Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë - Shtëpia e Denjë e Dallëndyshes së Detit Ballëbardhë - Into Albania

Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë – Shtëpia e Denjë e Dallëndyshes së Detit Ballëbardhë

Vjosë-Narta është një nga zonat më të rëndësishme për shpendët në Shqipëri. Hapësirat e saj përdoren si nga lloje shtegtare ashtu edhe nga ato rezidente, duke u listuar si zonë me rëndësi në konventa ndërkombëtare për ruajtjen e natyrës.

Një prej këtyre shpendëve është edhe dallëndyshja e detit ballëbardhë e cila ka shtuar foletë në hapësirat e reja natyrore të krijuara në peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Para disa muajsh ekipi i PPNEA ndërmori disa masa konservuese për disa lloje të dallëndysheve të detit me qëllim rritjen e suksesit të folezimit të tyre në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë. Vendfolezimet natyrore të krijuara nga pastrimi i ishujve shënuan një sukses të madh. Pas një kohe shumë të shkurtër këto habitate u populluan jo vetëm nga dallëndyshja e detit ballëbardhë (Sternula albifrons), por u gjetën dhe fole me vezë të dallëndyshes së detit (Glareola pratincola).

Dallëndyshja e detit ballëbardhë, foto PPNEA

 

Ashtu siç shprehet edhe PPNEA, gjatë një vizite të realizuar në zonë, në sipërfaqen e krijuar u numëruan rreth 35 fole të dallëndyshes së detit ballëbardhë dhe 10 fole të dallëndyshes së detit. Krijimi i mjediseve folezuese për shpendët është me rëndësi si për rritjen e suksesit të riprodhimit të llojeve, ashtu edhe për rimëkëmbjen e popullatës së tyre.

Vjosë-Narta është vendfolezimi më i rëndësishëm në Shqipëri dhe ndër më të rëndësishmit në Evropë për disa lloje të rendit të baltakëve (Charadriiformes), thekson PPNEA. Mund të përmendet këtu rasti i sqepbizës (Recurvirostra avosetta), popullata riprodhuese e së cilës brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë është më shumë se 1% e popullatës së përgjithshme të rajonit biogjeografik të Evropës Juglindore, Detit të Zi dhe Turqisë. Në vijim, Vjosë-Narta mbart rregullisht mbi 1% të popullatave të dy llojeve të rajonit të Mesdheut dhe Detit të Zi, si pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus) dhe flamingoja (Phoenicopterus roseus).

Dallëndyshja e detit ballëbardhë, foto PPNEA

Dallëndyshja e detit ballëbardhë, foto PPNEA

Në këtë zonë janë regjistruar një numër total prej mbi 200 lloje të shpendëve të egër, shprehet PPNEA. Prej këtij numri, 33 janë të listuar me status kërcënimi në Listën e Kuqe të Shqipërisë, ku 8 lloje mbajnë statusin e Rrezikimit Kritik, 9 lloje klasifikohen si të rrezikuara, 13 lloje janë cilësuar me status të Përkeqësuar, si dhe 3 lloje mbartin statusin e Rrezikut të Ulët (LR).

Ekosistemi lagunor bregdetar, prej vitesh është kthyer në një atraksion turistik për vëzhgimin e shpendëve që shumohen në to dhe laguna Vjosë-Nartë është një oaz i paqtë për folezimin e shumë prej tyre. Urojmë që lajme të tilla pozitive, të shoqërojnë jo vetëm këtë zonë, por edhe zonat e tjera të cila presin shpend të rrallë.