Book Your Stay
Book Your Flight
“Versioni në miniaturë i Shqipërisë”, – kështu e quan Arbër Çepani, themeluesi i Kafe-Muze Komitetit, barin e tij të veçantë. Komiteti është realizimi i tij i dashurisë, dhe bashkë me të, ai mund t’ja ketë dalë të ndërtojë një nga vendet më joshëse të Tiranës. Duke ruajtur balancën e një lokali sa të ngjashëm me një muze të vogël, aq edhe me një vend në modë e ku mund të rrish pa moskokëçarje, Çepani e ka kthyer Komitetin në një vend mjaft popullor e të preferuar.
Historia e këtij lokali është e lidhur ngushtë me atë të themeluesit të tij. Konceptuar fillimisht si një hapësirë ku të mund të ekspozohej koleksioni privat i Arbrit me mbi 17,000 copëza historie të Shqipërisë, tashmë ky lokal është shumë më tepër se aq. Klientët mund të relaksohen e të bisedojnë në një ambjent ku janë të ekspozuara që nga objektet simbolike e kulturore, tek kostumet popullore apo sendet interesante që rrëfejnë gjithashtu një histori. Por, si për t’i paraprirë një pyetje që nuk do të vononte, Arbri shprehet se ‘asnjë gjë nuk është në shitje.’
Edhe pse ka një gamë të tillë të pasur objektesh, në asnjë moment nuk ndihesh se je në një muze të mbushur plot. I organizuar në mënyrë mjaft të zgjuar, përmes një atmosfere të ngrohtë që nuk mund të kopjohet kollaj, Komiteti ofron mundësinë përfekte e të parit dhe të jetuarit të kulturës shqiptare. Paçka se shumica e shqiptarëve e identifikojnë emrin dhe dekorin e këtij vendi me atë të periudhës komuniste, kjo është vetëm një nga shtresat përbërëse të karakterit të tij. Në fakt, muzeu përpiqet të reflektojë një hapësirë kohore shumë të gjerë të historisë së vendit, dhe këtë e bën në mënyrë shumë të pëlqyeshme!
Përtej birrave apo koktejleve që mund të gjeni, Komiteti shërben dhe gamën më të gjerë të llojeve të rakisë. Mbi 50 shishe rakish të ndryshme janë të vendosura mbrapa banakut, dhe është vërtet e vështirë t’i rezistosh tundimit të të provuarit të njërës prej tyre. Ky lokal ka gjithashtu distilerinë e vet në Skrapar, që është dhe rajoni me rakinë më të mirë në të gjithë vendin. Pija pastaj përpunohet në Tiranë. Disa nga shijet më të preferuara janë ato të rakisë së rrushit apo kumbullës, por Arbri shpejton të na përmendë një tjetër emër, rakinë e murgut, që njëherë e një kohë prodhohej nëpër manastiret përreth vendit. Ai sigurohet që ta mbajë traditën gjallë, duke patur përherë këtë shije në lokal. Së fundmi, këtu mund të gjesh dhe gliko, apo karamelet e famshme zana, që janë një simbol i padiskutueshëm i një kohe tjetër.
Dy vite më parë, Komiteti filloi zgjerimin e tij. Qoshka e Komitetit është hapur tashmë në Pazarin e Vjetër në Korçë, qytetin tradicional të dashurisë dhe serenadave. Arkitektura dhe dekori janë në harmoni të plotë me të shkuarën elegante të qytetit, dhe gjithçka është realizuar me produkte dhe materiale vendase. Çdo qytet shqiptar ka historinë e vet dhe Arbri synon ta rrëfejë atë, duke zgjeruar aktivitetin e tij në dy qytetet e njohura si pasuri botërore e UNESCO-s, Gjirokastër dhe Berat.
Më shumë se sa thjesht një bar, kafe apo muze, Komiteti synon t’i bëjë drejtësi emrit, që përtej të rikujtuarit të Komitetit Qendror të PPSH të periudhës Komuniste, është njëherësh një term me origjinë latine që nënkupton mbledhje. E pikërisht këtu, vendas e turistë të huaj, të rinj por edhe grupmosha të tjera, mblidhen e ndjekin eventet e shumta që nga netët me muzikë live, tek netët me filma, dokumentarë, apo shfaqje të ndryshme. Mund të vizitoni Komitetin e të bëheni natyrshëm pjesë e një diskutimi, të vrojtoni kulturën shqiptare, apo dhe thjesht të provoni rakinë e bërë ‘me shumë dashuri’, siç i pëlqen Arbrit ta përmendë.