24 orë në Fier - Into Albania

24 orë në Fier

Ku ka më mirë se ndërthurja e civilizimeve të hershme, si Bylisi apo Apolonia, me bukuritë e shumta natyrore të Fierit? Nëse e gjeni veten në këtë qytet, më poshtë janë sugjerimet tona për të shijuar sa më shumë nga kjo zonë e pasur në një kohë të kufizuar.

Mëngjesi

Për kafen e mëngjesit, ndaloni në pedonalen e qytetit, tek “Pastiçeri Rustemi” një ndër pastiçeritë më të vjetra ku shija ndërthuret me traditën. Pas kësaj, ju mund ta nisni turin në Fier me vizitën tek Muzeun Historik i qytetit. Ky muze në strukturën kryesore të tij ka 70% objekte origjinale arkeologjike. Në të gjithashtu përfshihet pavioni para dhe pas shpalljes së pavarësisë deri në vitin 1939 dhe seksioni etnografik, si dhe objekte të përdorimit të përditshëm.

Muzeu Historik Fier, Burimi: wikimapia.org

Mesdita

Rrënjët dhe historinë e këtij qyteti mund t’i zbuloni vetëm 12 km larg, në qytetin antik të Apolonisë. Apolonia është parku arkeologjik më i madh i vendit! I ndërtuar në tokat e Taulantëve Ilirë nga kolonizatorë grekë, qyteti konsiderohet si më i rëndësishmi nga mbi 20 qytetet në të gjithë Mesdheun që merrnin emrin e perëndisë së muzikës dhe poezisë, Apolon. Me interes të madh për vizitorin në Apoloni janë monumentet si: Odeoni, Biblioteka, Muri Rrethues, Portiku, Vila Romake me mozaikë, Muzeu Arkeologjik, si dhe Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Apolonisë, foto nga IntoAlbania.

 Dreka

Pasi keni soditur rrënjët tona historike, mund të përfitoni nga mundësia dhe të vizitoni Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, i cili ndodhet një orë e 20 minuta larg Apolonisë. Drekën mund ta konsumoni në restorantet e zonës si tek “Divjaka Fish Restorant”, apo “Berti Malko”, ku mund të shijoni ushqimet kryesisht me bazë peshku. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta  i përbërë nga katër laguna, ai kufizohet nga Lumi Shkumbin në veri e Semani në jug.

Foto dhuruar nga Arian Mavriqi

Gjithashtu, pozicionimi mes kodrave të Divjakës në lindje dhe detit Adriatik në perëndim, e ka pasuruar parkun me një larmi speciesh.  Disa prej tyre janë rosa e egër, lauresha, shqiponja e detit, lejlekët, e ku sigurisht emblema e këtij parku është, pelikani kaçurrel që bën pjesë dhe në listën e shpendëve në ruajtje.

Foto dhuruar nga Arian Mavriqi

Nëse keni kohë dhe jeni te apasionuar pas kishave të vjetra, vetëm 27 km larg ndodhet dhe një ndër kultet më të bukura, kisha e Shën Thanasit e cila daton në  gjysmën e dytë  të  shekullit XVII. Tavani i kësaj kishe është i punuar me dru halorë, i gruntuar dhe i dekoruar me motive florale dhe kryesisht në rozetat kryesore është pikturuar me finesë figura e Krishtit. Realizimet këto të krijuar me mjeshtëri nga piktorët grabovarë Ҫetirët, Gjergj dhe Joan Katro.

Pasdreke

Pasi keni konsumuar drekën dhe jeni relaksuar me pamjen qetësuese të parkut Divjakë-Karavasta, ne ju sugjerojmë të vizitoni Ardenicën, e cila është vetëm një orë larg më makinë. I vendosur në pikën më të lartë të kodrave të fshatit me të njëjtin emër, manastiri i Ardenicës që në krye të herës ka shërbyer jo vetëm si objekt kulti, por edhe si han e shkollë. Ja vlen të përmendet edhe fakti se në brendësi të manastirit ndodhej një ndër biblotekat më të mëdha në Ballkan dhe shumë  priftërinj nga shtete të  ndryshme vinin këtu për të thelluar leximet e tyre, gjatë periudhës XVII-XVIII. Ndër faktet më interesante historike të këtij manastiri është dhe kurorëzimi në martesë të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, me Donikën në altarin e këtij manastiri në kapelën e Shën Triadhës.

Manastiri i Ardenicës, foto nga IntoAlbania

Darka

Orët e darkës mund t’i konsumoni duke shijuar ushqimet e shijshme të zonës në Bar Restorant “Liqeni” i cili është vetëm 10 min larg me makinë nga qendra e qyteti, ose dhe tek “Qilari i Vjetër”, i cili ndodhet pranë Sheshit Pavarësia në qendër të Fierit. Rrethi i Fierit njihet për gatimet si rosnica me zog apo byrekun me kokë qingji, ndërkohë ëmbëlsirat më të mira të zonës janë revania apo ëmbëlsira me misër.

Pulë me rosnica, Burimi: Receta gatimi nga Lida

Sugjerime të tjera që ne ju rekomandojmë për të vizituar në rrethin e Fierit janë, Parku Arkeologjik i Bylisit dhe gjatë sezonit të verës, plazhet e rrethit të Fierit, siç janë Plazhi i Semanit, Divjakës dhe Darzezës.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Bylisit, Burimi: findit.al

 

 

New & Trending

Choose a