Agroturizëm Hupi - Kulla 200 Vjeçare e Mikpritjes Shqiptare - Into Albania

Agroturizëm Hupi – Kulla 200 Vjeçare e Mikpritjes Shqiptare

Keni menduar ndonjëherë të bëheni pjesë e traditës kulinare shqiptare, e kryesisht të gatimeve në saç? Që nga byreku, jufkat, qullin me pulë fshati, apo edhe gatimet tradicionale të zonës të gjitha mund ti mësoni nga nënë Sofie, në bujtinën Hupi.

Bulqiza traditional Guest House, ose ndryshe agroturizëm Hupi, është një kullë mbi 200 vjeçare, e cila përveçse do t’ju dhurojë eksperienca të veçanta, do t’ju mësojë edhe traditat unike të gatimeve të zonës.

E pozicionuar vetëm 7 km larg Bulqizës, bujtina Hupi është e rrethuar nga një natyrë fantastike që të dhuron një panoramë qetësuese për shpirtin.

Kjo kullë e familjes Hupi, është tipike e zonës e ndërtuar me mure guri, me dritaret e vogla me forma të ndryshme, të gjitha të punuara me gur të gdhendur.

Prej gati dy vitesh Lulzim, djali i familjes, një ish- minator ka menduar ta kthejë në një atraksion turistik këtë kullë, ku pret pushues jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj.

Vizitorët e kësaj bujtine përveçse mund të shijojnë gatimet tradicionale të zonës të përgatitura nga e ëma e Lulzimit, Sofie, mund edhe të eksplorojnë Bulqizën duke ecur në pyjet plot shtigje.

E njohur si një zonë për monumente të shumta natyrore dhe historike, Lulzimi ka ditur ta shfrytëzojë këtë fakt duke organizuar dhe turet e ndryshme në natyrë, si në: “Kullën e vrojtimit të Skënderbeut” që ndodhet afro 1 orë e 30 minuta larg nga agroturizmi i tij. Masivin pyjor “Shesh Bulqizë” një nga mrekullitë e zonës, i ruajtur nga banorët me drurë të lartë dhe burime të shumta ujore; “Liqenin e Zi” që është shpallur edhe si zonë monument natyre si edhe “Ujëvarën e fshatit Dushaj” vetëm 1 km larg nga kulla.

E mbasi keni mbaruar ecjet në natyrën e mrekullueshme të zonës ju pret nënë Sofie e cila do t’ju mësojë se si të gatuani ushqimet tradicionale në saç, si p.sh qullin me pulë fshati, jufkat, byrekun në saç etj.

Është vendi tipik për të shijuar ditët, me adrenalinën e gjallë që të fal natyra dhe netët e qeta e shplodhëse në ambjentet që mbajnë firmën e traditës shqiptare.

Në vetëm pak kohë, kulla e Lulzim Hupit ka pritur mbi 600 turistë të huaj, duke e kthyer këtë vend në një nga atraksionet turistike që duhet të jetë pjesë e axhendës tuaj.

Me një stil krejtësisht autentik, e me hapësirat e bollshme kulla Hupi është vendi tipik për të shijuar natyrën, ushqimet e freskëta dhe plot shije, si edhe për të fiksuar në memorien tuaj momente të veçanta kënaqësie.

New & Trending

Choose a