Artizanati në Krujë - Into Albania

Artizanati në Krujë

Kruja e bekuar, përtej rëndësisë që ajo ka patur në historinë e kombit shqiptar, është dalluar në shekuj dhe si një qendër tregtaro-artizanale. Simbol i këtij zhvillimi ishte padyshim Pazari i Vjetër, i cili në kulmin e vet numëronte rreth 130 dyqane (shek. XIX – shek. XX). Punimet e ndryshme të tezgjahur, bakrit, leshit, argjendit apo materialeve të tjera bënin që prodhimet e Krujës të dalloheshin në rang vendi, dhe ky nam vazhdon deri më sot.

Pazari i Krujës ende vazhdon të thithë turistë të shumtë përmes 70 dyqaneve ku mund të shohësh nga afër se si artizanët punojnë e zhvillojnë artin e tyre. Shumë prej punimeve artizanale vijnë si dëshmi e identitetit kombëtar, apo traditave e sjelljeve shoqërore të shqiptarëve në shekuj.

1) Punimet e tezgjahut

Në Krujë gjenden disa nga tezgjahistët më të dalluar në Shqipëri, që endin pëlhurë, stof e qilima me mjeshtëri të rrallë e me kombinime ngjyrash ku spikasin motivet kombëtare kuqezi. Përgjatë gjithë pazarit do të shihni të ekspozuara disa nga punimet e tyre më të mira, si dhe të diskutoni me artizanët nëse keni ndonjë preferencë të caktuar.

Punimet e tezgjahut
Punim tezgjahu, Burimi: panorama.com.al

2) Kostumet popullore

Kostumet popullore hyjnë në punimet më të kërkuara në Pazarin e Krujës, e për rrjedhojë këtu do të gjeni një larmi kostumesh të trevave të ndryshme shqiptare. Veshje me fustanellë apo xhubletë, këpucë me apo pa xhufka, veshje me tirq apo çitjane, versionet e ndryshme të kostumeve popullore të trashëguara ndër breza apo të punuara së fundmi do e bëjnë eksplorimin e veshjeve në Pazar një eksperiencë më vete.

Kostumet popullore
Kostumet popullore Shqiptare, Krujë, foto nga IntoAlbania

3) Punimet e bakrit

Punimet e bakrit preferohen shumë nga ata që duan të marrin me vete një zbukurim karakteristik shqiptar. Ato reflektojnë kohë dhe etapa të ndryshme përmes produkteve që përdoreshin për punë shtëpiake, punë oborri, për udhëtim, për luftë etj, duke e kthyer Pazarin në një muze të vërtetë të së jetesës së shqiptarëve.

Punimet e bakrit
Punime bakri, Pazari i Vjetër i Krujës, foto nga IntoAlbania

4) Filigrani

Të shumta janë dhe artizanet që punojnë mjeshtërisht filigranin. Dantellat e thurura me fije të holla e të dredhura ari, argjendi apo bakri zbukurojnë veshjet popullore, dorezat e shpatave apo stolitë dhe orenditë e shumta që mund të blihen në Pazar.

Filigrani
Punime Filigrani, Burimi: lonelyplanet.com

5) Qeleshet

Asnjë takim nuk mund të quhet i plotë me traditën artizanale shqiptare, pa u ndalur dhe te qeleshet. Kjo mbulesë e kokës kombinohej me teshat përkatëse, dhe është tashmë një simbol i njohur i veshjes popullore shqiptare. Vitet e fundit ka nisur të preferohet shumë gjatë festave kombëtare në Shqipëri e Kosovë, apo të vishet dhe gjatë eventeve të rëndësishme sportive. Qeleshpunuesit në Krujë e vazhdojnë me besnikëri traditën e përcjellë brez pas brezi, dhe në Pazar është gati e pamundur t’i rezistosh tundimit të të provuarit të ndonjë qelesheje, e pse jo instagramuari menjëherë më pas.

Muzeu Etnografik i Krujës
Muzeu Etnografik në Kalanë e Krujës, foto nga IntoAlbania

Muzeu Etnografik

E tek sa Pazari i Vjetër i Krujës do ju befasojë me plot orendi e prodhime të tjera që do keni rastin t’i prekni e t’i shihni nga afër, për të gjithë ata që duan ta shpien më tej njohjen me të shkuarën artizanale të vendit, mund të vizitohet Muzeu Etnografik i Krujës. Ky muze ndodhet brenda Kalasë së Krujës, dhe në të gjenden të ekspozuara plot objekte apo qëndisma të ndryshme që datojnë që 300 vite më parë. (Për më tepër kliko artikullin tonë mbi Muzeun Etnografik).

Muzeu Etnografik
Një prej mjediseve të brendshme në Muzeun Kombëtar Etnografik të Krujës, foto nga IntoAlbania

New & Trending

Choose a