Katedralja "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë - Into Albania

Katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë

E treta më e madhe në Ballkan

Katedralja e re e Tiranës është një nga shumë objektet e kultit të ndërtuara pas rënies së komunizmit, që ja vlen të vizitohet.

Katedralja “Ngjallja e Krishtit” ngrihet në zemër të kryeqytetit me pozicionim në pjesën jugperëndimore të tij. Katedralja fitoi statusin e një atraksioni turistik edhe pse me moshë të re. Kompleksi u shenjtërua në 1 qershor të vitit 2014 dhe hapi dyert për besimtarët e shumtë të këtij kulti në Shqipëri. 

Arkitektura

Nga përmasat është katedralja e tretë ortodokse më e madhe në Ballkan. Kompleksi fetar përfshin katedralen, kishën e vogël të lindjes së Jezusit, selinë e Sinodit të Shenjtë, obeliskun e këmbanës, qendrën kulturore, librarinë, dy kupola më të vogla dhe një muzeum. Kubeja e Katedrales është 32.2 metra e lartë dhe dallohet në lartësitë e Tiranës për ngjyrën e rafinuar dhe njëtrajtshmërinë sferike që zotëron. Kulla e këmbanës ku ndodhen 16 këmbana të vogla arrin në 46 metra lartësi dhe në faqet e krahëve anësorë shquhen orat që tregojnë kohët e Tiranës. Ndërtimi madhështor manifeston pamjen tradicionale të kishave ortodokse bizantine. Nuk mungojnë elementë të arkitekturës moderne gdhendur në pjesën më të madhe me mermer të bardhë.

Një vështrim brenda

Afresket, mozaikët e punuar me shumë finesë, ikonostasi i ndërtuar në harmoni me arkitekturën e brendshme i shtojnë kompleksit vlera artistike, ndërsa këtë vepër në tërësi e vendosin natyrshëm si pjesën më të bukur të ansamblit monumental të qendrës së kryeqytetit shqiptar. Në kalendarët kishtarë lindja e një kishe të re është ngjarje. Për Shqipërinë ngritja e katedrales merr kuptim të dyfishtë sepse sfidon dramën e shqiptarëve gjatë shekullit të kaluar kur ju ndalua liria e besimit fetar. Sot në zemër të Tiranës dhe në rrethinat e afërta të saj kumbojnë këmbanat e forcës së dashurisë.

Për të parë nga afër kalendarin e eventeve, mund të klikoni këtu.

 

 

    Rruga "Dëshmorët e 4 Shkurtit" Get Directions

Explore More