Destinacioni më i Ri ''Shtegu i Ngjyrave'' - Magjia e Livadheve Alpine - Into Albania

Destinacioni më i Ri ”Shtegu i Ngjyrave” – Magjia e Livadheve Alpine

Për të apasionuarit pas hiking dhe natyrës ekziston një shteg i ri për ecje me distancë të gjatë, por edhe me një natyrë të virgjër. Bëhet fjalë për Shtegun e Ngjyrave, i cili është pjesë i Parkut Natyror Korab-Koritnik.

Ky shteg kalon nga bjeshkët e Çajës të Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit. Afër këtij shtegu ndodhet edhe trekëndëshi ndërkufitar Kosovë-Shqipëri-Maqedoni e Veriut.

Ekzistojnë disa shtigje lidhëse dhe pika dalëse që çojnë në zona të banuara, që shoqërohen me nivele të ndryshme vështirësie për ecje. Seksioni më i madh i shtegut, rreth 150 km, është në territorin shqiptar ku kalon nëpër Parkun e Natyrës Korab-Koritnik e njohur si një luginë alpine dhe habitat i shumë kafshëve të egra. Pamja që e rrethon është vërtetë magjike dhe për rreth 7 orë ecje ky shteg do t’ju lëri me gojë hapur. Sezoni i verës është dhe më i bukuri për ta vizituar pasi shumëllojshmëria e luleve të kësaj zone e kthejnë atë në një parajsë të vogël në tokë.

Shtegu i Ngjyrave, foto Afrim Tahiraj

Historiku

Gjurmët e këtij shtegu vijnë që nga lashtësia në kohën e krishtërimit. Mendohet se është një shteg 2400 vjeçar, i quajtur ” Scardus” nga Romakët, që në latinisht do thotë plot ngjyra, për shkak të luleve të shumta dhe peizazhit që krijohet në stinë të ndryshme. I pozicionuar në jug të maleve të Sharrit, mendohen që kjo hapësirë të jetë ndër kullotat alpine më të mëdha në Evropë.

Shtegu i Ngjyrave, foto Afrim Tahiraj

Shtegu i Ngjyrave, foto Afrim Tahiraj

Ky shteg ka qenë pjesë e një projekti rajonal të financuar nga qeveria gjermane dhe zbatuar nga GIZ. Edhe sot gjermanët si kryepromotor të shtegut i kanë ruajtur të njëjtin emër High Scardus Trail, ku nuk përfshin vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e rajonit.  Me investimin në këtë shteg ata kishin si synim rritjen e mundësive të punësimit në këtë rajon ndërkufitar të Ballkanit Perëndimor përmes zhvillimit të turizmit.

Shtegu i Ngjyrave është një emër i vendosur nga banorët, por që e meritojnë këto male të larta pasi ngjyrat ndryshojnë gjatë stinëve duke i dhënë një pamje spektakolare kësaj lëndine alpine.

Kjo zonë është e njohur për blegtori, për shkak të lëndinave, ku para viteve ‘90 rriteshin 50 mijë krerë bagëti. Gjithashtu zona njihet për kulinarinë , apo dhe sportin e skijimit, ku kujtojmë që ekipi Shishtavecit është shpallur kampion për shumë vite.

Shtegu i Ngjyrave, foto Afrim Tahiraj

Shtegu i Ngjyrave, foto Ermal Hallaçi

Ermal Hallaçi i cili është guidë lokale ka theksuar për IntoAlbania se që nga qershori (që nga momenti që dolëm nga karantina) dhe deri tani,  e kanë vizituar rreth 200 persona Shtegun e Ngjyrave, i cili çdo ditë e më shumë po merr vëmendjen e munguar.

Shtegu i Ngjyrave, foto Ermal Hallaçi

Shtegu i Ngjyrave, foto Ermal Hallaçi

Shtegu i Ngjyrave, foto Afrim Tahiraj

Explore More