Kino - Into Albania

Kino

Një nga lokalet e reja të zonës së ish-Bllokut që ka krijuar shumë shpejt klientelën e vet besnike është “Kino”. Pozicionimi në një nga rrugicat më të njohura të Tiranës për jetën e natës, aty ku ndodhen “Charl’s”-i,”Colonial”-i, apo “Çoko”, i dha mundësinë që të binte menjëherë në sy mes të rinjve që frekuentojnë këtë zonë të kryeqytetit.

Kino bar, photo by IntoAlbania.

Banaku i lokalit, ngjan si të ishte hyrja e të famshmit “Chicago Theatre”, me shumësinë e llambave që të krijojnë ndjesinë se je ende duke jetuar në fillimet shekullit të XX.  E jo më kot jemi në Kino, aty ku celebrohet pasioni për kinemanë e artin e shfaqjes. Posterat e filmave shqiptarë të soc-realizmit veshin muret, e diku është improvizuar dhe një tavolinë me karrige tipike teatri. Nuk mungojnë as fotot e vjetra, si të dala nga një valixhe druri e ruajtur me kujdes diku sipër dollapit të gjyshit për dekada me radhë.

Kino bar, photo by IntoAlbania.

Tek sa arredimi në tërësi është i gjithi një homazh për të djeshmen, koktejlet apo ngjyrat lozëse të tavolinave e karrigeve janë një ftesë për të jetuar në mënyrë sa më moderne të sotmen. Përgjatë ditëve të javës ka organizime të shumta, që nga koncertet live, tek silent party-t apo mbrëmjet e jazz-it. Nuk mund të mungonin as netët me filma, ku kinemaja e autorit shfaqet në ambjentet e jashtme të lokalit.

Kino bar veranda, photo by IntoAlbania.

Veranda e madhe bën që Kino bar të jetë përherë plot me njerëz. Nëse gjatë ditës një kafe apo lëng i shtrydhur shijohen mjaft bukur e në qetësi, në mbrëmje atmosfera ndizet e të rinjtë shijojnë ambjentin që është përherë shumë dinamik.

Përballë lokalit, ndodhet dhe një nga muret ku do të gjeni disa nga grafitit politikë më interesantë të Tiranës, që jo pak herë influencojnë dhe bisedën e të pranishmëve që nuk mund të rrinë dot indiferentë ndaj tyre.

Explore More