Agroturizëm Hylli i Dritës – Rizgjimi i Traditave Zadrimore - Into Albania

Agroturizëm Hylli i Dritës – Rizgjimi i Traditave Zadrimore

Nëse jeni në kërkim të traditës, kulturës dhe kulinarisë, zonat rurale janë një arsenal i çmuar i përcjelljes së tyre. Dhe Shqipëria, që nga veriu e deri në jug ka shumë për të treguar.

Troshani një zonë në veri të vendit, jo shumë e eksploruar, çdo ditë e më tepër po kthehet në një vend mjaft tërheqës, jo vetëm për vendasit, por edhe për të huajt. 

Pamje e Troshanit. Foto nga agroturizëm Hylli i Dritës

Natyra, bujtinat dhe historia e kanë kthyer Troshanin në një destinacion turistik mjaft të pëlqyer. Hylli i Dritës është një ndër bujtinat, që po i risjell imazhin e munguar këtij vendi. I pozicionuar në kodrën e Troshanit, ku mund të vihen re reflektimet mahnitëse të ngjyrave si në agim ashtu edhe në perëndim të fushës së Zadrimës, te Hylli i Dritës mund edhe të shijoni eksperiencat unike që kjo bujtinë të ofron.

Vetëm 15 km larg Lezhës ju do të njiheni më një zonë, jo vetëm të pasur me vlera të jashtëzakonshme historike, por edhe me peizazhe të mrekullueshme natyrore që do t’ju bëjnë të kaloni një ditë ndryshe dhe është e sigurt që rikthimi sërish në këtë bujtinë do të jetë i parezistueshem.

Fatmir Ndoj, i zoti i bujtinës, por në të njëjtën kohë edhe shefi i kuzhinës do të kujdeset që kjo ditë e kaluar në këtë zonë të mbetet e paharrueshme.

Përveçse do t’ju njohë me gatimet të veçanta, ju do të shijoni edhe kombinimet e ndryshme që ai i bën menusë tradicionale me atë italiane. Me shijet e krijuara ai po sjell turistë të shumtë në Troshan, që deri dje nuk ka patur kaq shumë interes për të parë këtë zonë. Në të do të gjeni një menu të pasur që nga mishi i kecit, djathrat e gatuara në kohën e tyre e të ruajtura në mënyrë artizanale, specat me mazë, rika me përshesh, pula me qull apo dhe jufkat e përgatitura nga banorët e zonës. Fatmiri mundohet të promovojë traditën e gatimeve, si edhe të vlerësojë produktin lokal të prodhuar nga fermerët duke servirur në çdo tavolinë pjatat e gatuara me shumë dashuri nga duart e tij.

Fusha e Zadrimës përpos bukurisë që të shfaq, fsheh edhe shumë histori e vende fetare. Fatmiri kërkon që puna e tij të mos mbetet thjesht tek bujtina, por t’ju tregojë turistëve edhe jetën zadrimore. Nëse ju vizitoni agroturizëm Hylli i Dritës do të bëheni pjesë e disa eksperiencave unike si, eksplorimin e fermës, aktivitetet në plantacionet e ullinjve, vizitë përgjatë agroturizmit ku janë dhe një pjesë e konsiderueshme e kafshëve të kësaj bujtine. Të apasionuarit ndaj natyrës kanë mundësinë të shikojnë kalanë e qytezës së Troshanit, apo të kryejnë dhe vizitat drejt kulteve fetare, ku përmendim Kishën e Eufemisë në malin e Velës si edhe Kishën e Shna Ndout në malin e Troshanit.

Brenda 5 viteve që kur është krijuar kjo bujtinë numri i turistëve është rritur dhe i zoti i bujtinës është kujdesur që të ofrojë edhe qëndrimin për ta.

Një akomodim që do ju dhurojë qetësinë e natyrës dhe komoditetin i cili vjen i ndërthurur mes tradicionales dhe modernes.

Në Zadrimë djemtë si Fatmiri të apasionuar dhe me dëshirën për të punuar po bëjnë diferencimin, pasi po rizgjojnë traditën dhe po e kthejnë vendin në një atraksion turistik.

New & Trending

Choose a