48 orë në Tiranë - Ku të shkosh dhe çfarë të bësh - Into Albania

48 orë në Tiranë – Ku të shkosh dhe çfarë të bësh

Ke vetëm dy ditë në dispozicion në Tiranë dhe nuk di si t’i organizosh? Të duken shumë dy ditë të tëra vetëm për një qytet? Të duken pak për t’a njohur si duhet? Mos u shqetëso! Më poshtë, po të servirim një listë të plotë të gjërave që duhet të dish për të kaluar dy ditë në shoqërinë e Tiranës, apo më mirë akoma, që qyteti t’i kalojë në shoqërinë tënde.

Dita 1

Mëngjes

Nëse fluturimi i një nate më parë ju ka hequr dëshirën për të lëvizur, atëhere ke disa bar-kafe ku mund të shijosh zgjimin e avashtë me ritmin tipik ballkanas. Nuk ka rëndësi të dimë vendndodhjen tënde. Në çdo qoshe të Tiranës, do gjesh një bar-kafe tipike ku serviret kafja e mëngjesit, me kosto të ulët e ritëm që është krejt e kundërta e Starbucks-ave.

Kafe – Muze Komiteti

Shënoje këtë bar, jo vetëm për kafen e mëngjesit, por edhe për ambjentin që i ngjan një muzeu meqë orenditë janë të gjitha nga periudha komuniste. (Për hartën kliko këtu)

Espresso?

Nëse nuk ndahesh dot nga një espresso italiane, në zemër të ish-Bllokut, Cioccolati Italiani është nga më të njohurit në këtë drejtim, ku mund të shijoni dhe akulloren më të mire në qytet. Do të preferoje më tepër një briosh francez? Në po të njëjtën rrugë, kërko Pastiçerinë Franceze, dhe zëre se u katapultove menjëherë në Francë.

Ki parasysh gjithashtu rregullin se kudo ku ka kulla të larta, ka dhe bar-kafe elegante, moderne e pak më të shtrenjta së kafet e lagjes.

Café-Museum Committee

Kafe-Muze “Komiteti”. Photo by IntoAlbania.

Mesdita

Ky është momenti kur ndoshta pak histori – kulturë – art mund të zbulohej me kënaqësi. Ne do sugjeronim si për ditë të parë diçka jo fort impenjative, por njëherësh interesante.

Galeria Kombëtare e Arteve

Një shëtitje në Bulevardin kryesor të qytetit, do ju çojë tek Galeria Kombëtare, ku janë shpalosur disa nga kryeveprat e artit pamor shqiptar. Me interes janë pikturat e periudhës së soc-realizmit, ku për gjysëm shekulli tematika që mbizotëronte ishte ajo e njeriut të ri socialist, që do duhej të lartohej në çdo formë. Kur të jeni aty, ndaloni tek Epika e Yjeve të Mëngjesite Edison Gjergos. Ajo çka e bën unike këtë kryevepër, është guximi i piktorit për të thyer skemat, e për të parashikuar një ditë të re për Shqipërinë, që në kohën kur ai pikturoi dukej ende e largët. Ngjyrat, stili, dhe tematika ku mbizotëron nostalgjia për një ditë që ende nuk ka ardhur, do ju bëjë të kuptoni përse kjo pikturë nuk u lejua kurrë të shfaqej për publikun gjatë komunizmit!

Reja e Fujimotos

Mu përballë Galerisë, ndodhet dhe Reja e Fujimotos, një instalacion modern që përpara se të vinte në Tiranë ka shëtitur në disa prej kreyqyteteve të botës. Hidhini një sy apo bëni një foto në smartphone, pasi është fiks për instagram!

National Gallery of Arts

Galeria Kombëtare dhe Reja e Fujimotos. Foto nga IntoAlbania.

Një shëtitje në Pedonale

Sapo të keni mbaruar vizitën te Galeria, merrni në të djathtën tuaj, e vazhdoni shëtitjen përgjatë Pedonales. Kjo është një nga zonat më të rrahura të qytetit, një zonë pa makina dhe e rrethuar me gjelbërim ku mund të shëtitësh qetësisht e të ulesh në hapësirën e gjelbërt përballë kinemasë Millennium.

Koha e drekës

Nëse artikulli ynë i zgjeruar mbi restorantet nuk të ndihmon se ku të hash drekë, atëhere po përpiqemi të të lehtësojmë zgjedhjen duke menduar që ke ndjekur itinerarin e mësipërm.

10 minuta larg me këmbë nga Pedonalja, ndodhet restorant Oda, ku ushqimet tipike shqiptare vijnë me një standard shumë të lartë e çmime mjaft të mira. Nëse kërkoni diçka të rafinuar, pa u larguar nga Pedonalja do të gjeni Millennium, një nga restorantet më të shijshëm e cilësor të Tiranës, ku pjatat e justifikojnë totalisht çmimin.

Pasdite

Para se të kthehesh në hotel, bëj një shëtitje nga Pazari i Ri, zona që ka pësuar transformimin më të madh të qytetit vitet e fundit. Një shesh i zhurmshëm e plot ngjyra, ku do të gjesh një qytet të vogël brenda qytetit. Bare, kafe, restorante e plot hapësira interesante që ja vlen t’i shohësh.

New Bazaar

Nëse gjendesh në Pazarin e Ri apo diku tjetër në Tiranë, kthehu për në Sheshin “Skënderbej”, në mënyrë që të njihesh me sheshin e rihapur vetëm para pak muajsh. Disa prej godinave më të rëndësishme e më të vjetra të Tiranës ndodhen pikërisht këtu (si Sahati apo Xhamia), ndaj nuk mund të mos kaloni një copë kohë në Sheshin “Skënderbej”.

Duke lënë pas Sheshin, drejtohu për tek Sky Tower. Në majë të godinës, ndodhet një bar lëvizës që të jep një pamje 360 gradë të qytetit, me të gjithë kaosin, gjelbërimin, rrëmujën e poeticitetin që e karakterizojë.

Për një shëtitje të këndshme, mund të shkoni te Central Park-u i qytetit, Liqeni Artificial i Tiranës, që ndodhet vetëm 10 minuta larg nga Bulevardi Zogu I. Një qetësi e këndshme dhe një gjelbërim shlodhës do ju rigjenerojë plotësisht!

Skanderbeg Square

Mbrëmja

Tirana mbahet si kryeqyteti me më shumë bare e restorante për frymë në Evropë, ndaj edhe në mbrëmje do të kesh vetëm luksin e zgjedhjes. Në ditën e parë ne do të sugjeronim të përqëndroheshe përreth zonës së ish-Bllokut, si zona më e famshme e qytetit për jetën e natës.

Nëse je në kërkim të një restoranti me ushqim të mirë tradicional e çmime të mira, Restorant Era është një emër mjaft i njohur i ish-Bllokut. Për ata që duan diçka më të rafinuar e ambient komod, vjen Il Gusto, pranë Kullave Binjake.

Falë disa lokaleve mjaft moderne, mund të kombinosh ushqimin me pijen në mënyrën më të mirë të mundshme.

Emrat për të patur në konsideratë: Salt dhe +39.

Ndërkohë, nëse doni të bëni një tur të bareve më në modë, ndaloni tek Radio – Bar, TribeccaNouvelle Vague, Pepper, si dhe Dada (nga maji deri në shtator ka verandën më të bukur).

Nëse pas një dite kaq të gjatë doni sërish të shëtitni në qytet, blini ndonjë pije në dyqanet e lagjeve që janë 24 orë hapur, dhe shkoni në Sheshin Nënë Tereza, ku do të shihni se është vendi i duhur për të mbyllur mbrëmjen në qetësi.

Dada Bar

Dita 2

Mëngjesi

Një shëtitje me teleferik për në Malin e Dajtit do ju mundësonte të kaloni një paradite nën tingujt e natyrës dhe ngjyrat e mrekullueshme të saj. Dy linjat e autobusit që ju shpien në stacionin e teleferikut që duhet të merrni për të ikur në Dajt janë Qendër – Porcelan dhe Kombinat – Kinostudio. Për më tepër vizitoni adresën zyrtare duke klikuar këtu.

Lëvizjet mund t’i bëni edhe me taksi, pasi kushtojnë relativisht lirë dhe gjenden në çdo kthinë të qytetit.

Dajti Mountain

Mesditë

Sapo të ktheheni nga teleferiku, bëni një ndalesë tek Bunk’Art 1, një nga muzetë më të rinj e njëherësh më interesantë të qytetit. I projektuar si një bunker antibërthamor, sot është një muze i vizitueshëm nga të gjithë, dhe është vendi i duhur për t’u njohur me diktaturën që vazhdoi për gjysëm shekulli. (Për më tepër mbi muzeun kliko këtu)

BunkArt 1

Dreka

Për ditën e dytë, po ju japim tre mundësi zgjedhjeje të cilat janë njëra më e mirë se tjetra!

Mullixhiu. Gazetat ndërkombëtare kanë shkruar pafund për këtë emër, si një nga restorantet më të mira jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Nëse doni të zbuloni kuzhinën tradicionale shqiptare të ardhur me një prekje tërësisht moderne, ky është emri për t’u shënuar. Nëse doni të njiheni më çmimet, janë të gjitha të publikuara online.
Tëduktu. Muzika jazz apo kolona zanore e ndonjë filmi indie, pjatat e studiuara me ushqim të shëndetshëm e cilësor dhe arredimi kontemporan, e bëjnë këtë emër një nga vendet më interesantë që mund të vizitoni nëse doni të shihni Tiranën që ecën me ritmin e kohës.
Vila Era dhe Vila Artigiano. Vilat kanë ushqim sa tradicional aq edhe modern, me ambjent ftues e çmime të mira. Ndodhen të dyja në të njëjtën rrugë.

Pasdite

Përmes një shëtitje mund të riktheheni në Sheshin Skënderbej, e t’i kushtoni kohë Muzeut Historik Kombëtar. Mund të ngjajë disi jashtë mode, por është vërtet muzeu më i rëndësishëm i vendit, dhe disa prej objekteve më mbresëlënëse të zbuluara në Shqipëri gjenden pikërisht këtu. Për t’u patur në vëmendje: Dea e Butrintit, Epitafi i Gllavenicës, dhe Bukuroshja e Durrësit.

The National Hictorical Museum - Tiranë

Bëni një shëtitje në Bulevardin kryesor, dhe ndaluni te Piramida. Ndërtesa është një nga veprat më të njohura të ndërtuara gjatë sistemit komunist, e u projektua për të nderuar ish-udhëheqësin Enver Hoxha. Pak më tutje gjendet dhe Memoriali i Post-Bllokut, kushtuar kujtesës së diktaturave të së shkuarës, në mënyrë që të mos rikthehen më kurrë. Një bunker, simbol i diktaturës shqiptare, disa shtylla betoni të marra nga Burgu i Spaçit (kampit më famëkeq të komunizmit shqiptar), si dhe një fragment i marrë nga Muri i Berlinit, bashkëjetojnë në hyrje të zonës që përgjatë diktaturës shihej si zona rezidenciale e udhëheqjes.

The Pyramid

Mbrëmja

Nëse mbrëmjen e parë e kaluat në zonën e ish-Bllokut, mbrëmjen e dytë ju sugjerojmë ta kaloni në atë që njihet ndryshe si Rrugica e Salës (Sali Berisha, ish-Kryeministri i Shqipërisë banon në atë rrugë). Me qindra të rinj popullojnë përnatë zonën, në disa lokale ku ofrohet birrë e freskët e ku mbizotëron menuja italiane apo ushqimet tipike fast-food. Muma është bari që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve së fundmi, por mund të zgjidhni cilindo nga baret që ndodhen përgjatë asaj rruge.

 Sugjerime të tjera:

Vila e Sali Shijakut: Një vilë-muze tejet interesante, falë galerisë së pikturave të Sali Shijakut, në një nga vilat më të vjetra të Tiranës.
Tirana Ekspres: hapësira alternative e artit në Tiranë.
Për një mëngjes plot shije, keni gjithmonë Bufe-n tek zona e Shallvareve, si dhe Çoko-n në zonën e ish-Bllokut.
Bar Iliria, në zonën e ish-Bllokut, është vendi i duhur për t’u njohur me lokalin më antikonformist të qytetit. Ky është lokali i parë i hapur në atë zonë në vitin 1991.
Padam, për ata që kërkojnë ndoshta restorantin më të rafinuar të Tiranës, ky është emri për t’u patur në konsideratë.
Kalaja e Petrelës, ndodhet majë një kodre jo shumë larg Tiranës, e ofron një pamje mjaft sugjestive. Aty brenda gjendet dhe një bar – restorant ku mund të pushoni.

New & Trending

Choose a