Kantina Kopliku – Të degustosh verën aty ku prodhohet - Into Albania

Kantina Kopliku – Të degustosh verën aty ku prodhohet

Keni planifikuar një vizitë të gjatë në Shkodër, apo një shëtitje në Koplik? Atëhere bëni mirë të vendosni në axhendën tuaj “Kantina Koplikun”, një vend tërheqës ku prodhohet e shijohet vera shqiptare!

Kantina Kopliku është një nga ato surprizat e këndshme që të rezervon Kopliku. Falë ambjenteve komode të pritjes për vizitorët, ofertave turistike për grupet apo individët që duan të njihen nga afër me verën e prodhuar aty, si dhe mikëpritjes së Shaqirit dhe Afërditës, kjo kantinë dykatëshe po kthehet në një arsye të mirë përse të bësh një ndalesë në Koplik.

Kantina Kopliku, foto nga IntoAlbania.

Shaqir Hysa, themeluesi dhe drejtuesi i kompanisë, i ka dedikuar jetën e tij kantinës, dhe sot po merr frytet e një pune të bërë me përkushtim, pasion, dhe largpamësi. Tek sa kujdesej që të prodhonte një verë cilësore shqiptare, ai donte të ndërtonte dhe një ‘shtëpi’ pritëse për vizitorët që do të donin të bënin një ndalesë për të degustuar verën e sapoprodhuar, për të shëtitur në vreshtat e kantinës, vjelur rrushin në stinën përkatëse, apo edhe për të ngrënë diçka tradicionale të zonës.

Kantina Kopliku, foto nga IntoAlbania.

Falë ambjenteve të brendshme por edhe një tarrace me një pamje mbi vreshtat dhe liqenin e Shkodrës, kantina është kthyer shumë shpejt në një nga emrat më të njohur të turizmit në zonën e Koplikut. Varietetet e rrushit janë tre, përfshirë Kallmetin, varietetin autokton shqiptar, që shton interesin e vizitorëve për të shëtitur vreshtat e për t’u njohur më në detaj me këtë traditë. Vetë vera “Kopliku”, po gjen gjithnjë e më shumë përdorim jo vetëm në Malësi të Madhe, por edhe në qytetet e tjera përreth, përfshirë Tiranën.

Kantina Kopliku, foto nga IntoAlbania.

Përgjatë aktiviteteve në kantinë, foto nga IntoAlbania.

Një ditë e kaluar aty, duke u njohur me varietetet e kantinës, duke shijuar verën, apo duke pritur perëndimi mbi liqen, që vesh me ngjyrën e portokalltë e rozë vreshtat, tek sa dritat e vilave nisin të xixëllojnë përreth, është e duhura për t’u jetuar në shoqërinë e familjarëve apo miqve.

Degustim vere në ambjentet e kantinës. Foto nga IntoAlbania.

Duke eksploruar vreshtat, foto nga IntoAlbania.

Nëse keni pyetje të tjera mbi Kantina “Koplikun”, apo doni të njiheni më shumë me turet përkatëse të organizuara aty, telefononi në numrin: 00355673417354.

Pamja nga Kantina Kopliku. Foto nga IntoAlbania.

Adresa: Rruga Mehaj Poshtë, Koplik, Malësi e Madhe.

    Rruga Mehaj Poshtë, Koplik, Malësi e Madhe. Get Directions

Explore More