Itinerari i Rrugës Egnatia - Into Albania

Itinerari i Rrugës Egnatia

Rruga e vjetër që përshkon gjithë Ballkanin

Via Egnatia, një rrugë mes lindjes dhe perëndimit të Evropës është shënuar në historinë e udhëtarëve prej shekujsh. Gjurmët e këtij toponimi rrugor bashkojnë gjithë vendet ballkanike dhe lindin në territorin e Shqipërisë e cila është porta e hyrjes në Evropë. Shqipëri, Greqi, Maqedoni e Turqi bashkohen edhe sot nga mbetjet arkeologjike të gjurmës së vjetër, për të cilën studiuesit thonë se njihet ndryshe si “Udha e Gjatë”.

Qindra kilometra nisin nga Durrësi antik dhe qyteti ilir i Apollonisë në Shqipëri. Dy degëzimet e hershme bashkohen pranë qytetit të Elbasanit dhe vijojnë në Manastir të Maqedonisë ose në Selanik të Greqisë. Gjurma e vjetër sërish degëzohet dhe prek Stambollin, ndaj studiuesit thonë se kjo rrugë për shkak të skajeve gjeografike që bashkonte, ishte zgjatim i rrugës së vjetër romake Apia.

Itinerari i Rrugës Egnatia 

Rruga e sotme automobilistike që përshkon distancën kombëtare mes Durrësit dhe Pogradecit është ndërtuar mbi hijen e ViaEgnatia. Një nga stacionet e famshme arkeologjike të rrugës është Ad Quintum që ndodhet pranë Bradasheshit në Elbasan. Më pas kalohet në Mirakë, në Qukës ku gjendej stacioni Tres Tabernas, Pishkash, Rrajcë deri sa hyn në Qafë Thanë. Karakteristikë e rrugës së hershme kanë qenë mënyra e ndërtimit të trasesë dhe urat që kalonin mbi lugina lumenjsh.

Rrënojat e stacionit “Ad Quintum” Bradashesh, foto nga IntoAlbania.

Guida tradicionale nis nga Durrësi në Kavajë, një segment në të cilin janë gjetur gjurmë të trasesë së vjetër. Pasi janë përshkuar stacionet historike të Elbasanit dhe lumit Shkumbin, udhëtimi do të ndalojë në Pogradec, një qytet piktoresk me dominancë strategjike mbi rrugën e vjetër. Ditën tjetër udhëtimi kapërcen kufijtë e Shqipërisë dhe ndalesa e rradhës do të jetë në Ohër dhe Manastir të Maqedonisë. Degëzim alternativ do të jetë Greqia e cila është nje ndalesë jo vetëm për tu shlodhur, por për të shijuar të gjithë dimensionin e saj historik dhe kulturor. Stacioni më domethënës në këtë rrugëtim ballkaniko-evropian do të jetë Selaniku.

Segmentet e fundit të rrugës janë një kryqëzim i ngjyrimeve romake dhe bizantine, çfarë përforcon karakterin unikal dhe strategjik që kishte “Udha e Gjatë”. Në Stamboll do të jetë ndalesa e fundit por jo më pak e rëndësishme. Qyteti e ka patur të përcaktuar fatin për shkak të vendndodhjes së tij në hartën e botës. Mbi kryqëzimet e historisë dhe besimit fetar, mbi hijet kulturore shumë kombëshe, udhëtimi në ViaEgnatia është epilogu i një zgjedhje të zgjuar turistike. Keni mbushur padyshim ditët tuaja dhe keni siguruar jehonën e kënaqësisë për javët në vazhdim.

Stacioni më i rëndësishëm arkeologjik i Ad Quintum”

Vetëm 7 km larg Elbasanit, në afërsi të Bradasheshit, ndodhet një prej zbulimeve arkeologjike më të rëndësishme të shekullit të kaluar: stacioni romak Ad Quintum, ose “milja e pestë” në latinisht. Ndonëse ky stacion u zbulua gjatë kërkimeve të vitit 1968 pranë rrugës së lashtë Egnatia, punimet për restaurimin e tij nisën vonë, në vitin 2017. Për këtë arsye, deri para pak vitesh kompleksi me vlerë të lartë historike ndodhej i mbuluar nga bimësi e lartë e larg vëmendjes së turistëve. Ky kompleks i lashtë përfshin dy monumente tipike të periudhës romake: termat (vaskat romake) dhe nimfeu (shatërvan) me një gjatësi prej rreth 42 metrash. Ndërtimi i tyre daton në gjysmën e dytë të shekullit të II-të pas Krishtit. Sot, këto monumente janë një prej atraksioneve më me vlerë të zonës dhe fatmirësisht të hapura për të gjithë.

Rrënojat e stacionit “Ad Quintum” Bradashesh, foto nga IntoAlbania.

Ture të posaçme

Sot nëpërmjet agjensive turistike mund të siguroni guidë disa ditore për ta ndjerë veten si udhëtari i kohërave të trazuara në Evropë. Albania Express ju pret të nisni nga Shqipëria qëmtimin e gjurmës historike, ku nga Durrësi do të përshkoni të gjithë segmentin e vjetër që kalonte njëherë e një kohë në Shqipëri, për të vazhduar më pas nëse keni interes në Selanik apo dhe më tutje, deri në Stamboll. Për më tepër kliko këtu.

Për ata që duan të ndjekin në mënyrë vetjake rrugëtimin, mund të shihni itinerarin e detajuar të Fondacionit Via Egnatia. 

 

Explore More