COD: Një hapësirë dedikuar kërkimit, artit dhe kulturës - Into Albania

COD: Një hapësirë dedikuar kërkimit, artit dhe kulturës

Turizëm Kulturor

COD: Një hapësirë dedikuar kërkimit, artit dhe kulturës

Turizëm Kulturor

Qendra për Hapje dhe Dialog/Center for Openness and Dialogue-COD u krijua me një objektiv të thjeshtë: një pjesë e selisë së Këshillit të Ministrave të transformohej në një hapësirë në shërbim të qytetarëve, duke përçuar mesazhin e hapjes, transparencës dhe transformimit.

COD u hap për herë të parë për publikun më 8 korrik 2015 dhe si një qendër unike kulturore, përjetohet nga vizitorët si një transformim sa fizik po aq edhe konceptual, pasi ka veçuar funksionalisht një pjesë të godinës historike të Kryeministrisë duke e vënë plotësisht në shërbim të qytetarëve.

Hapësirat e saj, përfshijnë: Hollin Protokollar, Bibliotekën, sallën “Tako Artistin”, Minilabin, Forumin, Hapësirën Digjitale, Dhomën e Takimeve dhe korridoret.

Secila prej këtyre hapësirave funksionon në bazë të një kalendari të integruar, i cili në koordinim me bashkëpunëtorë vendas dhe të huaj, zhvillon konferenca të nivelit ndërkombëtar, seminare, ekspozita, prezantime librash, bashkëbisedime dhe ceremoni protokollare, projeksione filmash, forume diskutimesh etj.

Burimi i fotos: COD.

Biblioteka e COD në Kryeministri, e ngritur mbi bazën e donacioneve, ka një fond librash prej rreth 5500 tituj librash. Fondi bazë i saj përbëhet nga Vendime të Këshillit të Ministrave, prej vitit 1945 dhe botime të Fletoreve Zyrtare, ku më e vjetra   i përket vitit 1922, të cilat janë në funksion të institucionit.

Si një bibliotekë me fond të hapur, ajo i ofron publikut një mjedis modern nga ku mund të shfrytëzohen koleksione me tematikat marrëdhënie ndërkombëtare, BE, shkenca politike, histori, arkitekturë, art, urbanizim, etj. Gjithashtu, gjenden koleksione të rralla librash, dorëshkrime, periodikë të ndryshëm, fjalorë, enciklopedi. Biblioteka është pjesë e sistemit online COBISS (Sistemi për shërbimet e përbashkëta bibliografike online), i cili ofron akses në 90 mijë tituj dhe është model reference për platformën e sistemeve kombëtare bibliotekare të informacionit.

Burimi i fotos: COD.

Hapësira Digjitale e COD u ofron qytetarëve, studiuesve apo të interesuarve, akses dhe qasje për të shfrytëzuar Arkivin Digjital të Këshillit të Ministrave. Të gjithë përdoruesit përmes tabletave dhe PC-ve, mund të aksesojnë Arkivin Digjital të Kryeministrisë, të ndarë në dy fonde: Fondi i Dokumenteve të Këshillit të Ministrave dhe Fondi i Fotove të Këshillit të Ministrave nga viti 1912.

Burimi i fotos: COD.

Foto

COD në hapësirën e konceptuar për ekspozita ka prezantuar artistë shqiptarë dhe të huaj.

Burimi i fotos: COD.

Për herë të parë, në ditën e hapjes së Qendrës janë ekspozuar tri vepra fotografike të artistit Thomas Demand. Në COD kanë ekspozuar artistët: Laurent Mareschal, Nathan Coley, Mia Enell, Ornela Vorpsi, Peter Kogler, Edi Hila, Alban Muja, Olson Lamaj, Flaka Haliti, Vigan Nimani, Pjerin Kolnika etj., si dhe “Chagall: Graviteti Magjik”, një nga ekspozitat më të rëndësishme me më shumë se 180 gravura dhe grafika origjinale të artistit Marc Chagall.


Burimi i fotos: COD.

Kujtesa historike dhe transformimet e Shqipërisë janë prezantuar përmes ekspozitës fotografike të Michel Setboun “Fundi. Fillimi. Shqipëria 1981-1991”; “Carta Nautica Uno”, një artefakt i rrallë historik, i realizuar në vitin 1455, nga kartografi gjenovez Bartolomeo Pareto; “Myrtis: ballë për ballë me të shkuarën”, ekspozita e veçantë që erdhi për herë në Shqipëri nga muzetë e mëdha të Greqisë; “Aleksandër Moisiu – Njeriu dhe Artisti”, ekspozita me 44 foto; “Arkivi Fotografik Pietro dhe Larissa Quaroni – Shqipëria 1928-1931” me foto befasuese të Shqipërisë së atyre viteve, etj.

Burimi i fotos: COD.

Qendra për Hapje dhe Dialog/ Center for Openness and Dialogue-COD  ndodhet  në  katin e parë të godinës së Kryeministrisë, me hyrje nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. COD qëndron i hapur për publikun çdo ditë të javës nga e hëna deri të premten, nga ora 09:30-14:00/ 17:30-20:30 dhe çdo të shtunë, nga ora 17:30-20:30.

Për të rejat më të fundit, si dhe për të ndjekur kalendarin e COD vizitoni faqen web: www.cod.al  ose në rrjetet sociale: facebook, twitter, instagram.

Nga: IntoAlbania

  • Orari i vizitave E hënë - e premte 09:30-14:00 dhe 17:30-20:30 E shtunë 17:30 to 20:30
  • Adresa: Kryeministria, bulevardi "Dëshmorët e Kombit". Orientohu në hartë

Çfarë ofron Tirana

Të ngjashme

Të rejat

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics