10 Sugjerime nga Anna Giulia Buonanno: Një ditë në Tiranë - Into Albania

10 Sugjerime nga Anna Giulia Buonanno: Një ditë në Tiranë

E transferuar prej vitesh nga Torino në Tiranë, Anna Giulia Buonanno është një italiane që tashmë i është dedikuar Shqipërisë, ku jeton e jep mësim të gjuhës dhe kulturës italiane në disa prej institucioneve më të rëndësishme kulturore e akademike në vend.

1. Kafe

Më pëlqen shumë zona e re tek arTurbina: ka hapësirë për kalimtarët dhe baret që janë hapur përpara teatrit janë mikëpritës dhe të qetë, që për mua janë dy karakteristikat që duhet të ketë çdo bar-kafe.

2. Pikë referimi

(Si quhet qiellgërvishtësi i pambaruar përballë Katedrales Ortodokse? Pikërisht ai!)

Nuk është pallati më i bukur i qytetit, përkundrazi, por shpesh është i pari që shoh nga avioni tek sa i afrohet Tiranës; për këtë arsye e preferoj, gjithashtu dhe sepse dallohet menjehërë kur je duke ecur apo duke lëvizur me makinë në qendër, ndaj mendoj se është kthyer në një simbol të qytetit kështu siç është, i pambaruar.

Parku Rinia me kullën në sfond, foto nga IntoAlbania.

3. Vend i rastësishëm

Diga e Liqenit Artificial, që ndan qytetin nga gjelbërimi i paqtë i parkut.

4. Vendi për një mëngjes apo drekë të shpejtë

Bufe, veçanërisht për mëngjesin, apo brunch-in. Si veranda e jashtme ashtu edhe dy sallat e brendshme janë të ngrohta dhe të kuruara estetikisht, stafi shumë i sjellshëm dhe ushqimi i një cilësie mjaft të mirë.

5. Pjata e preferuar

Specat e mbushur me gjizë janë një nga pjatat më të mira e me shije që kam provuar. Ka plot restorante të ndryshëm që i gatuajnë shumë mirë, dhe preferoj gjithmonë që të jenë të zgarës.

6. Aperitiv

Birra Puka tek Bar Si Dielli, në Pazarin e Ri. Hapësirat për kalimtarët janë vendet e mia të preferuara.

Pazari i Ri, foto nga IntoAlbania.

7. Vendi i kulturës

Instituti Italian i Kulturës në Sheshin “Skënderbej”. Mes librave të bibliotekës, kinoklubit të përjavshëm si dhe eventeve të shumta kulturore, për mua ky vend është pikëtakimi i vërtetë mes Italisë, vendit tim të lindjes, dhe Shqipërisë, vendit që më ka ‘birësuar’.

8. Kënaqësi e veçantë

Nga pikëpamja gastronomike, është akullorja e “La Nocciola” tek sa kthehem në shtëpi, përpara darkës; ndërsa nëse do të flisnim në terma më të përgjithshëm, të vërdallisem nëpër dyqanet e vegjël me antikuare apo suvenire është gjithashtu një gjë që më pëlqen të bëj. Mund të gjesh thesare të vegjël të jetës së përditshme të së shkuarës, relike luftrash të vendeve të ndryshme, dhe papritur ritmi frenetik i qytetit të duket sikur ngadalësohet.

La Nocciola, Tirana, Source: facebook.com.

 9. Restorante për darkë

Piceri Saporita. Picat e tyre janë një himn jo dhe aq i traditës italiane, se sa i shijes apo dëshirës për të provuar kombinime të reja shijesh.

10. Bar/Klub

Friend’s Book House (që shërben një raki shumë të mirë), ose gjatë verës, tarraca e Pallatit të Kulturës… veçanërisht në mbrëmjet ku projektohen filma.

Për të lexuar më shumë nga Anna Giulia mund të ndiqni blogun e saj që i kushtohet jetesës në Tiranë, që quhet datorinoatirana.wordpress.com.

Explore More