Anija Vlora - 70 Skicat e Artistit Italian që Rrëfejnë një Ngjarje Shqiptare - Into Albania

Anija Vlora – 70 Skicat e Artistit Italian që Rrëfejnë një Ngjarje Shqiptare

Në gusht të vitit 1991, kur anija Vlora prekte brigjet italiane të Adriatikut, artisti Federico Bressani nuk kishte lindur ende. Ishte periudha historike kur italianët zbuluan “albanezët”, term që shumë shpejt u adoptua për të treguar jo thjeshtë origjinën e bashkëkombasëve tanë që të detyuruar nga kushtet historike u lëshuan drejt Europës, por u përdor shpesh edhe i ngarkuar me një konotacion negativ për të treguar me gisht çfarëdo sjelljeje të pahijshme, të dhunshme apo joqytetare.

Federico Bressani, autoportret. Burimi verderivista.worpress.com

Si një ngjarje e papërjetuar në vetë të parë dhe e panjohur mirë, përveçse mes kronikave dhe gazetave të kohës, të tejmbushura me imazhin e anijes në derdhje, vetë Bressani rrëfen në një intervistë për albanianews.it se kureshtja dhe nevoja për ta analizuar atë ngarje historike, ka qenë shtysa për krijimin e kësaj pune artistike.

Skicë nga vepra artistike “Vlora” e artistit Federico Bressani. Burimi Stormi.info

Kjo vepër vjen në një moment historik delikat për Europën, e në veçanti për Italinë, që vitet e fundit ka zgjedhur politikën e mbylljes së kufijve pa kushte kundrejt emigrantëve, duke zgjedhur në një farë mënyre të mos e zgjasë dorën për të ndihmuar.

Skicë nga vepra artistike “Vlora” e artistit Federico Bressani. Burimi Stormi.info

Historia rrëfehet në rreth 70 ilustrime që nisin me imazhin e një pulbardhe që fluturon e lirë në qiellin e Brindizit, më datë 8 gusht 1991, përpara dyndjes shqiptare dhe përfundon me imazhin e një dore që po fundoset në det, me shpresën për të gjetur shpëtim.

Skicë nga vepra artistike “Vlora” e artistit Federico Bressani. Burimi Stormi.info

Fraza që vulos këtë skicë të fundit, “citon” edhe fundin e poezisë lirike të njerit prej poetëve më të mëdhenj italianë të të gjitha kohërave, Giacomo Leopardi, i njohur gjithashtu për thellësinë e mendimit filozofik lidhur me ekzistencën dhe gjendjen e qenies njerëzore, që në më të famshmen poezi të tij, “Pafundësia” përmbyll:

“Così il mio pensiero
sprofonda in quest’immensità:
ed è dolce naufragare in questo mare”.

“Kështu mes kësaj
Pafundësie mbytet mendimi im:
E zhytja më duket e ëmbël në këtë det”.

Skicë nga vepra artistike “Vlora” e artistit Federico Bressani. Burimi Stormi.info

Mbyllja e Bressanit, qëllimisht e kundërt me Leopardin e mohuese në krahasim me të, nuk lë hapësirë për të fantazuar për një lundrim të ëmbël e shpresëdhënës për të ardhmen. Ajo është një ulërimë e mbytur e shancit që njerëzimi ka humbur për të qenë i njerëzishëm.

“Il naufragar non e’ dolce in nessun mare”

“Zhytja nuk është e ëmbël në asnjë det”.

Arti në Itali vazhdon njëherësh, të kënaqë dimensionin estetik dhe të përmbushë misionin e tij të ftesës për të reflektuar, për të lexuar të tashmen përmes së kaluarës që e ardhmja të jetë më humane. Jo pa qëllim, kjo punë e tij është pasqyruar edhe në revistën elektronike “Stormi.info”, hapësirë që siç vetëdeklarohet në faqe, ndjek filozofinë e angazhimit qytetar.

New & Trending

Choose a