Elbasan Arena - Into Albania

Elbasan Arena

Aty ku luan kombëtarja shqiptare

“Elbasan Arena” është tashmë një nga vendet kryesore të ndeshjeve të kombëtares shqiptare të futbollit.

Stadiumi “Elbasan Arena” është një nga dy impiantet më të mëdha sportive të çertifikuara nga UEFA në Shqipëri. Prej disa vitesh stadiumi i nivelit ndërkombëtar është arena e lojës më të dashur për botën, futbollit. Impianti është një destinacion turistik gjithashtu. Qytetit të Elbasanit i ka dhënë tjetër hijeshi hapësira kushtuar sportit dhe garave atletike. Arena ndodhet në bulevardin qëndror të qytetit, lehtësisht i arritshëm nga çdo pikë rreth Elbasanit, por edhe nga Tirana.

Stadiumi ka 12.500 vende për sportdashësit. Tapeti i fushës së blertë është shtruar me bar natyral. Rreth saj vijëzohen 6 korsi atletike të shtruara me tartan të cilësisë së lartë. Impianti ka tribuna për mediat, zona shlodhjeje për tifozët, salla konferencash, tribuna VIP, hyrje emergjence, hyrje për personat me aftësi ndryshe, një sistem ndriçimi të cilësisë së lartë, të gjitha standarde që e rendisin këtë impiant sportiv në rradhën e arenave ndërkombëtare. Performanca e arkitekturës lejon transmetime televizive me parametrat e duhur. E veçanta e stadiumit është koreografia e tij. Ndërsa hyn në portat ballore të impiantit të boshatisur ndenjëset krijojnë simbolin kombëtar të shqiponjës.

Hapësira e dikurshme sportive e qytetit u hap për herë të parë shekullin e kaluar, në vitin 1960. Asokohe stadiumi përdorej për stërvitjet dhe ndeshjet e skuadrës lokale të qytetit. Prej vitit 2014 u bë arenë ndërkombëtare ndeshjesh. Skuadra kampione e Kupës së Botës 2018, Franca, ka luajtur mbi tapetin e arenës së Elbasanit. Emra të mëdhenj të futbollit ndërkombëtar si Christiano Ronaldo kanë dhuruar spektakël për sportdashësit shqiptarë dhe ata të huaj.

Stadiumi rrethohet nga një zonë interesante baresh dhe restorantesh të cilat e bëjnë edhe më emocionuese pritjen ose mbarimin e një ndeshje futbolli. Nëse ka ndeshje në “Elbasan Arena”, atmosfera ndihet sapo hyn në qytet.

    Rruga Besim Qorri, Sheshi "Elbasan Arena" Get Directions

Explore More