Gjergj Kastriot Skënderbeu – Heroi Kombëtar Shqiptar - Into Albania

Gjergj Kastriot Skënderbeu – Heroi Kombëtar Shqiptar

Gjergj Kastriot Skënderbeu është Heroi Kombëtar i shqiptarëve dhe një nga figurat më të lavdishme për Ballkanin dhe Evropën Perëndimore.

Kastrioti që sot jehon në kufijtë e legjendës dhe historisë lindi në zonën e Dibrës në 6 maj 1405. Gjergji ishte djali më i vogël i një familje të madhe sundimtarësh në Shqipërinë veriore dhe trashëgimtari i fundit i Kastriotëve. Disa nga monumentet e tij ndodhen në kryeqytete evropiane për të përkujtuar rezistencën që Heroi i shqiptarëve u bëri ushtrive turke, duke mos lejuar depërtimin e tyre në Evropë.

Metamorfoza e një heroi

Skënderbeu u mor peng që fëmijë bashkë me vëllezërit e tij për shkak se i ati, Gjon Kastrioti kundërshtonte sundimin e perandorisë turke. Gjergji e fitoi edukimin arsimor dhe ushtarak në territoret turke, atje ku jetoi përpara se të rikthehej në vendlindje. Disiplina, largpamësia, diplomacia, aftësia për të udhëhequr u shfaqën gjatë rritjes së Skënderbeut në rradhët e ushtrisë turke. Tiparet e personalitetit e shpërblyen shpejt duke marrë grada të larta në ushtrinë osmane. Historianët tregojnë se Skënderbeu ishte një orator i shkëlqyer dhe zotëronte disa gjuhë të huaja.

Në vitin 1443 ai u dërgua nga Sulltani i kohës të luftonte hungarezët e udhëhequr nga një tjetër bashkëkohës i Skënderbeut, Huniadi. Ky ishte momenti që Kastrioti i ri u largua nga beteja dhe i ktheu njerëzit më besnikë që udhëhiqte drejt territoreve shqiptare. Hyrja e Skëndërbeut në Krujë në 28 Nëntor të vitit 1443 është një moment historik për shqiptarët që bashkuan principatat kundër turqve. Kalorsiak i krishterë, inteligjent për të bërë aleancat e duhura Skënderbeu arriti të krijonte rreth vetes një bashkim ideal të familjeve të mëdha që rezultoi fatal për turqit dhe përparimin e tyre drejt Evropës. Në arkivat e Vatikanit ka dokumente që tregojnë për korrespondencat e kohës mes Papës dhe heroit.

Ku ta gjeni në Shqipëri

Skënderbeun dhe historinë e tij e gjeni gjerësisht në Krujë, në qytetin simbol të rezistencës kundër turqve. Aty është Muzeu Kombëtar që mban emrin e Kastriotit dhe pasqyron me hollësi kohët e prijësit. Në Tiranë, në kërthizë të kilometrit 0 gjendet monumenti i jashtëzakonshëm i Heroit Kombëtar dhe i gjithë sheshi mban emrin e tij. Në Bibliotekën Kombëtare pranë monumentit gjenden një sërë dokumentesh e botimesh që shpjegojnë të gjithë përmbajtjen e kohëve kur lindja dhe perëndimi i Evropës luftonin për territore.

Skënderbeu thuhet se u shua në moshën 63 vjeçare në qytetin e Lezhës, më 17 janar 1468. Disa studiues thonë se ai vdiq për arsye natyrale por ka të tjerë që thonë se ai u helmua. Me vdekjen e tij mori fund rezistenca kundër turqve. Veshja e tij, shpata me të cilën luftonte, pwrkrenarja dhe gjithë pamja e jashtme mbeten frymëzuese për artet pamore me subjekte historike.

Explore More