Zhytje - Into Albania

Zhytje

Zhytje në botën e pasur nënujore të bregdetit jugor

Ujërat e qetë dhe të pastër të Shqipërisë janë një parajsë e vërtetë për çdo lloj zhytjeje. Kaleidoskopi i ngjyrave dhe biodiversiteti i pasur e bëjnë vendin tonë një destinacion Mesdhetar të zhytjes që nuk duhet humbur.

Për të gjithë ata që duan të provojnë ndjesinë e të eksploruarit të botës nënujore shqiptare, ofrohen zhytje nën shoqërimin e profesionistëve.

Çfarë të presësh?

Tre nga destinacionte më të njohura të zhytjes në vendin tonë përfshijnë Gjirin e Vlorës, Gadishullin e Karaburunit dhe Ishullin e Sazanit. Ujërat e kristalta, biodiversiteti, peshqit e koralet, relievet nënujore si dhe skeletet e anijeve të mbytura, janë disa nga arsyet se përse përvit gjithnjë e më të shumtë janë ata që duan të eksplorojnë botën nënujore në Shqipëri.

Të gjitha destinacionet kanë specifikën e tyre. Ishulli i Sazanit mahnit me koralet dhe bimët e detit, si edhe shpellat nënujore. Gadishulli i Karaburunit ofron disa nga plazhet më të virgjëra e të bukura të vendit, me gjallesa të ndryshme nënujore që popullojnë këto ujëra. Në Gjirin e Vlorës mund të vërehet anija spital e fundosur “Po”, e cila shërbente gjatë Luftës së Dytë Botërore për transportin e të plagosurve e të sëmurve drejt Italisë. Anija është pothuajse një kilometër larg nga bregu i detit, dhe është vërtet një thesar i botës nënujore për të gjithë të apasionuarit e zhytjes. Gjiri i Vlorës është i njohur edhe për amforat e mrekullueshme që mund të vështrohen nënujë.

Ture specifike zhytjeje

Albania Adventure ofron një tur 9 ditor zhytjeje në të gjithë jugun e Shqipërisë, ku përfshihen të gjitha vendet e përmendura mësipër, si dhe disa nga pikat më tërheqëse të bregdetit të jugut si: Shpella e Haxhi Aliut, Gjiri i Varkës, Gjiri i Jalit, Porto Palermo, e shumë pika të tjera të mrekullueshme.

Nëse jeni të interesuar për eksperienca të veçanta zhytjeje një apo disa ditore të tjera, kontaktoni Albania Adventure si edhe Albania Dive.

Info më të detajuara

Zhytësit profesionistë, të cilët kërkojnë informacione më të detajuara mbi pozicionin e skeletëve të ndryshëm, mund të klikojnë këtu. Info të tjera mund të gjeni dhe tek diving.eu.