Kompleksi “Ndre Mjeda” - Into Albania

Kompleksi “Ndre Mjeda”

Turizëm Kulturor

Kompleksi “Ndre Mjeda”

Turizëm Kulturor

Aty ku këndohet andrra e poetit të dashur

Është një rast i rrallë kur jezuitët e lënë “vendin e tyre të shenjtë” të lirë për poetët. Kjo ndodh vetëm në Kishën e Kuklit e cila, bashkë me shtëpinë e Dom Ndre Mjedës, krijon kompleksin ku mblidhen poetë e këndojnë vargje për dashurinë, jetën e njeriun. Jo larg qytetit të Shkodrës, në fshatin Kukël, ka jetuar për 30 vite Ndre Mjeda, një nga poetët më të shquar të lirikës shqiptare, duke drejtuar edhe kishën pranë saj. Dy godinat mbeten të lidhura me njëra tjetrën, vendosur në këmbë të një kodrine të butë. Kompleksi, Kisha dhe shtëpia, ndërtuar nga vetë dora e poetit, në stilin neoklasik i kanë mbijetuar kohës së komunizmit duke u bërë një nga qendrat unike dhe guidat më të rëndësishme të turizmit historik e kulturor në Shqipëri.

E ndërtuar në vitin 1906, banesa e Mjedës u kthye në shtëpi-muze ku ekspozohen sende personale të poetit, material fotografik, shkrime studimore, libra e shumë objekte të tjerë. Është aventurë “jeta” që shoqëroi këtë banesë, pasi në ’91 shtëpia muze “Ndre Mjeda” u mbyll, ndërsa në vitin ’93, misionarë të Nënë Terezës “lidhën” kishën me shtëpinë duke i dhënë formën që ato kanë sot. Kishën dhe shtëpinë e mbajnë sot jezuitët të cilët kanë rikonstruktuar shtëpinë ashtu si e la poeti. Shtëpia dykatëshe është shndërruar në ekspozitë, ku ndër sendet më të rëndësishme është tavolina e punës së poetit, me jetë mbi 100 vjeçare, ku shkroi veprat më të bukura shqip.

Ndre Mjeda, një prej poetëve më të rëndësishëm në lëvizjen e poezisë shqiptare nga romanticizmi në realizëm, u largua nga Shqipëria më 1880. Pasi studioi në qendrat më elitare evropiane si Italia, Franca, Spanjë, Poloni, Dalmaci, ai u kthye në vendlindje në një kohë kur ajo ndodhej nën pushtimin osman duke jetuar e shërbyer për 30 vite në Kukël. Jeta e mjeruar por plot dashuri e fshatit e frymëzoi poetin të shkruante kryeveprën e tij “Andrra e Jetës,” vargjet e së cilës enden në këtë vend të bekuar, aty ku bashkohet bukuria e vuajtja e jetës, aty ku edhe vetë poeti u kthye:

Vijnë dallëndyshat porsi era
përte’ det te çerdhja e vet;
vijnë bylbylat ku pranvera
n’pyje t’veshuna po i thrret.

Shënim: Vizita duhet prenotuar mundësisht disa orë përpara te prifti i qendrës muzeore, Dom Nikë Ukgjini, në numrin (+355) 692095003.

Nga: IntoAlbania

  • Adresa: Zojz - Barbullush, Kukël Orientohu në hartë
  • Bileta e hyrjes: Hyrje e lirë
  • Kohëzgjatja e vizites: 1 orë

Çfarë ofron Shkodra

Të ngjashme

Të rejat

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics