Butrinti: Etapat e zhvillimit të Mesdheut brenda një vendi - Into Albania

Butrinti: Etapat e zhvillimit të Mesdheut brenda një vendi

Nga monumentet e panumërta të vendit, Butrinti është ai i cili e ka njohur gjithë botën me Shqipërinë. Rrënojat 2500-vjeçare të Butrintit, brenda një parku madhështor të gjelbërt e me një hapësirë prej 30 km, janë disa nga më të bukurat e të mirëmbajturat në Evropë. Për këtë arsye, në vitin 1992, Butrinti u shpall si Vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO dhe kryeson çdo listë ndërkombëtare të atraksioneve që duhen parë në Shqipëri! Për interesin që ky vend zotëron në turizmin ndërkombëtar, ai mbetet oaz i një qetësie të rallë, brenda së cilës mund të shëtitet pafundësisht, pa shpenzuar orë në radhë të gjata e pa pengesat që do të shoqëronin një eksperiencë të tillë në vende të ngjashme.

Monumentet në Butrint

Monumentet e Butrinitit reflektojnë historinë e tij të pasur duke filluar nga periudha helenistike e duke vazhduar në atë romaken, bizantinen e venecianen. Ndonëse jeta brenda Butrintit kishte filluar kohë më parë, ndikimi i kulturës helene në Shqipëri filloi në shekullin e VI-të para Krishtit, kur grekët e ardhur prej Korfuzit u vendosën në kodrën e  Butrintit të sotëm. Asokohe i quajtur Buthrotum, sipas mitologjisë, ky emër vjen nga fjala buthrotos (dem i plagosur) duke referuar flijimin e një demi prej trojanëve kur ata themeluan qytetin mbi kodër. Edhe poeti i madh i Romës antike, Virgjili, na rrëfen për ndalesën e Eneas në Buthrotum në poezinë e tij epike, Eneidi!

Teatri grek

Në hyrje të qytetit antik, dallohet një nga kryeveprat helene më të mirëmbajtura të kësaj periudhe: Teatri Grek i shekullit të III-të para Krishtit, ku dikur mund të uleshin 2500 vetë, e ku shfaqjet e vëna në skenë ende të mundësojnë të përjetosh lavdinë e tij të dikurshme. Pranë teatrit ndodhen rrënojat e tempullit të Eskulapit (shek I – II), perëndisë antike të shëndetit dhe mbrojtësi i qytetit. Kur romakët mbërritën, rreth shekullit të II-të para Krishtit, ndërtimet më të mëdha në qytet kishin përfunduar, duke përfshirë fortifikimin si dhe akropolosin, i cili ishte ndërtuar në majë të kodrës shekuj më parë. Në vitin 44 para Krishtit, Butrinti u kthye në koloni të Romës, duke nisur periudhën e një sërë ndërtimesh të cilat sot janë dëshmi e krishtërimit të hershëm në Shqipëri. Kolonat e shumta dhe kryesisht mozaiku me 69 medaljone kishtare, janë dy prej bukurive të ralla të këtij vendi. Në vazhdim, dallohen muret madhështore të bazilikës së shekullit të VI-të dhe mozaikët e saj, fortifikimet në ngjitje të kodrës, të cilët datojnë në shekuj të ndryshëm, dhe Porta e Luanit (shek. V pas Krishtit), e cila shfaq relievin e një luani duke kafshuar në fyt një dem, simbol i mbrojtjes së qytetit.

Kalaja

Në majë të kodrës gjendet Kalaja, e periudhës venedikase të qytetit, e cila u ndërtua aty ku më parë gjendej akropoli antik në shekullin e XIV-të dhe u rikonstruktua në të njëjtën mënyrë në vitin 1930. Sot, në ambjentet e saj gjendet edhe Muzeu i Butrintit. Pamja nga maja e kodrës është dhurata e fundit spektakolare e Butrintit. Liqeni i Butrintit, kanali i Vivarit që lidh luginën e Butrintit me detin Jon, Kalaja trekëndore e ndërtuar aty pranë, si dhe pyjet e dendura që veshin gjithë peizazhin, janë korniza e kësaj kryevepre, i mikrokozmosit të rrallë të historisë së Mesdheut që është Butrinti.

Si të shkosh

Linja e autobusit Sarandë – Butrint, niset çdo 30 minuta nga Sheshi Nënë Tereza, në qendër të Sarandës. Çmimi i biletës kushton 100 LEK. Për më tepër kliko këtu.

    Çdo ditë 9:00 – 19:00
    Rruga "Butrinti", Sarandë Get Directions
    4 orë

Explore More