10 librat Shqiptarë Sugjeruar si Dhuratë për të Huajt - Into Albania

10 librat Shqiptarë Sugjeruar si Dhuratë për të Huajt

Sa herë keni dashur të prezantoni mikun apo mikeshën tuaj të huaj me kulturën shqiptare e ti tregoni atyre pjesët më interesante, të vërteta e të bukura të saj?

Më poshtë ju rendisim sugjerimet tona të librave që mund të dhuroni (apo të shfletoni edhe vetë!) të cilët janë të përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe që përfaqësojnë e prezantojnë Shqipërinë me të gjithë kulturën, traditat, dhe artin e saj.

1. “Kronikë në gur”/ “Chronicle in stone” nga Ismail Kadare

Ismail Kadare-ja kryeson gjithnjë listat e librave shqiptarë! Por cila vepër, nga shumë prej atyre të autorit, do të ishte më e përshtatshmja si dhuratë? Sipas nesh, “Kronikë në gur.” I rrëfyer nga pikëvështrimi i një djaloshi, libri rrëfen me vemendje e ndjeshmëri ngjarjet e të tashmes e së shkuarës së Gjirokastrës, vendlindja e Kadaresë. Ky titull është për ata që e njohin apo duan t’a njohin Gjirokastrën, për një copëz tradite e një tregimi vërtet shqiptar në të gjithë kuptimet! Në gjuhë të huaja, libri gjendet në librarinë Adrion.

2. “Rrugëtimi i mbramë i Ago Ymerit”/ “The Last Journey of Ago Ymeri” nga Bashkim Shehu

Bashkim Shehu është një nga autorët shqiptarë më prodhimtarë të ditëve tona. Djali i ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehut, autori është ndër të paktët fëmijë të ish pushtetarëve të periudhës komuniste që ka dënuar regjimin e shkuar. Prej vitit 1997, jeton në Barcelonë por vazhdon të shkruajë në shqip e të rrëfejë histori shqiptare, si ky titull që përveç se në anglisht, gjendet i përkthyer edhe në frengjisht dhe spanjisht në site-in Amazon.

Kopertina e librit. Burimi, Amazon.ca

3. “Hana”/ “Sworn Virgin” nga Elvira Dones

Ai i virgjëreshave të përbetuara është një fenomen i pakuptueshëm për shumë perëndimorë që vizitojnë shqipërinë dhe diçka që i bën kuriozë. Elvira Dones ka qenë ndër shkrimtaret e para që ka sjellë një histori të letrarizuar, libër që bëri shumë bujë menjëherë pas botimit të tij në gjuhën italiane si fillim. Mbi këtë roman, vetë autorja ka realizuar një dokumentar dhe pak vite më vonë nga publikimi, është mbështetur edhe filmi Italian me të njëjtin titull. Aktualisht libri ekziston në shqip, italisht dhe anglisht. Gjejeni në Adrion dhe Amazon.

4. “Fluturim/Flight” nga Kleitia Vaso

Koleksioni me 64 ese është i shkruar në shqip dhe anglisht nga vetë autorja e kjo e bën një dhuratë shumë të bukur për shqipfolës dhe anglishtfolës. Me gjithë filozofinë elegante të autores, mbetet një libër i thjeshtë dhe argëtues që çdokush do ta shijonte. Ajo që bashkon esetë e K. Vaso-s është një kënd krejt i veçantë vështrimi mbi botën duke u nisur nga elementet më të thjeshtë të përditshmërisë, si dhe një stil shumë modern të shkruari. Esetë mund të trajtojnë një kënd në shtëpinë e saj të fëmijërisë në Tiranë, një vend në fantazinë e saj, një fotografi nga jeta në Amerikë apo një anekdotë e nxitur nga jeta në Poloni, ku aktualisht jeton. Gjëndet në libraritë Adrion dhe Albania.

Kopertina e librit

5. “Hapësirë Negative”/ “Negative Space” nga Luljeta Lleshanaku

Për shpirtrat e brishtë dhe më të ndjeshëm ndaj poezisë, Luljeta Lleshanaku është një nga poetet më në fjalë kohët e fundit në skenën ndërkombëtare. Nga katër përmbledhjet me poezi të poetes, të përkthyera në anglisht, ne sugjerojmë më të fundit prej tyre “Negative Space,” ndërkomëtarisht i recensuar, nominuar dhe vlerësuar me çmime të ndryshme. Gjendet në Amazon.

6. “Homeland” nga Fation Plaku

Ky koleksion i ri fotografish, ndonëse me çmim të lartë, paraqet Shqipërinë në çdo centimetër katror të saj. Mes destinacioneve të njohura, gjenden edhe shumë të tjera që mbeten të panjohura për shumë prej nesh. Përveç se një libër i bukur për tju shtuar bibliotekës tuaj personale, ky libër do të ishte një dhuratë serioze për miqtë tuaj më të mirë. Mund të shërbejë si një nxitës i menjëhershëm i oreksit pë ta vizituar vendin tonë! Gjendet në Adrion.

Kopertina e librit

7. “Tirana Horizontale, Go West” nga Robert Aliaj Dragot

Libri i Robert Aliaj Dragot është një propozim artistik. Autori e zoomon lenten e aparatit duke e fokusuar interesin e tij te kryeqyteti. Krejt i kundërt në krahasim me librin e sipër përmendur, në këtë përmbledhje aspak formale, që në formën e tij të paraqitjes, nuk do të gjeni fotot e bukura të turistëve, por ato të faqes tjetër të medaljes, të një realiteti të ashpër dhe prezent. Gjejeni në Adrion.

8. “Marubi: Shqipëria-Albania 1858-1950”

Fati i Marubëve në Shqipëri nis me mbërritjen e italianit Pietro Marubi në Shkodër e përfundon me nipin e tij tashmë shqiptar Gegë Marubi. Pietro njihet si fotografi i parë në Shqipëri dhe arkivi i tij fotografik si një ndër më të pasurit në Ballkan. Për këtë arsye, koleksioni ku përmblidhen fotografi nga Shqipëria e viteve 1858-1950, është një dhuratë e çmuar për një mik të huaj. Janë fotografi artistike, në bardhë e zi, që shfaqin portrete njerëzish të thjeshtë por edhe personalitetesh të rëndësishëm të sferës kulturore, veshje tradicionale, si edhe pamje nga Shqipëria përgjatë një shekulli.

9. “Pastel 1960-2012” nga Maks Velo

Megjithëse jo i përkthyer në gjuhë të huaja, mund tju sigurojmë se ky libër i vogël me pastelet e Maks Velos nuk ka aspak nevojë për përkthim. Veprat e Velos janë po aq estetikisht të bukura sa edhe interesante, po aq personale sa edhe universale, duke e bërë këtë një dhuratë të veçantë dhe të bukura për miqtë tuaj. Mund të gjëndet në librarinë Adrion në qendër të qytetit.

10. “Albania through Art” (3rd Edition) nga Ferid Hudhri

Nëse keni shoqëri artdashëse, ky koleksion i veprave dhe artistëve më të mëdhenj të Shqipërisë në anglisht është pa dyshim një nga më të mirët. Çmimi i kripur kompensohet nga përzgjedhja e piktorëve, prezantimi e cilësitë e fotove, tregimi sipas periudhave kohore, e shumë arsye të tjera të cilat e bëjnë këtë enciklopedi të artit shqiptar një libër që shfletohet me dëshirë dhe interes! Gjejeni në librarinë Adrion.

Kopertina e librit. Burimi, feridhudhri.com

New & Trending

Choose a