10 ide për udhëtime - Pushime duke ruajtur distancë sociale - Into Albania

10 ide për udhëtime – Pushime duke ruajtur distancë sociale

Mendimi konstant në këtë periudhë të vitit është organizimi i pushimeve të pranverës e verës. Ashtu si çdo aspekt tjetër i jetës, edhe mënyra e të pushuarit dhe stili i udhëtimeve ka ndryshuar në përshtatje me mundësitë dhe kujdesin ndaj pandemisë. Por nëse pushimet “tradicionale” janë bërë të vështira për shkak të nevojës për t’u mbrojtur dhe për të ruajtur distancën fizike, atëherë çfarë mund të bëjmë?

Nga eksplorimi i parqeve natyrore kombëtare deri te sportet ekstreme, IntoAlbania ka 10 sugjerime për udhëtimet tuaja të verës dhe asnjëri nuk i ngjan tjetrit.

1. Parqet Kombëtare

Ashtu sikurse kemi shkruar në një tjetër artikull në IntoAlbania, natyra është antistresi më i mirë dhe do të mjaftonin 20 minuta në ditë, mes gjelbërimit, për të ndjerë benefitet e saj. Po sikur në vend të 20 minutave, të organizonim një verë në zbulim të parqeve kombëtare të Shqipërisë?! Pranë lumenjve, mes maleve, në det, Shqipëria ofron mundësi të shumta për parqe natyrore. Po ashtu të shumtë janë edhe turet për të eksploruar këto vende.

2. Udhëtime një ditore

Kur nuk doni të harxhoni para në hotele apo nuk ndjeheni të sigurt të qëndroni diku për të fjetur, atëhere udhëtimi më i përshtatshëm për ju është ai ditor. I vetmi kompromis që duhet të bëni në këtë rast është zgjimi në mëngjes herët, për të pasur sa më shumë orë në dispozicion. Avantzhi që ka Shqipëria, edhe në këtë rast, është që gjithçka ndodhet në distanca të shkurtra. Një aktivitet në natyrë apo një drekë në një agroturizëm, mund të jetë përditë një destinacion i ri.

3. Një fundjavë në fermë

Zhvillimi që kanë marrë së fundmi fshatrat turistikë në Shqipëri dhe agroturizmet pranë tyre, nuk është vetëm për t’u vlerësuar nga distanca, por për t’u vizituar nga afër. Veç kësaj, këto vende janë për natyrën e tyre të krijuara me kapacitete të vogla, për më shumë intimitet. Ndaj, në epokën e distancimit fizik, mund të ishin zgjedhja ideale për të vizituar natyrën, për të shijuar produktet e saj, apo pse jo, për të zhvilluar një aktivitet në fermë, gjë të cilën shumica e agroturizmeve në Shqipëri e mundëson.

4. Hotel apo spa në qytetin tënd

Ndoshta keni dëshirë të pushoni, por nuk keni kohë. Në këtë rast, ju sugjerojmë të rezervoni një qëndrim një ose dy netë në hotelin më mbresëlënës në qytet, duke shijuar të gjitha komoditetet që ai ka për të ofruar. Shijoni ushqimin në dhomë, kënaquni në një banjë të gjatë, porosisni një koktejl në ballkon dhe rezervoni një masazh në dhomë. Apo, në të kundërt, një vizitë e shkurtër në spa mund të mjaftojë.

5. Udhëtim me varkë

Edhe habitati i një varke është po ashtu një hapësirë e kufizuar që nuk lejon përqëndrimin e shumë njerëzve. Mund të mendoni të rezervoni një varkë të pajisur me kabinë. Urojmë të keni aq ditë pushime sa të mund të vizitoni të gjithë bregdetin shqiptar.

6. Plazhet e virgjëra

Nëse nuk hiqni dot dorë nga plazhi, atëherë menduam t’ju sugjerojmë plazhet më pak të populluara. Edhe këtu e kemi të vështirë zgjedhjen në Shqipëri. Për fat të mirë, me gjithë zhvillimin që ka marrë së fundmi turizmi në vendin tonë, ende mund të gjenden plazhe që ofrojnë më shumë intimitet dhe distancë fizike. Një përzgjedhje nga IntoAlbania e gjeni në këtë artikull.

7. Ecjet e gjata në mal

Një tjetër ambient që të ruan nga grumbullimet dhe favorizon distancimin fizik ështa natyra në mal. Për hiking apo treking, jo vetëm do t’i qëndroni larg virusit por do të qetësoni edhe stresin mendor të kësaj periudhe

8. Për peshkim

Një aktivitet shumë vetmitar edhe në ato raste kur shkohet për të peshkuar në shoqëri. Peshkimi ka efekte pozitive të jashtëzakonshme për shëndetin, si mednor ashtu edhe pë atë fizik, megjithëse nuk konsiderohet një sport i mirëfilltë. Qëndrimi në ajër të pastër për një kohë të gjatë, nën ndikimin e vitaminës D, mund të përmirësojë dhe zgjasë jetën. Pa llogaritur këtu të mirat e konsumimit të peshkut.

9. Udhëtime të gjata me makinë

Tashmë është pak a shumë e qartë që do të duhet ende kohë pët t’iu rikthyer udhëtimeve me avion. Kjo nuk do të thotë që duhet hequr dorë nga udhëtimet në vende më të largëta. Thejsht duhet të ndryshojë këndvështirmi dhe të konsideroni një udhëtim të gjatë me makinë, që parashikon disa ndalesa, deri në mbërritjen në destinacoion.

10. Sporte ekstreme

Këtu, në rradhët e guximtarëve në sporte ekstreme, është e sigurt që nuk do të jeni të shumtë dhe distanca sociale nuk do të jetë problem për t’u ruajtur. Këtu jeni ju dhe adrenalina juaj, në një hedhjen me parashutë nga qafa e llogarasë për shembull. E paharrueshme nuk mund të jetë vetëm pandemia, por edhe kënaqësia në një situatë të tillë.

New & Trending

Choose a