Katedralja e Shkodrës - Into Albania

Katedralja e Shkodrës

Një nga më madhështoret në Ballkan, Katedralja e Shën Shtjefnit në Shkodër ka edhe një histori mbijetese të jashtëzakonshme.  

Historia

Katedralja e Shën Shtjefnit, shenjtit pajtor të Shkodrës, njihet gjithashtu edhe si Kisha e Madhe. Një herë e një kohë, katedralja ndodhej brenda mureve të kështjellës Rozafa deri në vitin 1478, kur pushtimi osman i qytetit të fortifikuar e shndërroi atë në xhami. Qindra vite më vone, në vitin 1851, besimtarët shkodranë i kërkuan zyrtarisht Sulltanit në Stamboll që katedralja të  ndërtohej në Shkodër. Pas 7 vitesh, në prill të vitit 1858, nisi ndërtimi i Katedrales.

Pikturë  rrëfen mbi lejen që morën në vitin 1851 për ndërtimin e Katedrales foto nga IntoAlbania.

Ndërtesa i rezistoi shkatërrimeve të luftrave ballkanike, tërmeteve dhe diktaturës komuniste. Në tregimet e qytetit thuhet se për ndërtimin e saj kontribuan të gjitha familjet katolike të Shkodrës, Papa Piu IX, Sulltani i kohës (pasi Shkodra ishte në pushtimin osman) deri edhe Perandori i Austrisë Franc Jozefi. Katedralja që njihet si një nga më të mëdhatë në Ballkan u bekua nga shenjtëria e tij Papa Gjon Pali II në vitin 1993.

Vendndodhja dhe arkitektura

Kisha e Madhe është në zemër të qytetit, shumë pranë pedonales së Shkodrës, një prej zonave më të  frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj. Ndërtesa kryesore i ngjan trupit të Katedrales së Parisit. Në fotot e vjetra shquhen afresket mbi mure, një pjesë e të cilave ishte vepër e piktorit të Shkodrës Kol Idromeno. Më 1967, Katedralja e Shkodrës u kthye në Pallat Sporti. Fatmirësisht nuk pësoi dëmtime serioze dhe me ndërrimin e sistemit politik ajo u bë streha e besimtarëve të të gjithë veriut.

Ambientet e brendshme të Katedrales, foto nga IntoAlbania.

Tavani drurit në Katedralen e Shkodrës e dizenjuar prej Kol Idromenos, foto nga IntoAlbania.

Ndërtesa shtrihet mbi një planimetri të mirëmenduar e paraprihet nga një shesh i madh përpara. Pjesa fundore e saj lidhet në mënyrë harmonike me kullën e këmbanës e, në një prej faqeve të kullës, shquhet sahati. Ora e parë për muret e këmbanares është dhuruar nga një prej familjeve të qytetit.

Kulla e Këmbanës, foto nga IntoAlbania.

Katedralja, simbol i lirisë

Shkodra ka numrin më të madh të klerikëve martirë të cilët dhanë jetën e tyre me përulësi për lirinë e besimit dhe dëshminë e dashurisë së Zotit. Shumë famulltarë, klerikë të lartë u torturuan dhe u vranë barbarisht gjatë kohës së diktaturës. Ata janë lumturuar nga Vatikani për mbrojtjen e krishtërimit dhe çdo vit në Katedrale një meshë i kushtohet lumnimit të tyre.

Altari i Katedrales, foto nga IntoAlbania.

Muzeu Dioqezan Shkodër-Pult

Pranë Katedrales ndodhet i vetmi muze në Shqipëri kushtuar fesë. Nga katedralja tek Muzeu i Pultit, rruga është vetëm pak metra dhe një guidë e dedikuar ju ndihmon të kuptoni më shumë për historinë e këtij aspekti jetësor. Ekspozita është ndarë në seksione të kuruara me profesionalizëm. Ato sjellin për publikun dëshmi të shkruara, objekte kishtare, foto dhe materiale audio në shqip, anglisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, frëngjisht, polonisht dhe kroatisht, duke e përfshirë vizitorin në histori.

Salla e ekspozimit të përhershëm në Muzeun Dioqezan Shkodër-Pult, foto nga IntoAlbania.

    E Hënë - E Diel 08:00 - 12:00

Explore More