Gjiri i Karaburunit - Into Albania

Gjiri i Karaburunit

Një potencial ende i pashfrytëzuar

Gadishulli i Karaburunit është kthyer një nga destinacionet më të kërkuara të bregdetit shqiptar, për faktin se është thuajse tërësisht i paprekur.

Gadishulli është i vetmi park detar në Shqipëri, dhe plazhet që mund të vizitoni këtu janë të panumërta. Gadishulli shtrihet përballë gjirit të Vlorës, si një gisht që tregon peisazhin mbresëlënës të rrethuar nga uji. Gadishulli konsiderohet rezervat natyror dhe njihet për gjiret e vogla detare me bukuri e natyrë të egër.

Turizëm

Karaburuni ka qënë një zonë e ndaluar për shumë kohë për shkak se shtrihej në një perimetër të sigurisë së lartë ushtarake. Prej disa vitesh kanë nisur turet ditore, ku më të thjeshtat për t’u realizuar janë ato përmes detit, pasi rruga automobilistike shpesh është e ndaluar për t’u përshkuar.

Gjatë muajve të verës Kepi i Gjuhëzës popullohet nga pushuesit që kërkojnë aventura në ujëra dhe brigje të virgjëra. Është thuajse ideale të kridhesh në ujëra të freskët ngjyrë smeraldi apo të marrësh ngjyrë, shtrirë mbi rënën e imët dhe të bardhë. Gjiri i Brisanit është gjithashtu një vend që ja vlen të vizitohet.

Gulf of Gramë

Gjiri i Gramës, Karaburun, burimi i fotos: pinterest.com Rim Prela.

Natyra

Relievi i gadishullit është i thyer, me gjire të shumta e plazhe të virgjëra, por ajo çfarë e bën edhe më mbresëlënës është ballkoni i Karaburunit që shtrihet mbi kreshtat e tij. Masivet shkëmbore bien mbi shpella ose mbi çarjet e formacioneve të gurta të cilat zbresin butë mbi plazhet e Dafinës ose në bregun e Bitrit.

Shpellat

Shpellat janë karakteristikë e gadishullit, një prej tyre më e famshmja është shpella e Haxhi Alisë. Objekti natyror njihet në legjendat e banorëve të Vlorës për lidhjet me botën e largët të piratëve të detit. Studiuesit thonë së është shpella më e madhe detare e Shqipërisë me ndarje të shumta në brendësi. Brenda shpellës fle një liqen modest rrethuar nga parete shkëmbore të dekoruara nga stalaktitet. Jo më pak e famshme është shpella e Gramës që fshihet brenda krahëve të gjirit me të njëjtin emër. Ky xhep natyror përdorej nga anijet për tu mbrojtur nga stuhitë, mbishkrimet e shumta që datojnë kohë të ndryshme mendohet se janë gdhendur nga marinarët apo piratët që kalonin orët duke pritur qetësimin e detit.

Karaburun, burimi i fotos: Altin Serani.

Si të shkoni

Në gadishull mund të shkohet në dy mënyra. Rruga detare është ajo më e shkurtra, por destinacioni arrihet edhe nga toka. Udhëtimi tokësor fillon nga Orikumi dhe përshkon mespërmes bazën e Pashalimanit. Por sigurisht kjo është mënyra më pak e preferuar, edhe pasi mund të ndodhë që baza ushtarake të jetë e bllokuar. Nga gjiri i Vlorës duhen vetëm pak minuta me skaf ose anije për të mbërritur në gadishullin e mistereve dhe natyrës së egër.

 

Explore More