Arti i qëndisjes i Vjollca Mezinit - Into Albania

Arti i qëndisjes i Vjollca Mezinit

Në Qafën e Pazarit në Gjirokastër gjen Vjollca Mezinin, një qëndistare që sytë dhe shpirtin ia dedikon prej vitesh zbukurimit të pëlhurave, duke skalitur me gjilpërë e penj shumëngjyrësh Gjirokastrën, qytetin e saj. Gishtat e shpejtë luajnë me gjilpërën duke lënë mbi dantella vizatime të qytetit, shtëpive karakteristike, Kalasë së Argjiros, urave dhe sokakëve që janë frymëzimi i artizanëve. Nuk është e thjeshtë me kokën ulur për orë të tëra të endësh në qëndisje. Për Vjollcën, zbukurimi i pëlhurave shpërblehet nga sytë dhe interesi i turistëve e vizitorëve. Puna e dorës është e rrallë dhe gratë shqiptare e kanë kultivuar këtë mjeshtëri për shekuj. Tek Vjollca gjen shumëllojshmëri, nga motivet gjeometrike të qëndisura bukur mbi beze e deri tek fistonët e bardhë që ravijëzojnë Kalanë e Gjirokastrës apo Qafën e Pazarit, krenaritë e arkitekturës së gurtë.

 

Explore More