10 Sugjerime Nga Rezart Cenaj - Tirana në Shijet e Kryebashkiakut të Natës - Into Albania

10 Sugjerime Nga Rezart Cenaj – Tirana në Shijet e Kryebashkiakut të Natës

Kryebashkiaku i natës, Rezart Cenaj, sapo na zbuloi që bën një jetë shumë aktive gjatë orëve të ditës, të cilat i ndan mes punës pranë Bashkisë së Tiranës dhe familjes, që tashmë është shtuar me një vajzë dhe një djalë. Nga kjo intervistë me të, zbuluam një njeri që Tiranën duket sikur e ka matur me pëllëmbë. E njeh aq mirë sa mund t’i besosh verbërisht për vendin ku të zgjedhësh byrekun më të mirë (jo atë nga duart e mamit të Rezit), picën, aperitivin, apo ku të gjurmosh copëza unike arti.

Kafe:

Tirana është një qytet me shumë vende interesante dhe, fatmirësisht, i gjen relativisht të përqendruara. Kështu, në 5 apo 10 minuta rrugë mund të shijosh kafen më të mirë të Shqipërisë, apo ndoshta edhe të Europës juglindore. Nuk do dija të zgjidhja një mbi të tjerët, por mendoj se përveç kafes, rëndësi ka edhe pamja. Më pëlqen që ato 3-4 minuta që më merr rituali i mëngjesit, të shoh qytetin që gëlon, që vrapon dhe është gati të përpijë ditën.

Rezart Cenaj
Rezart Cenaj

Pikë referimi:

Unë si i ardhur që jam në Tiranë e kam dosmosdoshmëri një pikë referimi. Ndoshta Piramida është në nga vendet më emblematike të qytetit. Kjo godinë është si feniksi, fiket e më pas rikthehet akoma më fuqishëm. Mbledh njerëz të të gjitha moshave dhe, gjithashtu, ka qenë kilometri 0 i shumë projekteve që kanë ndryshuar një herë e përgjithmonë rrymën kulturore dhe sociale të Tiranës.

Piramida e Tiranës
Graffiti te Piramida, Tiranë, foto nga IntoAlbania

Vend i rastësishëm:

Një vend që përherë më tërheq është kalimi midis godinës së Bashkisë dhe xhamisë. Në atë rrugicë lidhen bashkë disa epoka të Tiranës, nga më konservatorja tek ajo më avantgardë.

Vendi për një drekë të shpejtë:

Në Tiranë ke mundësi të hash drekë çdo ditë në një vend ndryshe për një muaj të tërë, dhe në të gjitha vendet të jesh njësoj super i kënaqur; nga kuzhina italiane me pasta dhe pizza deri te inovacioni që ka rishpikur kuzhinën shqiptare me finesë dhe elegancë. Një nga zonat me shijen më të mirë është ajo rrotull stadiumit Dinamo me restorante për të gjitha gustot, nga pastat e Puccit, te sofistikimi i Amor, peshku i Drinit apo picat e Saporitës.

Restorant Amor. Foto nga: facebook.com/restoranti.amor

Pjata e preferuar:

Këtu kemi hyrë në territorin e mamit, nuk ka si byreku i saj. Jashtë shtëpie, është një vend i vogël te pallatet Agimi që bën byrekun me gjizë më të mirë ndonjëherë.

Aperitiv:

Një Aperol Spritz, qoftë në lagjet më klasike si Blloku apo zona rreth Piramidës, apo edhe në pikat e rinovuara të qytetit si Kalaja apo Pazari i Ri.

Kënaqësi e veçantë:

Të gjithë ata të rinj dhe të reja të cilët përvojën që kanë marrë në vende të tjera e kanë marrë si shkas për të investuar në Tiranë. Përkushtimi dhe pasioni tek ata, si tek askush tjetër.

Vendi i kulturës:

Më pëlqen shumë të rrëmoj në dyqanet me gjëra antike te zona e Pazarit të Ri. Aty gjen thesare!

Pazari i Ri
Pazari i Ri, Tiranë, foto nga IntoAlbania

Restorant për darkë:

Që kur kemi dy beba, kam harruar të dal për darkë hahaha. Rrotull Kalasë së Tiranës mendoj se gjen shumë opsione që i sjellin sofistikim dhe elegancë darkës metropolitane.

Kalaja e Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Bar/Klub:

Blloku ka bare me personalitet të fortë që kanë qenë pionere në mënyrën se si është konceptuar jeta e natës këto 15 vitet e fundit. Gjithmonë mbetet një opsion i mirë dhe i përmbledhur për të kaluar darkën. Tribeca, Radio, Kino, Check Point Charli janë vetëm disa prej opsioneve. Ndërsa në zonën përreth Piramidës dhe në rrugën Kont Urani gjejmë opsione të freskëta, të guximshme dhe, mbi të gjitha, me një shërbim shumë profesional.

Tribeca Bar, Tiranë. Foto nga: facebook.com/tribecatirana
Tribeca Bar, Tiranë. Foto nga: facebook.com/tribecatirana

New & Trending

Choose a