Aroma e Kuzhinës Gjirokastrite, Plot Shije dhe Traditë - Into Albania

Aroma e Kuzhinës Gjirokastrite, Plot Shije dhe Traditë

Gjirokastra qyteti që jeton më së miri mes historisë, është vendi ideal për t’u vizituar jo vetëm për natyrën, e trashëgiminë kulturore, por edhe për kuzhinën tradicionale. Kultura e sofrës është një traditë e përcjellë me breza, jo vetëm në tryezat e qytetit të gurtë, por edhe në zona përreth. Kuzhina gjirokastrite është shumë e pasur në elementët e saj të gatimit dhe shijeve të ndryshme. Në bujtinat e ndryshme do të gjeni ende gjurmë të traditave të vjetra, si qifqitë, sarmat, shapkatin e shumë të tjera.

Qifqitë

Qifqitë janë një gatim tradicional i zonës së Gjirokastrës. Të veçanta për emrin e tyre, janë edhe po aq interesante për mënyrën e përgatitjes. Si një gatim karakteristik i kësaj zone, ato janë pjesë e pandarë e tavolinës gjirokastrite. Sipas traditës qifqitë gatuhen në tigan me gropa dhe përbërësit e saj janë oriz, vezë, djathë të bardhë, miell, vaj, mente, piper i zi dhe kripë. Zakoni e do që kjo recetë të gatuhet në ditë të veçanta si festat e fundvitit, kur lind nusja, apo edhe kur vijnë miqtë, për t’i respektuar më shumë.

Kuzhinë Tradicionale, Qifqi
Qifqi, pjatë tradicionale Shqiptare, foto nga IntoAlbania

Pasha qofte

Nëse kaloni një herë në Gjirokastër, mos u largoni pa provuar pasha qoften e njohur të kësaj zone. Quhet kështu sepse gatuhej për Ali Pashë Tepelenën dhe përbërja është qofte orizi me mish, të gatuara në salcë të bardhë ose të kuqe. Është e thjeshtë në përgatitje, por plot shije në konsumim, jo më kot ka qenë edhe e preferuara e Ali Pashës. Receta e cila brez pas brezi lartëson me shijen e saj çdo sofër e tryezë shqiptare.

Pashaqoftet e Gjirokastrës. Burimi i fotos: AgroWeb

Shapkat

Shapkat është një tjetër recetë e njohur e kësaj zone, e cila njihet ndryshe si lakror me miell misri ose pispili. Është një recetë tipike e amvisave gjirokastrite e cila ruhet brez pas brezi dhe sillet plot shije edhe në ditët e sotme. Shapkati përgatitet me lakra të egra, spinaq apo presh e qepë të njoma.

Shakat. Burimi i fotos: AgroWeb

Sarma

Me ndryshimin e stinës edhe gatimet e amvisave gjirokastrite janë më të larmishme. Sidomos me ardhjen e pranverës menuja është më e pasur. Pjesë e gatimeve të kësaj stine dhe që gjirokastritët krenohen janë edhe sarmat.

Përbërja e tyre është nga fletët e harrdhive të rrushit, orizit si edhe me mishin e çokanisur, të prerë hollë. Në ditët e sotme bëhët me mish të grirë, por sipas traditës së vjetër gjyshet e përgatisnin me tulin e mishit, të cilin e prisnin në copa të vogla. Sekreti i kësaj recetë është pikërisht tek vendosja e përbërësve në fletët e rrushit në mënyrë të tillë që ato të mos prishen. Pavarësisht se një gatim sezonal, zonjat kujdeseshin që t’i konservonin fletet e hardhisë dhe këtë gatim karakteristik e të shijshëm ta servirnin edhe në stinën e dimrit.

Sarma. Burimi i fotos: AgroWeb

Karkanaqe

Karkanaqe është një recetë e cila gjen vend në sofrat gjirokastrite, jo vetëm për festën e Pashkës, por edhe në të dielat familjare. Ajo është një recetë e vjetër e qytetit të gurtë, që ngjasojnë me gurabijet apo ballokumet, por me një shije tjetër dhe të veçantë.

Karkanaqe. Burimi i fotos; tirananews.al

Qofte të rreme ose ndryshe Bobollaqe

Quhen qofte të rreme se kanë formën e qofteve, por nuk janë të tilla. Sipas zakoneve të vjetra bobollaqet konsumoheshin për gëzimet familjare dhe kryesisht në mbarim të dasmës, për të shuar etjen e pijes së dasmorëve. Ato përgatiten njësoj si brumi i byrekut duke shtuar vezë, djathë dhe nenexhik. Të shijshme dhe ekonomike ato mund të përdoren në çdo stinë.

Aromat mbresëlënëse të këtyre gatimeve e kanë shndërruar kuzhinën tradicionale ndër më të preferuarat të turistëve.

Bobollaqe. Burimi i fotos: AgroWeb

New & Trending

Choose a