24 orë në Korçë - Into Albania

24 orë në Korçë

Nuk ka rëndësi stina e vitit në të cilën ndodheni, pasi çdo kohë është e duhura për të shpenzuar 24 orë në Korçë! Nëse gjatë dimrit dëbora vesh rrugicat e këndshme, gjatë pranverës shëtitjet në pedonale e kafenetë plot me turistë kanë një tjetër shije. Por cilat janë vendet për të vizituar, nëse keni vetëm një ditë kohë e doni t’i merrni më të mirën qytetit?

Mëngjesi

Niseni ditën me një kafe rreth Pazarit të Vjetër, ku do të merrni që në fillim ndjesinë e të qenurit pjesë e Korçës. Që pas restaurimit të Pazarit, kjo zonë është kthyer në zemrën e vërtetë të qytetit, dhe është plot me njerëz gjatë gjithë ditës. Disa nga vendet më të njohura të Pazarit janë Cozy Tea , apo Qoshka e Komitetit, një kafe – muze ku reflektohet e shkuara komuniste e vendit në çdo detaj.

Vazhdoni turin e pazarit nëse doni të blini ndonjë suvenir, apo të njiheni më tepër me atmosferën e këndshme të kësaj pjese të Korçës.

Pazari i Vjetër në Korçë, foto nga IntoAlbania

Mesdita

Bulevardi Republika të shpie drejt disa prej objekteve më të rëndësishme të qytetit, si Katedralja Ringjallja e Krishtit. Shumë pranë katedrales mund të vizitoni Mësonjëtoren, shkollën e parë shqiptare, e cila u hap më 7 mars të 1887-ës. Që prej atij viti, kjo datë festohet në të gjithë vendin, e ndoshta ky do të ishte momenti i duhur për të hyrë në atë shtëpi të vogël por me rëndësi të madhe për historinë e Shqipërisë. Nëse doni të lexoni më tepër për Mësonjëtoren kliko artikullin tonë të zgjeruar këtu.

Museum of the First Albanian School, Korça Promenade

Shkolla e Parë Shqipe (Mësonjëtorja), Korçë, foto nga IntoAlbania

Pasi të keni vizituar Mësonjëtoren, mund të ndaloni dhe tek Muzeu Gjon Mili i hapur muajt e fundit, ku janë ekspozuar rreth 240 fotografi të artistit të njohur botëror me origjinë shqiptare Gjon Mili.

Muzeu Gjon Mili, foto nga IntoAlbania.

Nëse do të përshkoni Bulevardin Republika deri në fund, do të gjendeni tek Parku Rinia, që është dhe mushkëria e qytetit. Ky është vendi i duhur për ata që duan të relaksohen e të shijojnë qetësinë e natyrës, apo edhe për ata që masin hapat me ndonjë aplikacion në celular, e duan të shtojnë aktivitetin ditor.

Parku “Rinia”, foto nga IntoAlbania.

Dreka

Ushqimi është padyshim një nga arsyet se përse ky qytet thërret gjithnjë e më shumë turistë. Të shumta janë vendet ku mund të provosh pjata të shkëlqyera, tradicionale apo nga kuzhina e huaj, me çmime të favorshme.

Lakrori i shijshëm është simboli i kuzhinës korçare, dhe askund më mirë se sa te Taverna Vasili nuk do të mund ta vërtetoni këtë! Mund t’i telefononi dhe më përpara që të siguroheni se lakrori do të jetë i ngrohtë e gati duke ju pritur sapo të mbërrini! Tel: +355 82 246 610.

Lakror, simboli i kuzhinës Korçare, foto nga IntoAlbania

Pasdite

Pasditja është mjaft e qetë dhe poetike, ndaj mund ta shfrytëzoni për të shëtitur në Pedonalen e qytetit (blv. Shën Gjergji), si dhe të vizitoni Kullën Panoramike, e njohur dhe si Red Tower, që ndodhet në fund të pedonales. Një tjetër vend ku mund të pushoni e shijoni pamjen e Korçës është dhe Silver Center, në të majtë të Katedrales Ringjallja e Krishtit.

Pasditja mund të mbyllet me një vizitë në Muzeun e Artit Mesjetar, një nga muzetë më interesantë të artit mesjetar në Ballkan. Një tjetër muze për të apasionuarit e artit oriental është dhe Muzeu Oriental Bratko.

Pedonalja e Korçës, foto nga IntoAlbania

Mbrëmja

Një nga vendet më elegante e luksoze të qytetit ku mund të shkoni si për një darkë plot finesë apo pije në orët e vona është Avenue 55 Bar, pjesë e Life Gallery Hotel. (blv. Republika)

Ndërkohë nëse do të ndiqnim votat e publikut, në vend të parë në listën e restoranteve apo bareve në Korçë për t’u vizituar në Tripadvisor është FindFour. (blv. Republika)

Vila Cofiel ofron një menu dhe ambjent tradicional të kuruar në çdo detaj, ku nuk mungojnë performancat live të serenadave të famshme të qytetit. (blv. Fan Noli)

Për të mos u humbur është dhe Vila Themistokli, që respekton më së miri vlerat dhe kulturën e vjetër të qytetit duke i ndërthurur ato me një atmosferë po aq të ngrohtë e mikpritëse sa edhe moderne.

E nëse doni të qëndroni më shumë në Korçë, mos harroni se përreth qytetit ndodhen disa nga fshatrat më të bukur të Shqipërisë. Lexo për më tepër artikullin tonë duke klikuar këtu.

Bari Avenue 55, Korçë, Burimi: lifegallery.al

New & Trending

Choose a