Kalaja e Beratit - Into Albania

Kalaja e Beratit

Ku jeta vazhdon nga antikiteti deri më sot

Qëndron që prej shekullit të 4-ët para Krishtit, vendosur në majë të një kodre, po aq madhështore sa edhe delikate, Kalaja e Beratit është kurora e këtij qyteti të lashtë. Nga oborri i fortifikuar i kalasë shihet i gjithë qyteti i Beratit, lumi Osum dhe ura e vjetër e Goricës. Një udhëtim në Berat nuk do të kishte kuptim pa vrojtimin e peizazhit nga lartësia e kalasë. Porta e madhe, e ndërtuar mbi gurë gjigandë, tregon një siluetë solmne të rrallë për çdo vizitor që shkel për herë të parë në Kala. Duhet një moment qetësie për të vlerësuar këtë kala para hyrjes brenda saj. E qarkuar me mure prej guri, me 24 kulla vrojtimi, Kalaja e Beratit është nga më të bukurat në Shqipëri. Nga romakët, ajo u quajt Fortesa e Arbërve ndërsa, në vitin 216 p.e.s, ajo u përmend me emrin e lashtë Antipatrea.

Si në asnjë kala tjetër, jeta brenda mureve të lashta të kalasë vazhdon! Është ky elementi më i habitshëm i kalasë, e cila brenda saj ruan jetët e banorëve, jetë këto po aq të izoluara sa edhe te privilegjuara ne këtë pozicion mbi qytet. Ajo që ekziston brenda mureve është vërtet një qytet tjetër me shtëpi, lokale e restorante, kisha e pazare, muze e monumente, të rrethuara nga një natyrë e gjelbër dhe e freskët. Pamje e pabesueshme! Shtëpitë janë vendosur pothuaj në një anë të kalasë, andej nga shihet lumi dhe qyteti. Turistët mahniten më këtë peizazh megjithëse për banorët e kalasë është diçka e zakonshme. Banorët, pa dyshim figurat më interesante të Kalasë, janë edhe historianët më të mirë të qytetit, ndonëse të padeklaruar. Ata dalin e presin turistë në prag të derës, e ndajnë me ta historitë e kalasë e të kishave, disa prej të cilave sot janë rrënoja.

Në brendësi të Kalasë, sot mbijetojnë vetëm dhjetë kisha, nga 30 që numëroheshin dikur, të cilat kanë nisur të ndërtohen që prej shekullit të 15-të. Kisha e Shën Todrit është e zbukuruar me afreske që ruhen prej shekullit të 16-të, ato të mjeshtrit më të famshëm të pikturimit të artit fetar në Shqipëri, Onufri. Historinë e kalasë e njeh më mirë përmes kishës së Shën Mërisë së Vllahernës, më e vjetra ndër kishat në kala. Katedralja “Fjetja e Shën Marisë”, ende funksionale dhe, sot, Muzeu i Artit Mesjetar, e ndërtuar në fund të shekullit të 18-të, është e zbukuruar me afreske deri në dysheme, por punët më të veçanta janë gdhendjet në dru të ikonostasit. Në këtë monument sot ndodhet edhe Muzeu Ikonografik Onufri, ngjyrat e të cilit duhen parë me vemendje nga afër për tu vlerësuar plotësisht. Ndër të tjera, Kisha e Shën Triadhës dhe ajo e Shën Mëhillit, të ndërtuara mbi shkëmbinj, të ftojnë ti shohësh nga pozicioni i tyre dominues dhe arkitektura bizantine. Një prej bukurive më të papritura përgjatë ecjes në rrënojat e kalasë, është busti që nderon Kostandinin e Madh, perandorin romak me origjinë ilire i cili është shpallur edhe shenjt nga Kisha Katolike.

    E hënë - E dielë 9:00 - 18:00
    Rruga "Gjon Muzaka", Berat Get Directions
    3 Orë

Explore More