Hotel Mangalemi-Tomi: Një vend i pasur në histori - Into Albania

Hotel Mangalemi-Tomi: Një vend i pasur në histori

Të gjithë ata që duan të shijojnë qëndrimin në Berat, mund ta bëjnë në një hotel që është njëherësh një shtëpi me vlera të shumta historike e kulturore për qytetin.

Ishte viti 1991, fill pas rëniës së diktaturës komuniste, kur Hotel Mangalemi-Tomi u hap në Berat, duke shënuar kështu një etapë të re për turizmin në këtë qytet. E pozicionuar në lagjen Mangalem që i dha dhe emrin hotelit, këtu do të takoni më së miri traditën e vjetër beratase të mikëpritjes.

Historia

Për të kuptuar historinë e ndërtesës duhet të njihemi më parë me historinë e Ahmet Kurt Pashës, i cili në vitin 1764 zgjodhi të vendosej në Berat, për të krijuar një pashallëk që do të kishte peshë të rëndësishme politike e ekonomike. Ai nisi të ndërtonte gjithashtu sarajet e tij, që shumë shpejt morën famë edhe përtej Beratit. Mjafton të përmendet se gurët u transportuan nga qyteti antik i Apollonisë. Hotel Mangalemi-Tomi është i pozicionuar pikërisht aty ku më parë ngriheshin sarajet e Pashës, dhe pranë hotelit mund të dallohet dhe “Porta e Pashait”, që reflekton deri në ditët tona madhështinë e sarajeve.

Hyrja e hoteli, foto nga Hotel Mangalemi-Tomi.

Tradita

Hoteli është ndërtuar në një godinë që përgjatë historisë së saj i ka përkitur një prej familjeve më të njohura të vendit, asaj të Vrionasve. Pikërisht në këtë godinë ka lindur dhe Iljaz Bej Vrioni, ish-kryeministër i Shqipërisë, gjithashtu nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë. Që prej vitit 1950 godina i përket familjes Mio.

Mangalemi-Tomi Hotel, foto nga IntoAlbania.

Hoteli

Menjëherë pas rënies së komunizmit, familja Mio vendosi ta restaurojë shtëpinë e vjetër e ta kthejë në një hotel, në mënyrë që dhe të tjerët të bëheshin pjesë e historisë së kësaj godine. Përgjatë dekadave hoteli është zgjeruar gjithnjë e më shumë, dhe sot është një emër i njohur i turizmit në Shqipëri.

Tavan prej druri në një nga dhomat e hotelit. Foto nga IntoAlbania.

Të gjitha dhomat janë arreduar në respekt të traditës e kulturës së qytetit, me punime të shkëlqyera druri, dhe në të njëjtën kohë me të gjitha komoditetet më moderne.

Dhoma Superior, foto nga IntoAlbania.

Bar & Restorant

Edhe për ata që nuk mund të pushojnë në hotël, sërish ka plot opsione për të admiruar atmosferën e vilës, falë restorantit të hotelit, apo barit me verandë. Një nga ambjentet tejet joshësë është dhe Çardaku, krijuar apostafat për turistët që duan të shijojnë një çaj apo kafe në një verandë tipike beratase, tek sa janë duke lexuar një libër apo biseduar.

Salla Vrioni, foto nga IntoAlbania.

Përveç historisë, trashëgimisë kulturore, vendndodhjes strategjike, panoramave, bareve e restorantit, hoteli ofron dhe një surprizë të fundit: Koko! Qeni i hotelit është kthyer në një personazh gjithashtu të njohur në Rrugën e Kalasë, pasi është mësuar tashmë të çojë turistët deri në Muzeun Etnografik apo në Kalanë e Beratit, aq sa mjafton një urdhër i lehtë, dhe të gjithë të ftuarit do të kenë një udhërrëfyes krejt autentik.

 

    Rruga Mihal Komnena, ose Rruga e Kalasë Get Directions

Explore More