Kalaja e Elbasanit - Into Albania

Kalaja e Elbasanit

Streha e historisë, kulturës e gjuhës shqiptare ndër shekuj

Për qytetin e Elbasanit, udhëtarët e huaj në ‘800-ën shënonin se të tilla qytete nuk gjendeshin më në Evropë!  Kalaja e Elbasanit është ndërtim romak ngritur në fillim të shekullit të III-të e.s,  kur asokohe rrethonte qytetin i cili shtrihej mbi një sipërfaqe 10 ha. Pasi u shkatërrua gjatë luftërave të shekullit të IV dhe atij të V-të, ajo u rindërtua nga Justiniani. Ajo u ngrit si një kështjellë ushtarake për strehim si edhe për kontrollin e rrugës së njohur Egnatia, një nga rrugët më të rëndësishmë të perandorisë romake. Ndërsa, më vonë, Mehmeti i II-të synonte ta përdorte këtë kala si baza e operacioneve të tij ushtarake kundër Skënderbeur por kalaja u shndërrua në qendrën kryesore të nacionalizmit shqiptar gjatë sundimit osman.

Qyteti brenda Kalasë pati periudhën e tij më të lavdishme gjatë shekullit të XVII-të, kur jeta e esnafëve fliste për një qytet të rrallë me dymijë shtëpi, 900 dyqane me zeje lëkure, mëndafshi, e metale, sidomos argjend, që tregtoheshin jashtë vendit. Plot 100 vjet pasi e pushtuan osmanët, qyteti filloi të shpërndahej jashtë Kalasë. Sot “qyteti” brenda mureve quhet lagjja e Kalasë, ndër të vetmet në Shqipëri ku ka ende plot vendbanime, të cilat bashkëjetojnë me të kaluarën. Tashmë, nga kalaja origjinale ka mbetur vetëm porta jugore e saj por ajo përmban shumë monumente të tjera të ndërtuara ndër shekujt në vazhdim. Secili prej monumenteve brenda Kalasë, si kisha katolike unite apo ajo ortodokse “Fjetja e Shën Marisë”, shkolla e vjetër e Kalasë, xhamia Mbret apo hamami i vjetër i grave, Kulla e Sahatit apo çdo shtëpi e rrugicë brenda kësaj kalaje, mban gjurmë të historisë së gjatë të këtij vendi. Në anën lindore të portës së Kalasë, në qendër të qytetit, gjendet Kulla e Sahatit. E ndërtuar në fund të ‘800-ës, në vitin 1963, ajo u shpall monument kulture.

Në qytetet shqiptare të mesjetës së vonë, monumentet publikë si sahati dhe xhamia ndërtoheshin pranë njëra tjetrës, një fenomen që nuk ekzistonte në qytetet e tjera të perandorisë osmane! Qendra e lagjes “Kala” mban Kishën Shën Maria, e ndërtuar në vitet ‘800, si edhe shtëpitë e besimtarëve të islamit, të cilët kryejnë ritet fetare në Xhaminë Mbret. Brenda kalasë ndodhet edhe Hamami i grave. Është një godinë prej guri, e shekullit të XVI-të,   e cila lejon depërtimin e dritës së diellit. Një shtëpi dykatëshe e ndërtuar me gurë kujton Kostantin Kristoforidhin i cili iu dha shqiptarëve abetaren e tyre të pare si edhe përkthimin e parë në shqip të dhjatës së vjetër të Biblës. Pak më tej, është dhe Muzeu i Gjuhëtarit i cili përmban një histori të rëndësishme për gjuhën shqipe. Në kala mund të njihesh dhe të vizitosh shtëpitë e akademikëve më të njohur shqiptarë, themelues të Akademisë së Shkencave Shqiptare. Pjesa tjetër e qytetit “kala” mban disa banesa me gjurmë të arkitekturës osmane, tipike të Shqipërisë së mesme, banesa të stilit Italian të shekujve XIX-XX si edhe ndërtesa të periudhës komuniste e postkomuniste. Si një “varkë e Noes” e vërtetë, kjo kala ruan brenda saj epoka, fe, perandorë, histori e kultura të veçanta e të ndryshme!

    Rruga "Xhaferr Kongoli", Elbasan Get Directions
    1.5 orë

Explore More