24 orë në Sarandë - Into Albania

24 orë në Sarandë

Qyteti i fundit bregdetar i Shqipërisë është i njohur për rrënojat antike, plazhet fantastike dhe restorantet e shijshme. Më poshtë po ju paraqesim itinerarin që duhet të ndiqni në Sarandë nëse keni vetëm 24 orë në dispozicion. 

Nga një port i vogël ku ankorohen edhe kryqëzorë, mijëra sy kureshtarë derdhin veshtrimet mbi kodrat e qytetit të Sarandës. Aty kacavirren shtëpitë, hotelet, bimësia e egër dhe shumëngjyrëshe, rrugët gjysëm urbane dhe lokalet e rregulluara vetëm për turizëm. Saranda është qyteti ku mbaron Riviera shqiptare, aty ndahet kufiri ujor me Greqinë, me një popullsi prej 38 mijë banorësh që trefishohet gjatë muajve të ngrohtë të vitit.

Mëngjes

Pas një mëngjesi kalorik dhe të nevojshëm në vendin më të njohur në qytet, Bar Restorant Limanit, në shëtitoren kryesore, dita është para jush dhe alternativat për të vizituar Sarandën janë të shumta. Niseni udhëtimin tuaj në drejtim të Butrintit të lashtë. Qyteti është në mbrojtjen e Unesco-s si dëshmi e kulturës dhe historisë së Mesdheut, që këtu takohet si në pak vende të tjera. Butrinti bart gjurmë mbresëlënse të qytetërimeve antike deri në periudhën bizantine.

Teatri i shekullit të IV para Krishtit, skena e tij, statujat dhe objektet e zbuluara ndër vite, do t’ju lënë pa fjalë kur të vizitoni kodrinën e bukur që fshihet rrëzë ujërave. Për të gjithë të interesuarit, ka dhe një linjë autobusi Sarandë-Butrint, që niset çdo 30 minuta nga Sheshi Nënë Tereza, në qendër të Sarandës. Bileta kushton vetëm 100 ALL.

Butrint

Parku Kombëtar i Butrintit, Sarandë, foto nga IntoAlbania.

Nëse ja dilni të shikoni shpejt Butrintit, mund të merrni në konsideratë dhe një vizitë në Syrin e Kaltër, një nga mrekullitë natyrore të Shqipërisë. Edhe pse distanca nga Saranda për në këtë destinacion është rreth 30 minuta me makinë, ja vlen vërtet të shpenzoni pak kohë në atë oaz paqeje, gjelbërimi e kaltërsie.

Syri i Kaltër, Sarandë, foto nga IntoAlbania.

Dreka

Vizita në Butrint dhe Syrin e Kaltër duhet t’ju kenë lodhur goxha, ndaj me siguri tani uria është duke bërë te vetën. Në kthim mund të ndaloni për shpejtësi tek restorant “Harmonia“. Nëse doni të zbrisni brenda në qytet, atëhere do të gjeni disa restorante me menu të shkëlqyer mesdhetare. Mu në fund të shëtitores do te gjeni restorant “Gërthëla“, që është dhe emri i preferuar nga vendasit për kuzhinën e mirë e çmimet mëse të favorshme. Pranë saj ndodhet dhe “Mare Nostrum“apo restorant “La Petite“, të cilat njihen dhe për pjatat e sofistikuara të peshkut.

Mare Nostrum. burimi i fotos: facebook.com.

Pasdite

Gjatë verës, Saranda njihet për plazhet e shumta. Për adhuruesit e detit padyshim që në verë dita do të niste në Ksamil apo ndonjë nga plazhet përreth, e pasditja do të ishte momenti i duhur për t’u njohur me antikitetin. Në stinët e tjera sidoqoftë një shëtitje anës detit sërish është mjaft relaksuese, e do ju inspirojë sipas gjasave të doni të vizitoni këtë vend edhe në sezonin e plazhit.

Ishujt e Ksamilit në Sarandë, foto nga IntoAlbania.

Një vizitë e shpejtë në Manastirin e 40 Shenjtorëve

Nëse doni të njiheni me historinë e emrit të qytetit, dhe një prej monumenteve më të rëndësishëm të Sarandës, atëhere mund të bëni një ndalesë të shpejtë në rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve, që ndodhen në lindje të qytetit. Në objektin e kultit ruhen kolonat, dritaret, pllaka të zbukuruara dhe trarë guri. Kisha i përket shekullit të XV por është prekur me kalimin e kohës si rezultat i jetesës njerëzore.

Manastiri i 40 Shenjtorëve, foto nga IntoAlbania.

Perëndimi dhe darka

Vetëm 3-4 km larg qendrës së qytetit ndodhet Kalaja e Lëkurësit, që daton në shekullin e XVI. I gjithë pozicioni i kalasë është strategjik sepse një herë e një kohë ruante kodrinën nga lëvizjet në det. Kur të jeni mbi Lëkurës do të ndiqni me sy perëndimet mahnitëse mbi detin Jon, si dhe do të shihni se si dritat ndizen një pas një në qytet. Ja vlen të qëndroni në kala edhe për darkën, pasi restoranti ofron një menu të pasur e ambjenti është tejet romantik.

Perëndim në Kalanë e Lëkurësit, Sarandë. Autorësia: Egzon Bytyqi, instagram.com/egzonbytyqiphoto.

Nëse doni të riktheheni në qytet, një alternativë e re mjaft në modë është restoranti “Andon Lapa“,me një menu e ambjent mjaft të rafinuar. Një shëtitje në pedonale do të ishte mënyra e duhur për të mbyllur ditën duke u njohur me ritmin e qytetit.

 

New & Trending

Choose a