Ardenica: Manastiri që sheh larg në horizont e histori - Into Albania

Ardenica: Manastiri që sheh larg në horizont e histori

237 metra mbi nivelin e detit e 8 km larg Lushnjës ndodhen kodrat e Ardenicës, të njohura për Manastirin e famshëm e peizazhet e jashtëzakonshme. Nëse do të vizitoni këtë vend bëhuni gati për një udhëtim që është sa historik e shpirtëror, aq edhe kulturor e fetar. Dyshohet se shumë përpara ndërtimit të Manastirit aty gjendej më parë një tempull pagan kushtuar Artemisës, prej nga do të rridhte dhe emri Ardenicë.

Fillimisht ishte Kisha e Shën Triadhit, ajo që rreth shek. X la gjurmën e parë të krishtërimit në këtë vend. Prania e kapelës së kësaj kishe bëri që po aty të fillonte ndërtimi i Manastirit me kërkesë të perandorit Andronik II Paleolog i Bizantit në vitin 1282. Në një sipërfaqe që sot zë 2,500 metra katrorë, manastiri u ndërtua e pasurua përgjatë shekujve.

Dasma e Skënderbeut

E dhëna më interesante historike është ajo që e lidh këtë vend me Skënderbeun. Në prill të 1451 në një ceremoni që zgjati me ditë të tëra, Skënderbeu u kurorëzua në martesë me Donikën në altarin e këtij manastiri, në praninë e shumë të ftuarve të rëndësishëm. Mendohet se kurorëzimi u bë në kapelën e Shën Triadhës, dhe sot të shumtë janë turistët që rendin të shohin nga afër këtë vend që ka bërë historinë.

Kisha e Shën Mërisë (Lindja e Hyjlindëses Mari) është dhe godina më imponuese e gjithë manastirit bizantino-ortodoks. E ndërtuar me gurë të ardhur nga Apollonia e gurë shtufi, kjo kishë tërheq me arkitekturën e saj të stilit Bazilikal, me portikun e hapur me kolona e harqe si dhe këmbanoren e lartë 24 metër. Piktorët korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi kanë lënë shenjën e tyre falë afreskeve të mrekullueshme në ambjentet e brendshme të Kishës, të cilat pasqyrojnë episode të Dhjatës së Vjetër e të Re. Ikonostasi i gdhendur në dru, apo ikonat e Kostandin Shpatarakut i shtojnë akomë më shumë bukurinë dhe vlerat kësaj kishe.

Biblioteka

Përgjatë shekullit të XVII – XVIII Manastiri u bë i njohur dhe për bibliotekën e tij të pasur, ku numëroheshin me dhjetëra mijëra volume. Falë kësaj biblioteke që ishte ndër më të mëdhatë në Ballkan, priftërinj nga plot shtete vinin këtu për të thelluar leximet e tyre. Me kalimin e kohës u hap dhe një shkollë e mandej një gjimnaz me konvikt për mësimin e liturgjisë fetare e greqishtes, ndërsa gjatë Rilindjes Kombëtare manastiri u kthye në një vatër të rëndësishme të mësimit të gjuhës shqipe.

Përtej vlerave të shumta që përmban, Manastiri vlen të vizitohet dhe për pozitën strategjike në të cilën ndodhet. Peizazhet e jashtëzakonshme që së largu përfshijnë deri Malin e Dajtit, Tomorin, apo detin Adriatik e Lagunën e Karavastasë, e bëjnë vizitën në Ardenicë një udhëtim të mbushur me përjetime që nuk duhen humbur.

 Si të shkoni: Pranë Rrugës Kombëtare Lushnjë – Fier.

    08:00 Deri më 14:00
    Lushnjë – Fier Rruga Nacionale. Get Directions
    1 Orë

Explore More