Drini i Zi - Into Albania

Drini i Zi

Peshki, rafting dhe plazh

Drini i Zi dhe gjithë luginat e tij mbeten një hapësirë për tu eksploruar në Shqipëri. Lumi më i gjatë që përshkon verilindjen e Shqipërisë deri në detin Adriatik në perëndim është një nga atraksionet që po zbulohet edhe si hapësirë për sporte ujore. 

Burimi

Drini i Zi buron nga Maqedonia dhe përshkon qarkun e Dibrës deri në kufijtë me qytetin e Kukësit, me një gjatësi prej 149 kilometrash në total. Më pas në veri bashkohet vrullshëm me Drinin e Bardhë dhe së bashku udhëtojnë plot thellësi deri në detin Adriatik. Një degëzim i Drinit të Zi derdhet pranë Lezhës për shkak të një rrjedhe që banorët vendas thonë se u krijua nga përmbytjet e dy shekujve më parë.

Rafting

Aty ku lumi është kapriçoz dhe nuk e ndjek dot rrjedhën e tij, mund të shijosh natyrën. Aty ku shtrati i Drinit është i madh është rasti i guximtarëve për të bërë rafting, madje rafting të sigurtë pa shumë mundime, sepse hapësira është e gjerë. Sapo hyn në territorin shqiptar Drini i zi ndahet në degëzime të mëdha që përshkojnë si kapilarë rrethinat e Dibrës, qarkut më të afërt me këtë lumë. Banorët e Peshkopisë kanë fatin të jetojnë me rrënjët e qytetit në brigjet e Drinit të Zi dhe lumi ua ka shpërblyer.

Plazh dhe peshkim

Në lugina të vogla ku rrjedha e lumit shtrohet, Drini është gjithashtu në verë një vend ideal për të bërë plazh. Në Fushë-Muhurr gjeni plazhin me të njëjtin emër, vetëm 25 minuta larg Peshkopisë. Por çfarë e bën lumin edhe më atraktiv? Të apasionuarit pas peshkimit mund të kalojnë orë të tëra në qetësinë e natyrës duke pritur gjahun në grep. Përpara se të nisni eksplorimin e zonës rreth luginave të Drinit, mund të pyesni në qendrat e informimit për turistët në Peshkopi, ku janë publikuar disa nga guidat që ju udhëheqin në atraksionet natyrore më me famë të zonës.

Explore More