Arti i të Shijuarit të Kafesë - Ajo që Lakmojnë të Huajt në Shqipëri - Into Albania

Arti i të Shijuarit të Kafesë – Ajo që Lakmojnë të Huajt në Shqipëri

Nëse do të rendisnim në një listë arsyet që e bëjnë Shqipërinë, e sidomos Tiranën, të veçantë në sytë e turistëve të huaj, me shumë gjasa do ta nisnim nga numri i lartë i kafe-bareve për frymë, apo metër katror. Në këtë drejtim, Shqipëria është renditur gjithnjë në podin e “më të mirëve” e madje, në vitin 2016, sipas të dhënave të përpunuara nga Revista Monitor, ia ka kaluar edhe Spanjës, me 1 kafe-bar për 152 banorë.

Shqipëria është një konsumator tipik i kafesë edhe për shkak të historisë së saj nën perandorinë osmane. Zbulimi i kokrrave të kafesë në Arabi, shpërndarja e kësaj bime në të gjitha kontinentet për shekuj me rradhë, zbulimi i procesit të pjekjes, aftësia e njerëzimit për ta sjellë traditën në ditët tona, e ka vënë ritualin e shijimit të kokrave të kafesë si një nga kënaqësitë e domosdoshme të ditës.

Kafe turke. Burimi Web Library

Kujdesi estetik që u kushtohet kafe-bareve në Shqipëri, si rrallë diku tjetër në Evropë a Botë, por edhe vetë ritual i të shijuarit të një filxhani, shpesh me biseda të gjata mes miqsh, apo minuta të tëra ulur, kanë bërë që kjo të kthehet në një eksperiencë për t’u jetuar “si vendasit”.

Për fat, atë që turistët e huaj mund ta shijojnë rrallë, shqiptarët e kanë në çdo cep, në çdo lagje. Thuajse çdo pallat ka një kafe-bar ku mblidhen “komshinjtë” që dikur e pinin kafenë në shtëpitë e njëri-tjetrit.

Tirana shpalos kafene të të gjitha llojeve. Thuajse të gjithë lokalet në zonën e Bllokut, paraditeve shndërrohen në “zyra” mbledhjesh joformale, vendtakime të rëndësishme apo salla relaksi ku mund të shijosh një kafe në vetmi, por pse jo, njëkohësisht edhe të punosh. Në këtë zonë mund të shijosh një ekspres të vërtetë italian, në barin Cioccolatitaliani (sugjerojme gjithashtu t’i dorëzoheni tundimit edhe për një akullore tradicionale italiane).

Në më pak se 300 metra nga këtu, në rrugën drejt Lanës, tek “Pasticeria Franceze“, kafeja shijohet për mrekulli me një “croissant” apo embëlsirë francese.

Një zonë shumë e lulëzuar me bare është edhe ajo midis Piramidës dhe Rrugës së Elbasanit. Për një kafe si në bahçen e shtëpisë mund të zgjedhësh Muma Bistro Bar, me një ambient të gjelbër të hapur, por të ngrohtë edhe në dimër.

Një kafe në Muma Bistro Bar. Burimi, facebook.com/pg/mumabistrobar

Jo shumë larg nga këtu gjendet “Kafe – Muze Komiteti“, i veçantë mbi të gjitha sepse kombinimi me objektet muzeale “Made in Albania” të periudhës së komunizmit, e ka çuar eksperiencën e të shijuarit të kafesë, në një nivel tjetër për më kureshtarët, apo ata që duan të reflektojnë mbi këtë periudhë historike.

Ndoshta në Shqipëri, multinacionalja e kafeneve “Starbucks” nuk e ka në plan të afrohet, por në modelin e saj, ekzistojnë tashmë tre sipërmarrje shumë të suksesshme shiptare, që kanë arritur të shumëfishohen. Në qytete të ndryshme të Shqipërisë, mund të gjesh hallka të zinxhirit të bareve “Sophie Caffe“, “Mulliri i vjetër“, apo “Mon Chéri – Coffee Shop“.

Edhe zona e re e jetës sociale “Kalaja e Tiranës“, jep kontributin e saj për nga variacioni në kafene komode dhe estetikisht të bukura.

Disa prej bareve mund të ofrojnë edhe kafe turke sipas kërkesës. Ndaj, nëse dëshironi një eksperiencë autentike shqiptare deri në fund, ktheni edhe filxhanin dhe me pak fantazi, lexoni më pas figurat e formuara në fundin e tij.

New & Trending

Choose a