Kisha e Shën Triadhës në Berat - Into Albania

Kisha e Shën Triadhës në Berat

Një nga objektet më të arrira të arkitekturës bizantine në Shqipëri gjendet në lagjen e Mangalemit në Berat.

Kisha e Shën Triadhës është një nga më të vjetrat në qytetin e dritareve një mbi një. E gjeni lehtë në zonën muzeale të Mangalemit në Berat, në faqen jugore të Kalasë. Pavarësisht terrenit të pjerrët ku ajo ndodhet, kisha hedh një vështrim të bukur panoramik mbi Goricë dhe shëtitoren e Beratit duke ju bashkuar hijshëm ansamblit muzeal të qytetit që mbrohet nga UNESCO. Kisha është një nga më të vizituarat në zonën muzeale të Kalasë dhe konsiderohet nga më cilësoret e 28 kishave që ka patur gjithë zona e Mangalemit në qytetin e Beratit.

Arkitektura

Ndërtimi i kishës daton rreth fundit të shekullit të XIII-të. Një mbishkrim i gdhendur në një nga portat e kishës tregon kohën më të afërt të ndërtimit të saj. Ajo është një nga modelet më interesante në strukturën e ndërtimit ku gërshetohen tjegulla të modelit bizantin me rradhë të forta guri, si mbajtëse të pjesës së poshtme të ndërtesës. Kjo teknikë duket se ka qenë vendimtare për të mbrojtur objektin nga dëmtimet e forta të shekujve.

Afresket

Afresket murale në faqet e brendshme janë të dëmtuara për shkak të vjetërsisë. Megjithatë gjurmët e temave biblike që tregojnë dishepujt e Krishtit, elementë të “Darkës së Fundit” apo ditët dhe ritualet që i paraprijnë Pashkëve duken ende mbi muret e kishës. Vitet e fundit po bëhën përpjekje për të rikuperuar pjesët më të dukshme të afreskeve të brendshëm, të cilët janë realizuar nga piktorë anonimë.

Gjurmët e Bizantit

Kisha është restauruar për herë të fundit në vitin 2016 kryesisht në pjesën e çatisë, e cila ishte më e dëmtuar se pjesa tjetër e ndërtesës. Në tërësi pjesa e sipërme e kishës dominohet nga ngjyra e kuqërremtë e tjegullave bizantine, një material që i ka rezistuar kohës harmonizuar me gurë të bardhë. Pamja e jashtme dominohet nga kupola e kuqërremtë e cila duket sikur fle mbi krahët anësorë që simbolizojnë kryqin. Në pamjen e saj të jashtme kisha vizaton në hapësirë krahët e Kryqit, si simbol i dashurisë dhe përkushtimit ndaj Krishtit.

    Kupola e bukur e kuqërremtë e qytetit
    Rruga Shkembi, Kalaja e Beratit Get Directions

Explore More