Gjiri i Gramës - Into Albania

Gjiri i Gramës

Një parajsë e vërtetë e vendit

Doni të vizitoni një nga vendet më unike të Shqipërisë? Gjiri i Gramës, është thjesht spektakolar përmes ngjyrave dhe historisë që mbart.

Gjiri i Gramës është një nga perlat e bregut të Jonit. Deti hyn mes masiveve shkëmbore duke krijuar një plazh fantastik për të pushuar. Në antikitet Gjiri i Gramës njihej si streha e anijeve që ankoroheshin për t’ u shpëtuar dallgëve të forta të detit. Dhjetëra mbishkrime të gdhendura në shkëmbinj e lidhin Gramën me kohët para Krishtit. Shkrime në gjuhën greke apo latine janë konservuar në shekuj në masivet që rrethojnë gjirin spektakolar.

Duke vajtur te Gjiri i Gramës. Foto nga IntoAlbania.

Vendndodhja

Rruga e vetme më e shkurtër për të shkuar në gji është udhëtimi në det. Por të apasionuarit pas aventurës se ecjes kanë shënjuar edhe itinerare tokësore, të një niveli të caktuar vështirësie. Ekspeditat të shumta kanë provuar me orë të tëra udhëtimin në këmbë mes pyejeve të Parkut të Llogorasë drejt rrëpirave të Karaburunit që zbresin thikë mbi det. Në një nga këto rrëpira në pjesën perëndimore të Gadishullit pranë zonës së Orikumit, dallohet në hartën digjitale plazhi i Gramës. Çdo vizitor ka në dispozicion qindra metra hapësirë për plazh dhe banjo dielli.

Gjiri i Gramës, foto nga IntoAlbania.

Gjiri i Gramës, foto nga IntoAlbania.

Mbishkrimet

Gjiri e ka marrë emrin nga më shumë se 1500 mbishkrime në gur të kohëve të ndryshme. Sipas Ols Lafes, Drejtorit të Qendrës për Zhvillimin e Trashëgimisë Antike dhe Mesjetare Shqiptare, mbishkrimet datojnë të paktën nga shekulli i 3-të para Krishtit e deri në fund të shekullit të 19-të. Disa emra mjaft të rëndësishëm përmenden në këto mbishkrime sikurse edhe ai i perandorit bizantin John V Palaeologus. Nuk mungon as fenomeni interesant i mbishkrimeve të periudhës së socializmit të ushtarëve të stacionuar aty.

Mbishkrimet e Gramës, foto nga IntoAlbania.

Mbishkrimet e Gramës, foto nga IntoAlbania.

Mbishkrimet e Gramës, foto nga IntoAlbania.

Legjendat

Historitë e detit tregojnë se Grama përdorej edhe si gurore nga ku nxirreshin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire. Mendohet se mbishkrimet e shkëmbinjve janë lënë prej marinarëve dhe njerëzve që gërryenin shpatet e Karaburunit. Çfarë ofron tjetër Grama? Të apasionuarit pas shpellave kanë shumë për të zbuluar mes shkëmbinjve që jo çdokush i përshkon.

Grama, foto nga IntoAlbania.

    Nga deti përmes Vlorës dhe Himarës Get Directions

Explore More