Dhërmi: Fshati simbol i pushimeve verore - Into Albania

Dhërmi: Fshati simbol i pushimeve verore

Në Shqipëri, nëse thua verë, zëre se ke thënë Dhërmi, e nëse thua Dhërmi, zëre se ke thënë verë! Ky fshat turistik ka aq shumë arsye për të qënë simboli i stinës së nxehtë në Shqipëri, sa është e vështirë të mendosh një sezon plazhi të plotë pa u zhytur të paktën një herë në ujërat e Dhërmiut.

Deti

“Përballë detit lumturia është një ide e thjeshtë” shkruante shkrimtari francez Izzo, e është pikërisht deti arsyeja kryesore se përse përvit me mijëra turistë shqiptarë e të huaj, zgjedhin Dhërmiun për të kaluar pushimet e tyre. Tonalitetet e blusë, gjiret e mrekullueshëm, sportet ujore e rrezet e diellit, e bëjnë detin e Dhërmiut një ide të thjeshtë lumturie, që mund të jetohet nga kushdo.

Jeta e natës në Dhërmi

Si Dhërmiu, ashtu edhe fshatrat e tjerë përreth të Palasës, Drimadhesit apo pak më tutje Jalit,  kanë disa nga lokalet më në modë verore të jetës së natës në Shqipëri. Të rinjtë e kryeqyetit duket se zbresin të gjithë këtu, e bashkë me ta, vijnë gjithashtu klubet e dj më të mirë që e ndezin atmosferën dhe i japin jetë natës.

Kishat shekullore

Shpesh të lëna në harresë nga turistët për shkak të binomit të pakonkurrueshëm det & diell, kishat e Dhërmiut kanë të gjitha karakteristikat e nevojshme për t’u eksploruar e për t’i dedikuar kohën e nevojshme. Mjafton të përmendim kishën e Manastirit të Panaisë ndërtuar në shekullin e XII, e njohur dhe si kisha Mbrëtërore pas vizitës së bërë nga e bija e perandorit bizantin Aleksi I Komneni, për të kuptuar se kishat e kësaj zone janë të mbushura me histori, vlera kulturore e arkitekturore.

Restorantet

Ashtu si dhe me lokalet e natës, disa prej shefave më të mirë të vendit mblidhen këtu në verë për t’i dhënë akoma më shumë shije pushimeve të turistëve. Pjatat e detit, me produktet e freskëta, të servirura nën puhizën e Jonit, apo zhurmën e këndshme të dallgëve, janë thjesht të parezistueshme! Disa nga restorantet më të këshillueshme janë: Royal Blue Restaurant, si dhe Elysium Restaurant. Për të vazhduar me turin e jugut, kliko këtu.

Explore More