24 orë në Berat - Into Albania

24 orë në Berat

Berati është një qendër e rëndësishme kulturore dhe historike që rezervon bukuri të shumta. Për të shijuar plotësisht një ditë në këtë qytet, kemi vendosur të ndajmë me ju sugjerimet tona për ndalesat që duhet të bëni. 

Berati është një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, me një histori zhvillimi mbresëlënëse. Berati është qytet i mbrojtur nga UNESCO për vlerat e trashëgimisë që dëshmon. Ajo që duhet të dini fillimisht për qytetin, është se ndahet në dy lagje të mëdha, Mangalemin dhe Goricën, dhe shëtitja në të dyja këto zona ofron surpriza të këndshme.

Mëngjes

Niseni me një kafe apo mëngjes plot shije tek Guva Hotel, në zonën e Mangalemit, ku keni një pamje të mrekullueshme të Goricës. Ambjenti është mjaft komod, e gjasat janë që do të doni të qëndroni këtu në mbrëmje gjithashtu.

Hyrja e Hotel Guvës, foto nga IntoAlbania.

Pasi të mbaroni mëngjesin, lëreni veten të lirë të ecni nëpër kalldrëmin dhe shtëpizat tradicionale. Pasi të shijoni disi shëtitjen, bëni një ndalesë tek kompleksi fetaro-social që njihet si Qendra Mesjetare, që përfshin Teqen Helvetive, Xhaminë Mbret, si dhe objekte të tjera me rëndësi. Objektet e kultit harmonizohen mes besimeve fetare në këtë qytet.

Pasi të keni mbaruar me vizitën tek Qendra Mesjetare, nisuni për në Kalanë e Beratit. Kalaja është nga vendet më të vizituara në Shqipëri, me themelet që datojnë që nga shekulli i IV para erës sonë, ndaj planifikoni disa orë të mira aty.

Kalaja e Beratit, foto nga IntoAlbania.

Mesditë

Në kala ndodhet Muzeu Onufri, një nga muzetë më të rëndësishëm të vendit, ku do të njiheni me artin e piktorit më të famshëm mesjetar Onufri, si dhe ikona të tjera të rëndësishme të piktorëve me emër si Kostandin Shpataraku, David Selenica, Çetirët etj.

Brenda Muzeut “Onufri”, foto nga IntoAlbania.

Pas ndalesës aty, sigurohuni të vizitoni dhe Kishën e Shën Triadhës, e të bëni një xhiro përreth mureve të kalasë. Nga kalaja mos harroni të shikoni pamjet dy malet e njohura të qytetit, Tomorin dhe Shpiragun.

Kisha e Shën Triadhës, foto nga IntoAlbania.

Mali i Shpiragut, foto nga IntoAlbania.

Dreka

Për drekën mund të qëndroni në kala, ku pasi të keni mbaruar vizitën, në të dalë do të gjeni restorante me gatime tradicionale e çmime mjaft të mira. Përndryshe, mund të zbrisni sërish në Mangalem, ku ka disa vende të njohura për gatim të shijshëm, si psh restorant “Mangalemi“.

Hotel & Restorant Mangalemi-Tomi. Foto nga IntoAlbania.

Nëse do zbrisni në Mangalem për drekën, mos harroni të ndaloni tek Muzeu Etnografik më përpara, që të mos ju duhet të ringjisni sërish kodrën. Muzeu ofron një tur në objektet dhe veshjet tradicionale të qytetit ndër shekuj.

Muzeu Etnografik i Beratit, foto nga IntoAlbania.

Pasdite

Bëni një shëtitje përgjatë Shëtitores Osumi, dhe ndaloni tek Hotel Turizmi, ku ju duhet të provoni ëmbëlsirën Mont Blanc. Këtu ëmbëlsira që është krijuar më së pari në Itali është aq e shijshme sa të ngjan sikur është tradicionale e Beratit.

Ndiqni lumin deri tek Ura e Goricës, një nga monumentet më të rëndësishëm të qytetit, që i përket shekullit të 18. Ura ka një gjatësi prej 129 metrash. Pasi të përshkoni urën, do të gjendeni në lagjen e Goricës, e cila është gjithashtu mjaft intime për t’u vizituar.

Ura e Goricës, foto nga IntoAlbania.

Darka

Për darkë, mund të qëndroni tek Bar-Restorant “Antigoni” , i cili ofron një pamje vërtet sugjestive të Mangalemit e kodrës së Beratit. Kudo ku të uleni mos harroni të provoni taboshin, një nga ëmbëlsirat tradicionale të qytetit që gatuhet në mënyrë speciale. Nëse doni të riktheheni në zonën e Mangalemit, “Wildor” është gjithashtu një emër mjaft i njohur për ushqimet tradicionale apo ato italiane.

Sugjerim: Nëse doni të zbuloni qytetin përmes ndihmës së një  guide të çertifikuar lokale, kontaktoni në facebook me Miklor Paskun. Miklori ju mundëson të vizitoni dhe kisha të cilat zakonisht janë të mbyllura, po mund të hapen për grupe të vogla apo vizitorët që kanë interes.

Bujtina: Nëse doni të njiheni me bujtinat më tradicionale, kliko këtu.

New & Trending

Choose a