Ksamil: Ishuj të virgjër, plazhe ëndrrash dhe sporte ujore - Into Albania

Ksamil: Ishuj të virgjër, plazhe ëndrrash dhe sporte ujore

Turizëm Detar

Ksamil: Ishuj të virgjër, plazhe ëndrrash dhe sporte ujore

Turizëm Detar

Po të udhëtosh pak kilometra në jug të Sarandës do të gjendesh në Ksamil, një nga surprizat më të mrekullueshme që ofron turizmi shqiptar. Falë detit të kristaltë e ishujve me plazhe mahnitëse që arrihen lehtësisht nga bregu, si dhe afërsisë me Butrintin (pasuri botërore e UNESCOs), vitet e fundit ky vend ka tërhequr vëmendjen e plot mediave ndërkombëtare që e kanë vendosur në listat e destinacioneve të jugut të Evropës që nuk duhet të humbisni.

Plazhet në Ksamil

Ajo çka të bën përshtypje sapo mbërrin në fshatin e Ksamilit është mundësia e të zgjedhurit mes disa plazheve spektakolare që plotësojnë njëra tjetrën. Dihet fort mirë se secili prej nesh ka një version të caktuar të blusë apo kaltërsisë së detit që i pëlqen më shumë se versionet e tjera. Në plazhet e Ksamilit ju do mundet të gjeni ekzaktësisht atë tonalitet të detit që keni ëndërruar aq shumë gjatë ditëve të tjera të vitit, shoqëruar dhe nga rëra e pastër dhe e ngrohtë.

Ishujt binjakë

Përgjatë gjithë kohës varkat e vogla ikin e vijnë me plazhistë që zgjedhin për disa orë të pushojnë në ishujt përrallor që në total janë katër, po ku spikasin ishujt binjakë të Ksamilit. Këta ishuj quhen kështu për faktin se janë të lidhur njëri me tjetrin përmes një rripi të ngushtë rëre, që të krijon një ndjesi të papërshkrueshme tek sa gjendesh në pikëtakimin e dy brigjeve të ndryshme detare. Falë qetësisë perfekte dhe bimësisë së dendur të ishujve, edhe pse fare pranë zonave të banuara të duket sikur je në ndonjë parajsë tropikale prej së cilës nuk do të largohesh.

Shërbimet turistike

Hotelet, baret dhe restorantet përgjatë gjithë fshatit të Ksamilit ofrojnë shërbimë cilësore e mundësojnë një pushim tejet relaksues e komod. Gatimet e detit plot shije apo koktejlet freskuese janë një garanci më tepër për të shijuar si duhet diellin mesdhetar. Nga kanoat apo rrëshqitëset mbi ujë, tek zhytjet e shoqëruara nga profesionistë apo lundrimet me varka, mundësitë e argëtimit në Ksamil janë nga më të ndryshmet.

Nëse ende nuk e keni zgjedhur vendin tuaj të pushimeve për këtë vit e nuk jeni bindur nga sa lexuat më sipër, hidhni një sy kësaj videoje në youtube, pasi jemi të sigurtë se nuk do të keni më nevojë për komente të tjera.

Si të shkosh me makinë: Rruga Sarandë – Ksamil.

Autobus: Autobusi Sarandë – Ksamil – Butrint.

Nga: IntoAlbania

Çfarë ofron Saranda

Të ngjashme

Të rejat

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics