Bredhi i Hotovës – Oazi Natyror i Jugut të Shqipërisë - Into Albania

Bredhi i Hotovës – Oazi Natyror i Jugut të Shqipërisë

Me peizazhe mahnitëse, plazhe përrallore dhe ushqim të mrekullueshëm, Shqipëria është kthyer në një destinacion unik, ku gjen çdo gjë që natyra mund të fal.

Krahas turizmit bregdetar pasioni i të huajve, së fundmi edhe i pushuesve shqiptarë, janë parqet natyrore. Pavarësisht se me një shtrirje të vogël, Shqipëria numëron shumë të tilla.

Një ndër to është edhe Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës.  Është një nga ato bukuri që duhet të bëhet pjesë e destinacioneve për t’u vizituar këtë verë.

Ky park mund të konsiderohet pa asnjë dyshim mushkëria natyrale e jugut të Shqipërisë. Me një shtrirje prej 1400 hektarësh dhe një masiv të mrekullueshëm të përbërë kryesisht nga bredhi maqedonas, është një nga perlat turistike të Shqipërisë dhe ofron surpriza të këndshme në të gjitha stinët e vitit.

Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës, foto nga AZM Gjirokastër

Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës, foto nga AZM Gjirokastër

Bredhi i Hotovës i pasur jo vetëm me natyrë, por edhe kulturë

I pozicionuar rreth 35 km larg qytetit të trëndafilave, Përmetit, ky park shtrihet gati deri në Greqi dhe është i vizitueshëm në zonat e Piskovës dhe Frashër. Në pyll mund të arrihet nëpërmjet rrugës automobilistike si edhe përmes shtigjeve të rrugës kryesore. Më të mbërritur në park, përveçse të sodisni këtë kurorë të gjelbër të natyrës, mund të përfitoni nga koha e të bëni dhe piknik. Duhet theksuar se në këtë zonë nuk ekzistojnë struktura pritëse por është e mundur të ngrihen ҫadra ose të qëndrohet në stacionin e pyjores pasi të jetë marrë leja e autoriteteve përkatëse.

Për më sportivët , ata që janë më të apasionuar ndaj hiking dhe trekking kjo zonë ofron rreth 5 itinerarë të ndryshëm.

Parku Bredhi i Hotovës mund të vizitohet jo vetëm për turizëm natyror, por edhe kulturor meqë rreth tij shtrihen disa fshatra me një traditë kulturore të veçantë. Në afërsi të tij gjenden fshatrat karakteristikë si Ogreni, Hotova, Borocka, Pagria, Kreshova, Soropulli apo i mirënjohuri fshati Frashër, ku ndodhet edhe shtëpia- muze e vëllezërve me të njëjtin emër, si edhe teqeja e Frashërit.

E gjithë zona e Bredhit është shpallur Park Kombëtar në vitit 1996 dhe sot konsiderohet si masivi pyjor më i mbrojtur në Shqipëri duke i rezistuar deri tani çdo dëmtimi.

Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës, foto nga AZM Gjirokastër

Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës, foto nga AZM Gjirokastër

Pasuritë e Florës dhe Faunës

Parku Bredhi i Hotovës konsiderohet si një ndër më të mëdhenjtë e ballkanit dhe me një lartësi nga 800 në 1600 metra, përmban një biodiversitet të larmishëm dhe është i pasur me florë dhe faunë. Përveҫ bredhave maqedonas, pamjës, shkozës së zezë, dëllinjës gjenden dhe shumë bimë medicinal dhe aromatike.

Ndër kafshët që popullojnë zonën bënë pjesë ariu i murmë, ujku, dhelpra, kunadhja, derri i egër, lepur i egër, ketri, kaprolli si dhe shpendë ndër të cilët kukuvajka, bufi, shqiponja, mëllenja, turtulli. Përreth parkut mund të admirohen pamje magjepsëse të kreshtave të maleve dhe të vizitohen maja kanionesh të mrekullueshëm ndër të cilët nuk mund të mos vizitohet ai i Kamenicës.

Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës, foto nga AZM Gjirokastër

Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës, foto nga AZM Gjirokastër

Ky oaz i rrallë natyror i pasur me  kanione mahnitëse, të cilat vishen me pyjet halore, apo edhe me lëndinat alpine, po kthehet hap pas hapi në një burim vlerash tërheqëse turistike.

Explore More