcisit vlerësohet shumë. Biologu Hallaçi shpjegon se periudha e lulëzimit është muaji maj deri në fillim qershor. Përveçse është një lule shumë e bukur dhe me aromë unike, përdoret shumë edhe në industrinë e parfumeve.

2. Troli

Troli (Trollius europaeus) është bimë barishtore shumë vjeçare. Rritet në zonën sub-alpine dhe alpine në  livadhe të lagura, çeltira të pyjeve të ahut e bredhit. Në Kukës gjendet në livadhet e lagura të malit të Kallabakut në sipërfaqe më një numër të madh individësh duke krijuar një peizazh shumë të bukur e të veçantë.

Kujdes nëse kaloni në këto anë dhe i këpusni, mos tentoni ta hani pasi është bimë helmuese.

3. Karafili madhështor

Guri i Mëngjesit përveç se një pikë e njohur turistike, ku të apasionuarit për ecje e frekuentojnë për hiking, është edhe një zonë e rëndësishme ku rriten bimë të vjetra dhe të veçanta. Karafili madhështor është një bimë barishtore që gjendet në kullotat alpine të zonës së Shishtavecit pranë Gurit të Mëngjesit. Lulet përmbajnë nektar të ëmbël, dhe mund të hahen ose të zihen për të bërë pije. Në mjekësinë popullore kineze është përdorur historikisht si një anti-inflamativ.

4.Qepa e bardheme

Allium victorialis, ose ndryshe qepa e bardheme është një bimë shumëvjeçare në formë qepujkë, e cila njihet si qepë e fitores, rritet në zonën alpine në mjedise shkëmbore. Njihet si specie euroaziatike e qepëve të egra me gjethe të gjëra dhe që gjendet gjerësisht në rajonet malore të Evropës dhe pjesë të Azisë (Kaukazit dhe Himalajet). Kjo bimë në vendin tonë gjendet vetëm në Malin e Kallabakut, e konkretisht në zonën e Shishtavecit. Është bimë shumë e bukur dekorative. Në shekuj në rajone të ndryshme të Europës është kultivuar si bimë mjekësore, sot konsiderohet si një bimë e kërcënuar.

5. Shafrani i Sharrit

Shafrani i sharrit është një bimë e vështirë për t’u kultivuar mbasi kërkon kushte specifike  freski e lagështi gjatë verës dhe të kalojë dimër të ftohtë me dëbore. Në vendin tonë gjendet në zonën e alpeve lindore si në, malin e Korabit, në majën e Kallabakut e deri në Gjallicë. Në zonën e Korab-Sarakolit dhe Kallabakut mbulon  sipërfaqe të mëdha, në formën e një qilimi duke krijuar peizazhe mahnitëse. Dhe nëse kalon në këtë zonë gjatë periudhës së maj-qershorit, mos u largoni pa bërë ndonjë foto kësja parajse të vogël në tokë.

6.Primula minima-Aguliçja e vogël

Është një bimë barishtore e cila karakterizohet nga ngjyra rozë  në vjollcë dhe çel kryesisht në periudhën e qershorit. Njihet si një bimë e cila lulëzon në ballkan dhe shkon deri në Itali zona e Lombardisë Trentinos. Në vendin tonë gjendet në zonën e alpeve,  bjeshkët e Sylbice-Doberdolit, në mjedise shkëmbore  dhe rrëzë shkurreve. Për nga brishtësia e saj konsiderohet një lule mjaft e bukur dhe e veçantë.

7.Primula halleri-Aguliçja e Hallerit

Edhe fusha e Korabit në vendit tonë fsheh familje të bimëve të veçanta, siç është rasti i lules, primula e hallerit apo thënë ndryshe aguliçja e hallerit. Është një bimë e cila gjendet në masë në Evropën qendrore dhe jugore, por mesa duket ka gjetur habitat edhe në trevat shqiptare. Fusha e Korabit dhe deri në maj të saj është kthyer në shtëpinë e primulave më të bukura të vendit tonë.

8. Klokëza lulemadhe

Silene macrantha-klokëza lulemadhe është një ndër speciet më të bukura të gjinisë dhe familjes së karafilave. Për specialistët kjo specie dallohet shumë mirë nga gjinitë e tjera, për shkak të lules ngjyrë rozë. Në vendin tonë kjo bimë e rëndësishme gjendet në malin e Shkëlzenit. E vendosur në të çarat e gurëve gëlqerorë, në kohën e lulëzimit krijon një pamje të rrallë e shumë të bukur në kontrast me sfondin e shkëmbinjve dhe peizazhin përrreth.

9. Narteca e sharrit

Narteca e sharrit më lule të verdha të vogla në formë ylli është një bimë endemike e ballkanit. Në shumë vende evropiane bima përdoret në gatim në vend të shafranit. Ndërkohë në mjeksinë popullore bima përdoret  në formën e çajit bimor për trajtimin e kollës, ndërkohë gjethet përdoren për të shëruar plagët. Në vendin tonë zonat më të rëndësishme ku gjendet Narteca e sharrit janë vendet me lagështi në bjeshkët e Doberdolit si edhe neë majën e Korabit dhe Kallabakut. Një bimë e cila përveç aspekteve kurative, i dhuron zonës një tjetër bukuri.

10. Lunaria e telekit

Lunaria e telekit është bimë shumë vjeçare dhe momentalisht është propozuar për mbrojtje sipas traktateve ndërkombëtare për speciet e rrezikuara. E konsideruar si një specie e rrallë në Shqipëri, gjendet tek Mali i Shkelzenit, Maja e Hekurave, lugina e Lumit të Tropojës dhe tek Lumi i Gashit. Si një specie e rrallë dhe jo shumë e njohur, në Shqipëri ajo është pjesë e listës së kuqe të specieve.  

Lunaria e telekit, foto Besnik Hallaçi

New & Trending

Choose a