24 orë në Shkodër - Into Albania

24 orë në Shkodër

Në një qytet që duket se i ka vërtet të gjitha, historinë, natyrën, kulturën, si mund të organizohet vizita nëse keni vetëm një ditë në dispozicion? Më poshtë po ju paraqesim vendet që nuk duhet të humbisni!

Mëngjes

Nise ditën në Pedonalen e qytetit (Rruga Kol Idromeno), që konservon më së miri shpirtin e vjetër të Shkodrës, falë vilave elegante të kthyera në bar – kafe tradicionale e moderne. Të gjitha lokalet e Pedonales kanë veçantinë e tyre, ndaj zgjidh atë që të frymëzon më tepër.

Në Pedonale ndodhet dhe Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, një nga muzetë më të rinj e njëherësh më të vizituar të vendit, që mban në arkivin e tij rreth 400 mijë negativë në pllaka xhami. Muzeu shfaq disa nga fotografitë simbol të shekullit të XIX dhe XX shqiptar, ndaj nuk duhet ta humbasësh.

Muzeu Marubi, Shkodër, foto nga IntoAlbania

Mesditë

Një nga simbolet e qytetit është Kalaja e Shkodrës, e cila njihet për legjendën e saj të famshme sipas të cilës për të qëndruar në këmbë u desh të murosej gruaja e njërit prej tre vëllezërve që po ndërtonin muret e saj,  ndaj njihet dhe si Kalaja e Rozafës. Kalaja me rrënojat antike e mesjetare, si dhe pamjet e mrekullueshme të Liqenit të Shkodrës e tre lumenjve që takohen me njëri tjetrin, meritojnë padiskutim vëmendjen tuaj. Kur të jeni në hyrje të Kalasë, në të majtë mos humbisni pamjen që ofrojnë lumenjtë e qytetit me Xhaminë e Plumbit (1773) dhe kupolat e bukura.

Castle of Rozafa

Kalaja e Rozafës, Shkodër, foto nga IntoAlbania

Dreka

Është koha jo vetëm për të pushuar pak, por për t’u njohur me traditën e pasur gastronomike të zonës. Nëse do të shijosh pjatat tipike shqiptare të gatuara në mënyrë të shkëlqyer e me produkte bio, vizitoni Restorant Tradita Geg & Tosk. (Për hartën e restorantit kliko këtu)

Nëse gjendesh afër Pedonales, mund të vizitosh Restorant Elita, që është votuar gjerësisht nga populli i internetit si restoranti më i mirë në qytet.

Pasdreke

Vendos në hartë Urën e Mesit, që ndodhet jo shumë larg qytetit (5 km). Ura daton që në shek. XVIII, dhe harqet interesante e uji i kristaltë i lumit Kir janë vërtetë për të mos u humbur.

The Mesi Bridge

Ura e Mesit, Shkodër, foto nga IntoAlbania

Është momenti i duhur për të shijuar Liqenin e Shkodrës, liqeni më i madh në Ballkan! Përgjatë zonës së Shirokës apo Zogajt, panorama që ofrohet është spektakolare, falë dhe shpendëve të shumtë që popullojnë liqenin gjatë gjithë vitit, si dhe maleve që përqafojnë peizazhin. Anës liqenit do të gjeni disa lokale të kendshëm ku mund të shijoni ajrin e freskët.

Shirokë, Liqeni i Shkodrës, foto nga IntoAlbania

Mbrëmja

Nëse jeni duke kërkuar një restorant modern, ku mbizotërojnë pjatat e pastave, Pasta e Vino ndodhet shumë pranë Pedonales. Prenotoni një tavolinën para se të shkoni në numrin e tel: +355 69 724 3751. Pasi të keni mbaruar darkën, është ndoshta momenti i duhur për t’u rikthyer aty ku nisët ditën, në Pedonalen e qytetit, pasi këtu ndodhen disa nga baret më në modë për të kaluar mbrëmjen. Jo shumë larg Pedonales, një tjetër vend me birra të ftohta e ambient të veçantë është Delja e Zezë.

Sugjerime të tjera:

Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, kushtuar krimeve të komunizmit dhe kujtesës të së shkuarës, mund të shikohet në tërësi për një ore, por është goditës dhe nuk harrohet lehtë. Shkodra njihet edhe si “Qyteti i Biçikletave.” Nëse doni të merrni një biçikletë me qera apo të bëheni pjesë e tureve përkatëse kliko këtu.

Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës, Shkodër, foto nga IntoAlbania

New & Trending

Choose a