10 Sugjerime nga Kleitia Vaso: Një ditë në Tiranë - Into Albania

10 Sugjerime nga Kleitia Vaso: Një ditë në Tiranë

E lindur në Tiranë, Kleitia Vaso, autorja e librit “Fluturim” me ese mbi qytetin, na tregon se cilat sipas saj janë disa nga pikat e preferuara të kryeqytetit.

1. Kafe

Cioccolatiitaliani për një kafe jo tipike! Është pikë strategjike për të parë njerëz të ndryshëm dhe pa dyshim vendi më i freskët në verë. Friend’s Book House, ideal për të punuar vetëm por edhe për të takuar miq.

 2. Pikë referimi

Me vjen natyrshëm ta përdor si pikë referimi kur përpiqem të orientoj të tjerë, sidomos të huajt. Por, më tepër se kaq, më pëlqen transformimi i saj i vazhdueshëm dhe mënyra se si mbetet gjithmonë një pjesë e gjallë e qytetit.

Tirana pyramid

Piramida, foto nga IntoAlbania.

3. Vend i rastësishëm

Ecja është mënyra më e mirë për t’u njohur me qytetin. Sidomos në Tiranë ku mund të gjesh shumë të papritura, nëse e ke mendjen. Njëra prej tyre ka qenë kopshti mbrapa Galerisë Kombëtare të Arteve, ku ritakohesh me statujat e Stalinit apo Leninit. Më pëlqen sepse është një ekspozitë e krijuar natyrshëm.

Statujat mbrapa Galerisë Kombëtare të Arteve. Foto nga IntoAlbania.

Statujat mbrapa Galerisë, foto nga IntoAlbania.

4. Restorant për një drekë të shpejtë

Era apo Artigiano. Janë zgjedhjet më të sigurta. Kanë varietet dhe përherë të njëjtën cilësi.

5. Pjata e preferuar

Tabule me karkaleca tek à la Santé. Ndryshe nga të tjerat, plot shije, e freskët, ideale për një drekë verore dhe aspak e mërzitshme.

6. Aperitiv

Pa diskutim “Bloody Mary” i Tonit tek Pass, që kombinohet mirë me verandën e lokalit dhe kikirikët shoqërues.

7. Vendi i kulturës

Libraria Adrion, për pasurinë e librave në shqip dhe anglisht si edhe blloqet e bukura. Galeria Kombëtare e Arteve për një vizitë spontane, meqënëse është në qendër. Por, më duket sikur në Tiranë vendet më të mira kulturore janë ato që krijohen herë pas here, si për shembull Tulla-Nouvelle Terrace që u hap verën e shkuar, me muzikë live dhe filma.

 8. Diçka e papritur

Qoftet e zgarës nostalgjike të Met Kodrës te Pazari i Ri. Është një pikë e pandryshueshme në një qytet ku gjithçka tjetër ndryshon nga dita në ditë.

Met Kodra's Shop

Te Met Kodra, foto nga IntoAlbania.

 9. Restorante për darkë

Fishop. I rehatshëm, i shijshëm, i freskët. Ka balancën e duhur për shijet e mia. Dhe antipastat më të mira.

 10. Bar/Klub

Bufe apo Nouvelle Vague. Për një mbrëmje të qetë, më pëlqen Bufe-ja. Ka shumë pije të mira si edhe raki. Nouvelle Vague është e ngjashme por pak më e zhurmshme dhe me koktejle shumë të mirë.

Nouvelle Vague, foto nga IntoAlbania.

Nëse doni të lexoni më shumë nga Kleitia, ndiqeni në blogun mindtriggers.org. Librin “Fluturim” me ese mbi qytetin e gjeni në të gjitha pikat Adrion si dhe Albania.

Explore More