Gdhendja e gurit - Into Albania

Gdhendja e gurit

Një burrë me sy të zgjuar e me rrudha të jetës në portret të mirëpret diku më poshtë në Qafën e Pazarit në Gjirokastër, duke goditur një masiv të ngurtë për t’ i dhënë në fund formën e Kalasë së Argjiros. Ai është mjeshtri Muhedin Makri që trashëgoi nga gjyshi e më pas nga i ati aftësinë për të gdhendur gurët. Dalta dhe çekiçi ngulen mbi masivet e gurta dhe vetëm Muhedini e di se cili është këndi i duhur për të formuar atë që duhet. I ka kaluar të 70-at por nuk tregon lodhje në asnjë moment. Çdo mëngjes hap dyqanin e tij modest të mbushur me punime të ndryshme dhe ashtu i palodhur punon mbi porositë e vizitorëve ose gjirokastritëve që duan të kenë një punim rezistent ndaj kohës, si emblemë në shtëpitë e tyre. Jeta e mësoi që të ri të punojë mbi materialin më të ashpër të natyrës, prejt të cilit janë ndërtuar shumë nga shtëpitë e famshme të Gjirokastrës. Është e pabesushme kur në fillim ke parë një masiv të gurtë dhe në përfundim një figurë plot finesë mbi të. I gjen aty në dyqanin e tij portretin e Ismail Qemalit, Ismail Kadaresë apo të figurave që kanë lënë shenja në historinë e qytetit dhe Shqipërisë.

Për reportazhet televizive mbi punët e Makrit kliko linqet përkatëse: OraNews, VizionPlus.

Explore More