Guidë e monumenteve skulpturore në Tiranë - Into Albania

Guidë e monumenteve skulpturore në Tiranë

Ato që kanë qenë e ato që mbeten

Skulpturat apo bustet e një qyteti kanë vlera të cilat shkojnë përtej historisë dhe veçanërisht ato të Tiranës zbulojnë identitetin e kulturën e kryeqytetit brenda një shëtitjeje.  

 Tirana përfshin shumë monumente që jo vetëm shënjojnë vlerat kombëtare por edhe tregojnë, në mënyrë të natyrshme, eventet dhe periudhat historike më të rëndësishme në vend. Vitet e arta të sklupturës në Shqipëri lidhen me emra të tillë si: Odhise Paskali, Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami, Janaq Paço, Andrea Mano, Hektor Dule, Shaban Hadëri, etj, të cilët me punimet e tyre i ndryshuan fytyrën Tiranës. Duke shëtitur në rrugët e Tiranës, keni rastin të zbuloni historinë e kryeqytetit përmes artit.

Statuja e Skënderbeut

Statuja e Skënderbeut është simboli i Tiranës. Një ndër statujat më historike të kryeqytetit, prej saj ka marrë emrin edhe sheshi qëndror i Tiranës. Kjo vepër iu besua tre figurave të njohura të skulpturës shqiptare: Odhise Paskali, Janaq Paço e Andrea Mano, në vitin 1957 dhe monumenti u inaugurua në vitin 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Artistët e monumentit ja dolën të përfaqësonin figurën sa universale po aq edhe specifike të udhëheqësit ushtarak dhe burrit të shtetit, krenar dhe të pamposhtur. Pavarsisht se sheshi ka ndryshuar gjatë dekadave, statuja e Skënderbuet mbetet dëshmitare e historisë së qytetit!

Statuja e Skënderbeut, në Sheshin Skënderbej, Tiranë. Foto nga IntoAlbania

Partizani i panjohur

Monumenti i ‘Partizanit të Panjohur,” apo “Ushtarit të Panjohur,” konsiderohet si vepra e parë e periudhës së pasluftës. Realizimi i saj u bë nga skulptori Andrea Mano, i cili vinte nga një formim rus, dhe u inagurua në vitin 1949. I vendosur mbi një pod, ushtari, në lëvizje e sipër, duket sikur po marshon i sigurt drejt fitores. Ky monument iu dedikua luftës çlirimatare dhe, në vitet në vijim, këto tipare do të përcaktonin shpesh rrugën e vetme për të paraqitur figurat monumentale të realizmit socialist. Sot ky monument ndodhet pranë qendrës në afërsi të Bibliotekës Kombëtare.

Monumenti i “Ushtarit të Panjohur” tek Sheshi Sulejman Pasha, Tiranë. Foto nga Endi Balza

Monumenti “Nënë Shqipëri”

I realizuar nga grupi i skulptorëve Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami e Shaban Hadëri, në vitin 1971, ky monument në atë kohë tërhoqi vëmendjën si pika më e lartë e triumfit të përjetësimit historik. “Nënë Shqipëri” u ngrit për përkujtimin dhe nderimin e atyre që dhanë jetën për liri. Ky monument përfaqëson gruan e re, të vendosur drejt dhe krenare, e cila mban në dorë një yll dhe një degë dafine, simbole të besimit të ri të vendit.

Mother Albania

Monumenti “Nënë Shqipëri”, Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Monumentet e Leninit dhe Stalinit

Vepra tashmë të lëna në harresë, monumentet e Leninit dhe Stalinit një herë e një kohë qendronin në dy anët e bulevardit kryesor si simbole të hyrjes së tij. Monumentet qëndrojnë të heshtur në oborrin prapa Galerisë Kombëtare të Arteve, ku mund të shihen nga afër nga të gjithë. Statujën e Leninit u realizua nga skulptorja e parë shqiptare Kristina Koljaka, e cila kishte një formim nga Akademia e Arteve të Romës. Ajo u inagurua në vitin 1951. Arti në vitet e para të socializmit lidhet me figura si Lenini e Stalini, duke ja lënë më pas vendin udhëheqësve vendas, të cilët shumë shpejt zunë qendrat kryesore të shesheve.

Monumenti i Leninit dhe Stalinit, mbrapa Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Foto nga IntoAlbania

Busti i Qemal Stafës

Jo shumë larg qendrës pranë parkut të presidencës në rrugën “Abdyl Frashëri”, ndodhet dhe busti i Qemal Stafës. Ai është inaguaruar në ditën e Heronjve, më 5 maj 1949 dhe është një ndër veprat e para të skulptorit Janaq Paço. Buste të tilla po ngriheshin për të lartësuar e nderuar heronjtë e Luftës Nacionalçlirimtare si edhe figurat e shquara të kombit. Sot ky bust konsiderohet si një ndër më të arrirët në llojin e tij.

Busti i Qemal Stafës tek parku i presidencës, Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Relievi i kryeministrisë

Ndër monumentet e veçanta dhe me vlerë konsiderohet edhe Relievi i Kryeministrisë, realizuar nga skulptorët Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Mumtaz Dhrami dhe Hektor Dule në vitin 1974. Kjo vepër është ndarë në tre plane, ku dominon ai i mesmi i ndërtuar nga tre figura të mëdha, ndërtuesi, mbrojtësi dhe flamurtarja. Të trija këto simbole dominohen nga ideologjia e fortë nacionaliste e periudhës.

Relievi i Kryeministrisë, Tiranë. Foto nga IntoAlbania

Explore More