Kalaja e Gjirokastrës - Into Albania

Kalaja e Gjirokastrës

Kalaja e Gjirokastrës: E luftës, e legjendës dhe e festës

Kur mjegulla mbulon gjurmët e qytetit të Gjirokastrës, nga lart dallohet vetëm Kalaja e Gjirokastrës. Si një anijë gjigande, ajo shtrihet në gjithë hapësirën e kodrës 336 metra të lartë, mbi të cilën u ndërtua gjatë viteve ‘300. Forca e historisë dhe legjendës së saj e kanë ruajtur ndër vite e, tashmë, ajo mbahet si një nga aktraksionet turistike më të vizituara të Shqipërisë.

E gdhendur në gur, kalaja quhet Argjiro, në nder të legjendës sipas të cilës princesha Argjiro u hodh nga lartësitë e kështjellës për të mos rënë në duart e armikut osman. E kështu, kalaja dëshmon betejën e popullit shqiptar për pavarësi ndër vite, një lufte e gjatë e me shumë pengesa. Këto faza të historisë shqiptare shquhen edhe në ndryshimet që ka parë kjo kala prej kohës së pushtimit osman, në fund të shekullit të 14-të, deri në fillim të viteve 1800 e deri në kohët e mbretit Zog. Sunduesi i Janinës, Ali Pashë Tepelena, mes punimeve rindërtuese la gjurmën e tij në ngritjen e Kullës së Sahatit, në lindje të kalasë. Ndërsa në vitet e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, kështjella u shndërrua në një vendstrehim ku banorët e qytetit mbroheshin nga bombardimet ajrore.

Në hyrje të kështjellës, gjendet galeria e topave dhe koleksioni i armëve të cilat janë mbledhur që nga lashtësia e deri në luftën e Parë dhe të Dytë Botrore. Kjo hapësirë ruan edhe memorien e trishtë të burgut të ndërtuar në vitin 1932 nga mbreti Zog dhe të përdorur nga të gjithë regjimet në vazhdim, duke përfshirë pushtuesit fashistë dhe nazistë e, gjithashtu, edhe  regjimin komunist deri më 1968-ën. Ky burg u kthye në muze në vitet ’70. Banorët ende kujtojnë kohët kur dëgjoheshin klithmat e torturave brenda të ashtuquajturit “burgut të shtatë penxhereve” dhe muret ende mbajnë mbishkrimet e të dënuarve. Një nga kuriozitet moderne më interesante të kësaj kalaje, e ndoshta më pak të trishtë se burgu, është avioni amerikan dyvendësh, i cili u detyrua të ulej pranë Tiranës në vitin 1957. I konsideruar si avion spiun, kjo ngjarje u konsiderua si triumf i luftës së ftohtë, e për këtë arsye ky avion ekspozohet në kala prej vitit 1969. Një tjetër muze, galeria “Gjin Zenebishti”, tregon historinë e Gjirokastrës nga vendbanimet parahistorike e deri kur qyteti u bë qendra e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane.

Kalaja ka fatmirësisht edhe anën e saj gazmore. Prej viteve ’80, në Kalanë e Gjirokastrës zhvillohet festivali madhështor Folklorik Kombëtar ku, çdo katër vjet, mblidhen këngëtarët më të shquar të vendit e këndojnë këngët tradicionale shqiptare. Gjatë këtij eventi ekspozohen instrumentët më të hershëm shqiptarë si edhe plot objekte kulturore të cilat kanë mbijetuar nga tradita shqiptare. Në këtë rast, kalaja gumëzhin nga njerëzit e muzika dhe janë pikërisht ambientet e pakrahasueshme të saj që krijojnë këtë atmosferë madhështore.

Në dalje të kështjellës, oborri i fortifikuar dhe rrënojat janë një tjetër pamje për tu shijuar. Lugina e bukur e lumit Drin, era e fortë mbi fortesë dhe pamja madhështore e lagjes që mbështetet në shpatullat e Kështjellës e bëjnë të vështirë shkëputjen nga ky vend.

    Prill - Shtator, Çdo ditë 9:00- 18:00 Tetor-Mars 9:00-17:00
    Rruga "Evlia Celebi", Gjirokastër Get Directions
    2.5 Orë

Explore More