5 arsye përse të vizitosh Fierin! - Into Albania

5 arsye përse të vizitosh Fierin!

Manastire, laguna, det e parqe arkeologjike! Përreth Fierit ndodhen disa nga destinacionet më të rëndësishme arkeologjike e natyrore të Shqipërisë, e ju do të keni vetëm vështirësinë e zgjedhjes!

1. Apollonia

Këtu ndodhet Parku Arkeologjik më i madh i vendit, dhe mund të shihni nga afër disa prej rrënojave më mbresëlënëse të antikitetit në Shqipëri, ku spikat Qendra Monumentale me Buleterionin e famshëm. Ciceroni pat folur për rëndësinë e qytetit të Apollonisë, e Oktavian Augusti shkollohej pikërisht këtu përpara se të bëhej Perandori i parë i Romës. E sikur të mos mjaftonin rrënojat apo objektet e rralla të mijëra viteve më parë, krishtërimi ka lënë gjurmët e veta në majë të kodrës, përmes Manastirit dhe Kishës së Shën Mërisë. Lexoni më tepër mbi Apolloninë në artikullin tonë këtu. Për hartën kliko këtu.

Apollonia

Buleterioni në Parkun Arkeologjik të Apollonisë, Fier, foto nga IntoAlbania

2. Parku Arkeologjik i Bylisit

Shumë pranë qytetit të Fierit apo Ballshit ndodhet një tjetër park arkeologjik tejet i rëndësishëm, ai i qytetit më të madh në Ilirinë e jugut, Bylisit. Nga shekulli i IV-t para Krishtit (që konsiderohet dhe periudha e themelimit) e deri në shekullin e V-të pas Krishtit, në Bylis u ndërtuan disa objekte madhështore të cilat kanë mbërritur deri më sot përmes rrënojave. Kështu, ju do mund të admironi rrënojat e teatrit, stadiumit, dy shëtitoreve, banesave të ndryshme, si dhe një pjesë të trashëgimisë paleokristiane më unike në vendin tonë. Për hartën kliko këtu.

Parku Arkeologjik Bylis

Rrënojat e Teatrit në Parkun Arkeologjik të Bylisit, Fier, ©Fation Plaku

3. Ardenica

237 metra mbi nivelin e detit e vetëm 8 km larg Lushnjës ndodhen kodrat e Ardenicës, të njohura për Manastirin e famshëm e peizazhet e jashtëzakonshme. Dyshohet se shumë përpara ndërtimit të Manastirit, aty gjendej një tempull pagan kushtuar Artemisës, prej nga do të rridhte dhe emri Ardenicë. Fillimisht ishte Kisha e Shën Triadhit, ajo që rreth shek. të X-të la gjurmën e parë të krishtërimit në këtë vend. Ndërtimi i Manastirit po këtu, me kërkesë të perandorit Andronik II Paleolog i Bizantit, filloi në vitin 1282 në një sipërfaqe që sot zë 2,500 metra katrorë.

E dhëna më interesante historike është ajo që e lidh këtë vend me Skënderbeun. Në prill të vitit 1451, Skënderbeu u kurorëzua në martesë me Donikën në altarin e këtij manastiri, në kapelën e Shën Triadhës. Kisha e Shën Mërisë është godina më imponuese e gjithë manastirit bizantino-ortodoks. E ndërtuar me gurë, kjo kishë tërheq me arkitekturën e saj të stilit bazilikal, me portikun e hapur me kolona e harqe si dhe këmbanoren e lartë prej 24 metrash. Piktorët korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi zbukuruan ambjentet e brendshme të Kishës me afresket e tyre ndërsa ikonostasi i gdhendur në dru apo ikonat e Kostandin Shpatarakut i shtojnë bukurinë dhe vlerat kësaj kishe.

Gjatë shekullit të XVII-të – XVIII-të, Manastiri u bë i njohur dhe për bibliotekën e tij të pasur, ku numëroheshin me dhjetëra mijëra volume dhe gjatë Rilindjes Kombëtare manastiri u kthye në një vatër të rëndësishme të mësimit të gjuhës shqipe. Por, përtej vlerave të shumta që përmban, Manastiri ofron peizazhet të jashtëzakonshme që së largu përfshijnë deri Malin e Dajtit, Tomorin, apo detin Adriatik e Lagunën e Karavastasë!

Ardenica

Manastiri i Ardenicës, Fier, foto nga IntoAlbania

Si të shkoni: Pranë Rrugës Kombëtare Lushnjë – Fier.
Për hartën kliko këtu.

4. Parku Kombëtar Divjakë – Karavasta

Ky  park është një ‘qytet’ i vërtetë ujor, me plot 228 lloje të ndryshme zogjsh që popullojnë gjithë zonën. I përbërë nga katër laguna (Karavasta, Godulla, Godulla e Pishës, Spiaxho), Parku falë vendndodhjes strategjike është i pasur me një larmi speciesh ku rol të veçantë zë simboli i parkut, pelikani kaçurrel (dalmat), që bën pjesë dhe në listën e shpendëve në ruajtje. Por shpendët janë vetëm një prej arsyeve se përse duhet vizituar parku. Pylli me pisha i Divjakës, Ishulli i Kularit, Dunat e Oazit të Divjakës Ishulli i Pelikanit, Kordoni litoral i Lagunës apo Pisha e Egër 400 vjeçare, janë disa prej monumenteve natyrore që ofrojnë peizazhe të mrekullueshme që nuk duhet t’i humbisni.

Divjakë – Karavasta

Parku Kombëtar Divjakë – Karavasta, Fier, Burimi: balkaneu.com

Rruga për në park: Autostrada SH4 Durrës-Fier deri në rotondën e Cermës së Sipërme (38 km). Mandej merret rruga për Divjakë për 17 km.

Për hartën kliko këtu.

5. Plazhi i Semanit

Përmes një vije bregdetare prej 3.5 km, plazhi i Semanit ju pret me rërën e imët e pyjet e bukur me pisha që rrethojnë të gjithë zonën. Afërsia e Fierit me Vlorën, bën që ky plazh të lihet shpesh në harresë, edhe pse ofron kushtet e përshtatshme për pushime familjare falë dhe detit të cekët. Shërbime të ndryshme si bare e restorante apo çadrat e vendosura në rërë, ofrojnë kushtet e duhura për një qëndrim sa më shplodhës e të kënaqshëm. 18 km larg Fierit, plazhi i Semanit është vërtet shkëputja e duhur nga lodhja apo stresi urban. Për hartën kliko këtu.

Plazhi i Semanit

Plazhi i Semanit, Fier, Burimi: gazetamonitor.com

New & Trending

Choose a