Galeria Kombëtare e Arteve - Into Albania

Galeria Kombëtare e Arteve

 Mes realizmit socialist dhe shkollës italiane të pikturës

Ajo që e veçon artin pamor shqiptar nga vendet e tjerë të botës është se periudha e lulëzimit të tij shënon pikërisht edhe periudhën e censurës së tij më të madhe. Gjatë komunizmit, piktorëve nuk u lejohej të dilnin nga skematizmi i realizmit socialist, idealizimit të figurës së udhëheqësit, Enver Hoxha, si dhe glorifikimit të luftës që ai udhëhoqi. Galeria ishte i vetmi institucioni i cili kontrollonte punën e artistëve gjatë komunizmit, rëndësija e saj asokohe është e ngjashme me atë të Sallonit francez të shekullit të 18-të. Disa nga piktorët më të mëdhenj shqiptarë, si Maks Velo, Edi Hila, Edison Gjergo e shumë të tjerë, janë dënuar me burg për vepra të konsideruara “jashtë skeme.” Fatmirësisht, disa prej veprave të tyre gjenden në fondin e Galerisë së Arteve.

Ishte një komitet i vogël artistësh i cili vendosi të krijojë pinakotekën, institucionin e parë të arteve pamore në Shqipëri, e vite më pas, më 1954 u shënua hapja zyrtare për publikun e Galerisë Kombëtare të Arteve. Nga viti 1949 e deri më sot, Galeria Kombëtare e Arteve funksionon si i vetmi institucion kulturor i këtij lloji. Galeria u zhvendos në vitin 1974  në vendin ku është sot, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke u shpallur monument i trashëgimisë kulturore. Kjo ndërtesë hyn në komplekset që u ndërtuan në qendër gjatë kohës së diktaturës, duke reflektuar të njëjtën frymë arkitekturore si Muzeu Historik Kombëtar dhe Pallati i Kulturës. E organizuar në salla të mëdha, godina dykatëshe mban formën T, ku në katin e pare gjendet biblioteka e galerisë, bashkë me dy sallat e ekspozitave. Dy aktivitete të rëndësishme janë ekspozita ndërkombëtare Onufri dhe bienalja e Mesdheut, të cilar përfshijnë artistë të të huaj e vendas.

Galeria mban koleksionin e saj të veprave të prodhuara gjatë realizmit socialist, të cilat janë masive në përmasa dhe përbëjnë koleksionin më të madh të Galerisë. Për një periudhë të shkurtër ky koleksion përbënte një ekspozitë përmanente, e cila tashmë është mbullyr por jo pa shkaktuar plot debate. Galeria ruan edhe një koleksion të larmishëm me rreth 4500 vepra të artistëve shqiptarë e të huaj. Veprat datojnë prej viteve ‘800, periudhë kjo e cila shënon plejadën e parë të artistëve shqiptarë të shkollës së akademisë italiane të Artit. Kjo galeri tregon vërtet se sa i gjithëanshëm është arti dhe se si ai është i aftë të tregojë historinë e vërtetë të një populli në mënyrën më të bukur.

    Çdo ditë 09:00-19:00
    Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë Get Directions
    2 orë

Explore More