24 orë në Gjirokastër - Into Albania

24 orë në Gjirokastër

Qyteti i njohur dhe si Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, është një nga vendet më interesante për t’u vizituar në Shqipëri. Nëse jeni të apasionuar pas historisë, natyrës, apo kuzhinës tradicionale shqiptare, këtu do i gjeni të gjitha. Më poshtë po ju organizojmë qëndrimin aty duke ju listuar vendet që duhet patjetër të vizitoni përgjatë një dite.

Mëngjesi

Niseni mëngjesin me një kafe të shijshme në një nga rrugicat me kalldrëm të qytetit të vjetër, apo me petulla me djath, apo të tjera gatime mëngjesi që këtu bëhen plot shije. Si një qytet muze plot me hotele e shtëpi pritëse, thuajse pjesa dërrmuese e vendqendrimeve në Gjirokastër mëngjesin e kanë tradicional, ndaj mos e humbisni për asnjë arsye. Vende të sugjeruara nga ne: Hotel Kalemi  dhe Hotel Kalemi 2, Hotel Kodra, Hotel Gjirokastra.

Pas mëngjesit

Pasi të keni mbledhur forcat, destinacioni i parë për t’u vizituar është Kalaja e Gjirokastrës. Ajo shtrihet në gjithë hapësirën e kodrës 336 metra të lartë, mbi të cilën u ndërtua gjatë viteve 1300. Forca e historisë dhe legjendës së saj kanë mbijetuar në vite e, tashmë, ajo mbahet si një nga aktraksionet turistike më të vizituara të Shqipërisë. E gdhendur në gur, kalaja njihet dhe si kalaja “Argjiro”, duke ju referuar legjendës së princeshës e cila u hodh nga lartësitë e kështjellës për të mos rënë në duart e armikut osman.

Castle of Gjirokastra

Kalaja e Gjirokastrës, foto nga IntoAlbania.

Mesdita

Vizita në kala do ju marrë jo pak kohë, pasi dhe rrugëtimi për aty është plot me peizazhe që do ju bëjnë të ndaloni për të shkrepur ndonjë foto. Pasi të keni mbaruar me kalanë, zbrisni në qytetin e vjetër, dhe nisni turin e shtëpive karakteristike të qytetit.

Shtëpia e Zekatëve

Disi e mbështetur në shpatin malor, me çati si kapele tekanjoze, lëshon hije Shtëpia e Zekatëve. Ndërtesa konsiderohet si shembulli më i mirë i kullës tipike otomane. Ajo ka një kat të poshtëm, ndërtuar detyrimisht prej guri për arsye sigurie, dhe në katet më të larta janë vendosur dhomat kryesore për familjen. Shtëpia është ndërtuar në fillim të 1800-ës dhe muret rrethuese të dhomës kryesore janë të dekoruar me afreske, ndërsa tavanët janë prej druri të gdhendur dhe oxhakët të zbukuruar.

Zekate House

Shtëpia e Zekatëve, foto nga Intoalbania.

Shtëpia e Skëndulatëve

Kjo është një tjetër shtëpi mjaft e njohur e qytetit, dhe është më shumë se 250 vjeçare. Ndërtesa e lartë mbahet nga themele guri që arrijnë dritaret e katit të parë. Shtëpia e veçantë ka 9 oxhaqe dhe tavanë të punuar me finese, reflektues të statusit të kamur të familjes.

Shtëpia e Skëndulatëve, foto nga IntoAlbania.

Dreka

Për drekë mund të ndaloni te Qafa e Pazarit, ku ndodhen plot restorante tradicionale mjaft të shijshme me cmime mjaft të mira.

Gjirokastra Bazaar

Qafa e Pazarit, foto nga IntoAlbania.

Pas dreke

Pas dreke, mund të vizitoni Muzeun Etnografik, i krijuar në ambjentet e shtëpisë së fëmijërisë të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha. Ndërtuar në shekullin e XIX-të, ndërtimi tre katësh me një shtesë si kapelë ndodhet në lagjen “Palorto” shumë pranë “Sokakut të të marrëve”.

Muzeu Etnografik, foto nga IntoAlbania.

Pasdite

Jo shumë larg Muzeut Etnografik, ndodhet dhe Shtëpia-Muze e Ismail Kadaresë. Kjo shtëpi mbart vlera jo vetëm si një nga shtëpitë më të vjetra e më mbresëlënëse të qytetit, por edhe për faktin se aty lindi e jetoi shkrimtari shqiptar i mirënjohur në të gjithë botën, kandidati i çmimit Nobel për letërsi, Ismail Kadare. Për ta shijuar plotësisht vizitën këtu, sigurohuni të keni lexuar paraprakisht dhe librin e njohur “Kronikë në gur”, të shkruar nga Kadare në homazh të kujtimeve të tij nga kjo shtëpi e nga ky qytet.

Shtëpia-muze e Ismail Kadaresë, foto nga IntoAlbania.

Një pjesë të pasdites mund t’ia dedikoni dhe liqenit të Viroit, që ndodhet vetëm 3 kilometra larg Gjirokastrës. Peizazhet fantastike natyrore dhe shëtitorja që lidh qytetin me parkun, ka bërë që të jetë një nga vendet më të populluara përgjatë pasdites nga gjirokastritët.

Liqeni i Viroit, foto nga IntoAlbania.

Mbrëmje

Rikthehuni te Qafa e Pazarit, dhe njihuni me artizanët e Gjirokastrës. Ky qytet është i famshëm për gurgdhendësit, mjeshtërit e drurit, apo qëndistarët që respektojnë traditën familjare. Dyqanet e suvenireve janë gjithashtu të populluara nga turistët që duan ta mbyllin vizitën e tyre me një suvenir tipik nga ky qytet.

Vjollca Mezini

Foto nga IntoAlbania.

Sugjerime të tjera

Përreth Gjirokastrës ndodhen disa nga atraksionet më të njohura arkeologjike të Shqipërisë.

Antigonea

Parku Arkeologjik i Antigonesë është qyteti i themeluar nga mbreti Pirro i Epirit, rrënojat e të cilit gjenden rreth 40 minuta me makinë larg nga Gjirokastra. Prijësi e ndërtoi qytetin e lashtë në nderim të gruas së tij që mbante emrin Antigonea.

Archaeological Park of Antigonea

Parku Arkeologjik i Antigonesë, foto nga IntoAlbania.

Adrianopoli

Ky qytet i periudhës romake ndodhet në luginën e lumit Drino, pranë pranë fshatit Sofratikë, dhe duhen vetëm pak kilometra nga qendra e Gjirokastrës që të mbërrish në destinacion. Teatri i Adrianopolit është pjesë e Parkut Arkeologjik të Antigonesë dhë konsiderohet një nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

 

 

 

New & Trending

Choose a